Moisi Dalipi: “Serenatat” e Teodor Vasos  në fushën  e futbollit  

636
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Një vlerësim i tillë është  plotësisht i merituar për ish futbollistin , ish trajnerin dhe njeriun e nderuar Teodor Vaso. Në qyetin e serenatave , në Korçën e kulturës  në çdo aspekt të jetës, kur bie  fjala për sportin çdo kush do të tregojë  ndër të tjera  dhe diçka nga jeta dhe vlerat e njërës prej ikonave të  futbollit të tyre  ndër vite Teodor Vaso.. Korçarët  në vlerësimet  e tyre për këtë njeri të mirë të thonë :”Ai  serenatat e bukura  i interpretoj bukur dhe ëmbël në fushën e futbollit”.  Edhe pse Todos (   siç i flasin të gjithë në Korçë) i duhen dhe një muaj që  të festojë  80 vjetorin e lindjes, që në vështrim të parë  në portretin e tij fizik  dallon qartë  diçka ndryshe nga njerëzit e tjerë. Gjurmët  në  fytyrë dhe trup  të  më shumë se  60 vjetëve   që është marrë me sport si atlet,futbollist , trajner dhe specialist futbolli  të  ftojnë  shpejt të  mësosh diçka   më shumë për jetën e tij sportive. Dhe gjithëçka me  sportin për Todon ka filluar  që në moshën  8 vjeçare, aty tek  këndi sportiv i shkollëss ë tij të dashur “  7 Nëndori”  , me djemkat e lagjes  duke luajtur futboll.

Me orë të tëra harrohej Todo pas topit  aq shumë, sa  shpesh herë i ati çertexhiu i pazarit të vjetër të  Korçës , Guri Vaso do t’i tërhiqte veshin të birit të  përkushtohej më shumë për librat. Por sporti  , për këtë djalë korçar ishte një dashuri më vete , si ato seranatat që  këndonte në rrugizat e qytetit me shokët e vet , pa e ditur as vetë se nga ky sport veçarisht futbolli do i jepte ato vlera dhe respekte  që me të drejtë i meriton si legjenda shqiptare e futbollit korçar. Dhe për cvudi, krejt papritur në moshën  15 vjeçare kur ishte një nxënës i shkëlqyer i  Politeknikumit   “7 Nëndori” në Tiranë i ndërpritet bursa duke e detyruar të kthehet në Korçë dhe të fillojë punë. Gjithsesi  dëshira dhe  mendja nuk  ndahej lehtë nga  sporti.  Në një aktivitet sportiv  të qytetit mer pjesë në garat e 800 metrave të atletikës , ku spikat si nga më të mirët e aktivitetit. Në vitin 1957  i rikthehet bursa e shkollës profesionale në kryeqytet dhe këtu nis dhe të  zbulohet talenti i tij për t’ju përkushtuar fort sportit.

Përsëri  nga më të mirët në garat e atletikës  në garat  e zhvilluara në ato vite midis shkollave të mesme të  Tiranës . Ky djalë , i shpejtë me trup muskuloz  nuk do t’i shpëtojë  syrit të “ ustait” ,mjeshtrit të talenteve të reja në futbollin shqiptar,  Zini Gjinalit . Ai në atë periudhë kishte marrë  drejtimin e skuadrës  të  Dinamos, që kërkonte të bënte emër  në futbollin shqiptar..Dhe një ditë në fund të vitit  1957, kur Todo ishte  16 vjeç do stërvitej me ekipin e parë të Dinamos përkrah Qamil Hallunit, Skënder Jarecit , Shyqiri Rrelit , Stavër Lubonjës, Thoma Duros , Mehdi Bushatit e të tjerë . Të  ishe pjesë e këtij grupi futbollistësh  tek “Dinamo” e trajnerit Gjinali , shumë   natyrshëm  që do kishe të ardhme në futboll. Por në vitin 1959  me një marrëveshje midis klubeve Todo Vaso kalon  tek ekipi të rinjve të Tiranës,  me trajner  Osman Casllin. Kjo skuadër e bardhebluve të  kryqytetit  ishte  një  skuadër fituese e titullit kampion. Në fund të sezonit trajneri i njohur Myslym Alla e inkuadron  korçarin Vaso tek ekipi i parë  i 17”Nëntorit”, përkrah Skënder Halilit dhe Fatmir Frashërit. Ndeshja e tij e parë  me fanelën bardheblu  , do të jetë  kundër  “Dinamos”.

Pas  ndeshjes   trajneri Gjinali e kërkon  të rikthehet  përsëri  tek blutë e kryeqytetit.  Një takim i shkurtër me trajnerin Xhavit Demneri , ku djaloshi korçar i kërkon  drejtuesve të skuadrës , se me mbarimin e shkollës profesionale  duhej të kthehej në Korçë pranë familjes të vet. Dhe ashtu bëri . Djaloshi  19 vjeçar Todor Vaso , ky korçar i dashuruar  fort  pas lojës  të  topkëmbës. Tek Skënderbeu i vitit 1960 përkrah tij do kishte si shokë skuadre Aleko Pilikën, Maksim Tuxharin, Dhori Dhamin, Neim Tuxharin, Vangjush Samarxhiun, Engjëll Dvoranin e shumë të tjerë .Trajneri i njohur korçar  Pilo Qirinxhi e vendosi menjëherë mesfushor të krahut të majtë . I fortë , i shpejtë dhe magjik me topin: Ky ishte  mesfushori  Vaso jo vetëm në ndeshjet e kamponatit tonë.  Ky  futbollist  energjik  dhe plot talent , do të  dallohej  nga shokët veçanërisht  në  ndeshjet  ndërkombëtare që ka zhvilluar në ato vite Skënderbeu siç janë  takimet  miqësore  në  vitin 1960  me skuadrën polake”Odra –Opole”. Të veçanta  në fillim të karrierës , janë dhe   ndeshjet e viteve 19862 -63,  si  pjesë e ekipit olimpik  kombëtar , ku  së bashku me  Pilikën, Panon , Halilin, Jankun , Memën , Dingun, Frashërin, Bushatin e të tjerë, përbënin  grupin  e më të  mirëve të futbollit shqiptar. Në gusht të vitit 1963 “Partizani” i rrëmben Korçës  talentin Vaso  që për tre vjet të shërbimit  ushtarak është titullar i padiskutueshëm tek skuadra e kuqe e kryeqytetit.

Në kornizën e këtyre viteve me Partizanin  ai me këtë skuadër fiton në 1964  titullin kampion kombëtar dhe dy herë  Kupën e Republikës në  vitet 1964 dhe 1966..Të  pa harruara për  atë  do mbeten  ndeshjet  ndërkombëtare  të “Partizanit “ kundër  “Këlnit”,”Spartak – Plodvidit” , “Fenerbaces”,”Izmirit” ,”Cerno –More” dhe “Uta –Aradit”. Plot mbresa  kanë mbetur në kujtesën e tij   turnet  miqësore të “Partizanit” në Bullgari dhe Rumani  , si dhe pjesëmarrja në Kupën Ballkanike të klubeve në 1966. Dhe  në këto  ndeshje korçari Teodor Vaso  interpretoi  bukur në fushën e lojës “serenatat” e futbollit të tij. Por me mbylljen e  sezonit 1965-66 . mesfushori energjik Vaso  do kthehet tek Skënderbeu i tij i dashur , ku trajnerët Maqo Prodani, Ilia Shuke, Stavri Tole dhe Petro Mile  do t’i  jepnin dhe shiritin e kapitenit të skuadrës  në shumë ndeshje. Në ato vite Skënderbeu i Vasos , Shules, Dinellës , Pilikës   dhe shumë  të tjerëve rivalizonte  fort dhe me  skuadrat e kryeqytetit. Në çdo qytet ku shkonte Todo do të takonte patjetër dhe Mexhit Haxhiun e Vlorës , Muharrem  Karriqin e Kavajës, Zan Ragamin dhe Saba Bizin  e Shkodrës. Mihal Gjikën e Elbasanit, Teli Zahon, Luke Hodon e Beratit  me të  cilët  kishte ndarë sukseset tek “Partizani” dhe në  ekipin  kombëtar. Edhe pse  ishte larguar nga të kuqtë e kryqytetit , ky   mesfushor energjik , por dhe pse jo dhe  mbrojtës i forte, Vaso do mbetej i preferuar për ish  ekipin  e  tij  të  “Partizanit” për ndeshjet ndërkombëtare.

Kështu ai do të jetë në fushë me fanellën e kuqe  në vitin  1968, në ndeshjen kundër Torinos,  por  dhe në ballafaqimin ballkanik  kundër  kampiones bullgare të” Beroe” të  Stara – Zagorës. I paharruar për  Todo Vason   do të mbetet  fitimi i Kupës Ballkanike në 16 gusht  të vitit 1970 si pjesë e skuadrës të ”Partizanit”. Skuadra bullgare e“Beroes” pas atij  barazimi 1-1 në fushën e saj është dorëzuar për ndeshjen e kthimit të kësaj finale në Tiranë, duke bërë që: ”Partizani” të bëhet skuadra e parë e futbollit shqiptar që  fiton këtë trofe. Në  repertorin  sportiv  të Teodor Vasos janë dhe  dy ndeshje të tjera ndërkombëtare (tre të gjitha) me Skënderbeun  si ajo në  vitit 1970 kundër përfaqësueses  të Kinës , si  dhe ajo në vitin 1972 kundër skuadrës rumune “As –Tergu  -Murresh”. Dhe nuk janë pak ndeshje të këtij  niveli , por plot 16 ndeshje ndërkombëtare me “Partizanin” dhe  “Skënderbeun”, që ndryshe  në ato vite do thotë shumë për një futbollist shqiptar. Një kapitull më vete  plot dritë për karrierën e tij janë 18 ndeshjet me ekipin tonë kombëtar , ku 10 janë  miqësore  dhe   8 ndeshje janë ndeshje zyrtare për pjesëmarrje në  evendet  kualifikuese evropiane e botërore.Këtu  mund të veçojmë  katër ndeshjet  kundër  ish R.F,GJ  , në  vitet  1967 dhe 1971, Dy ndeshje  kundër skuadrës të   ish  Jugosllavisë   në vitin 1967 , si dhe  përballjet, me  Turqinë në  vitin 1970 dhe Poloninë në vitin 1971.  Dhe kush mund ta harrojë atë ndeshje të madhe  në historinë e futbollit shqiptar  , atë   të 17 dhjetorit  1967  në  stadiumin “Qemal Stafa “ ku kuqezinjët  regjistruan shifrat Shqipëri 0-0  R.F,GJ .Në memorjen  historike të futbolit tonë kanë mbetur ato dy gjuatjet e mbrojtësit Frederik Gjinali në minutëat 52, dhe 53 1 të ndeshjes  që e detyruan portierin   gjerman Volter të ndali një  gol përtej vijës fatale të portës. Gjyqtari austriak Marshall  në këtë rast  ka harruar detyrën dhe nuk dëshiron t’i turpërojë më shumë gjermanët e nervozuar,  duke u shprehur se “ishte vërtet një rast i diskutueshëm…”  Një qëndresë heroike  kjo ndeshje për ekipit tonë  duke bërë  që  nënkampionët e botës të  ish R.F.GJ  , të  mos marrin   pjesë në finalet e  evropianit Italia -1968.

Në këtë ndeshje  Teodor Vaso   luan për më shumë se 60 minuta  i dëmtuar , por që  së bashku me shokët nuk dorëzohen  përballë forcës dhe talentit të  Overatit e Nezerit, Veberit e Shulcit ,Packe e Hotgesit. Trajneri  gjerman  Helmut Shën dhe shtypi  botëror  do vlerësonin lojtarët  të ekipit shqiptarë të përbërë  nga  korçarët Koço Dinella që është vetëm 20 vjeç  dhe Teodor Vasos  që siç ka shkuar  agjensia AFP: “ I traumatizuari Teodor Vaso   nuk  u dorëzua deri në fund të kësaj ndeshje  të heroizmit shqiptar “. Por dhe të tjerët  janë pjesë e këtij suksesi të  futbollit tonë  duke  i sjellë ata   me  rradhë,  me  Ragamin, Zhegën  dhe Bizin, Memën dhe Shllakun, Gjinalin e Jorgaqin, Panon dhe Kazanaxhiun. Diçka më shumë se kaq  në komplimentat  dhe për trajnerin Loro Boriçi dhe tifozerinë shqiptare. Në këtë vit të suksesshëm të  vitit 1967, ka vend për të nderuar  dhe respektuar  si fitues të “Anketës 10 sportistët më mirë të vitit” dhe për   futbollistin korçar Teodor Vaso. Dhe  në vitin 1973 në moshën 32 vjeçare ,  pas plot 17 vjetëve sport  që e filloi  në atletikë dhe  shumë vite  duke luajtur futbollin si një “serenade, të bukur   dhe plot ëmbëlsi Teodor Vaso  do të largohet nga  fusha e blertë e futbollit . Një  arshivë  e pasur  me  më shumë se 307 ndeshje  në kampionate   dhe kupa dhe  34  ndeshje ndërkombëtare  mbyll karierën  e tij të  sukseshme ky futbollist legjendë e  futbollit korçar dhe atij shqiptar. Një paradoks më vete  ka  qënë fakti në ato vite ku  për këtë ikonë  të futbollit tonë  nuk  është orgnizuar asnjë ceremoni për  dorëzimin e fanelës me numrin 4 ose 6  që ai  ka mbajtur   dhe nderuar falë  talentit dhe përkushtimit të  tij  shumëvjeçar.

Gjithsesi, në vitet 1974-1978 Teodor Vaso  vesh tutat e sportit dhe  është trajner i ekipit të rinjve të Skënderbeut. Skuadra e të rinjve korçarë me Todon trajner ka  arritur tre  herë të jetë  nënkampione. Por jo vetëm kaq , sepse Teodror Vaso  ka pjesën e suksesit të tij në përgatitjen e talenteve të futbollit korçar  për shumë vite si  Milutin Kërcic , Dhimitraq Xhambazi, Bledi Shkëmbi, Paulin Dhëmbi,  Ligor Tiko, Rigels Qoqe e të tjerë.  Deri në vitin  2016 ai kontribuon  në futbollin kombëtar  si  delegat i F.SH.F.   në ndeshjet e ndryshme. Dhe të gjitha këto nuk  janë pak për një njeri të nderuar si Teodor Vaso , që  për rreth 60 vjet i është  përkushtuar fort sportit veçanërisht futbollit. Kjo është dhe arsyeja  që Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta  e ka vlerësuar  Teodor Vason   më 28 dhjetor 2018 me titullin  e lartë :“Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Vitet  ecin në ritualin e tyre  bashkë me brezat  e futbollit shqiptar. Diku në rradhën kronologjike të tyre  duhet të  ndalemi në mënyrë të  detyrueshme për të nderuar dhe respektuar ”serenatat”  sportive që na ka  dhuruar për shumë vite në fushat e blerta , një  emër legjendë i futbollit korçae dhe atij shqiptar, i madhi  Teodor Vaso .

                                               Skeda e  Teodor Vasos

Lindur: Në Korccë më  15.9.1941
Karriera si  futbollist: 1957 -1973  me ekipet e të rinjve Dinamo 1957-58, Tirana 1959, Skënderbeu 1959-1963 dhe 1966-1973 , Partizani  1963-1966.
Ndeshje të zhvilluara: Janë 343  ndeshje gjithsejt , ku 307  janë me Skënderbeun dhe Partizanin për kampionat dhe kupa  dhe 36  ndeshje ndërkombëtare me dy  klubet sportive “Skënderbeu “ dhe “Partizani “  dhe ekipin kombëtar
Numri në fanellë: Si mbrojtës numëri 4 dhe si mesfushor  numëri 6.
Trofe të fituara: Titullin kampion me Partizanin 1963-64, Kupën e Shqipërisë  1964 dhe  1966 me Partizanin, Kupën Ballkanike 1970 me Partizanin.
Karriera si trajner dhe specialist: Në vitet 1974-1978 trajner I ekipit të rinjve të Skënderbeut dhe 1978  deri në 2016  delegat si specialist futbolli i F.SH.F-ës.
Vlerësimet: Në vitin  1967 fitues i anketës “10 sportistët më të mirë të vitit”, në   vitin 1968 “Mjeshtër  Sporti”,  në vitin  1999 fitues i anketës “ Fotbollisti i Shekullit për Korçën”, në vitin  1999   nga Ministria e Kulturës dhe Sportit,:  Medalja e Artë “Për rezultate të larta në Sport”,  në vitin 2007 nga F.SH.F : Medalja e Veçantë “Për rezultate të larta  në ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare”, në vitin 2009  nga Bashkia Korçë:”Emblema e Artë e Bashkisë Korçë”,  në vitin  2016  nga klubi Partizani “Medalje e Meritës” , në vitin 2018  nga Presidenti i Republikës  zoti  Ilir Meta   titulli  i lartë :“Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.