Moisi Dalipi: Sefedin Braho, sulmuesi “fluturues” nga Gjirokastra   

576
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Sulmuesit të  njohur  gjirokastrit Sefedin Braho  edhe pse i duhen dhe disa muaj për të kapur  moshën e  68 vjetëve, përsëri  në portretin e tij fizik dallon qartë  shenjat dhe vetitë e një njeriu, që në vitet e rinisë së tij  është  ushtruar fort me sportin. Sefedin Braho mund të jetë futbollisti më i shpejtë i kampionateve shqiptare ndër vite. Me një start dhe sprint të tillë, rrallë kanë parë pistat dhe fushat e futbollit. Një shpejtësi natyrale, një aftësi që i ka mahnitur të gjithë. Shpejtësi e kombinuar me topin në lëvizje, driblimi, ishin cilësitë që e karakterizonin në individualitetin e tij. Në testime fizike realizonte kohë rekord në garat e distancave të shkurtra, ideale dhe të admirueshme për atlet të nivelit të lartë. Dhe ishte një  shpejtësi e  jashtëzakoshme natyrore,që e kombinuar me driblimet plot elegancë , tepër  virtuoz me topin,  shënues goli kur pak kush besonte se do  ta gjente  atë e bënin këtë sulmues   shumë problematik për t’u mbuluar në çdo sektor të fushës nga çdo mbrojtës. Ky është portreti  sportiv i 18 vjetëve 1970 -1988,  që luajti  futbollin e tij të bukur Sefedin Braho.

I lindur  më 18 gusht 1953  në lagjen “Punëtore “ të Gjirokastrës,   që moshën e fëmijërisë Sefia  ose “ Arapi” siç ka pasur nofkën nga  shokët e  tij  , u dashura shpejt  pas lojës të topkëmbës . Me orë të tëra  “harrohej” ai  pas topit në rrugët dhe sokakët e qytetit  të tij. Pak vite më vonë  në shkollën  8 vjeçare “29 Nëndori”  dhe për më shumë në fushën e vjetër të sportit djaloshi i vogël do binte në sy  nga moshatarët e tij për lëvizjet  me topin. Tek Sefedin Braho harmonizoheshin bukur teknika me topin me shpejtësinë e jashtëzakonshme  në veprime. Të gjitha  këto nuk i shpëtuan trajnerit  të ekipit të  Lufëtaritt  në ato vite Foto Xhaji , që  për talentin e Sefedin Brahos  ka bërë këtë  vlerësim: “Sefedin Brahon nuk e bëra unë futbollist,  ai kishte lindur i tillë. Unë e gjeta duke luajtur futboll zbathur dhe ia vesha këpucët sportive”. Kur ishte vetëm 17 vjeç Sefedin Braho do kalojë tek  ekipi i parë i Luftëtarit.Trajneri Xhaji  do t’i besonte një vend titullari në atë ndeshje të humbur  0-6 kundër Partizanit në  muajin shtator të vitit 1970. Edhe pse në skuadër  kishte futbollistë të tillë si Kurti, H.Braho, M.Caro, Sh.Zilja, C.Ndoja , përsëri  ekipi nuk mund ta përballonte dot  Partizanin e Panajot Panos. Trajnerët e skuadrës së kuqe , Kolec Kraja dhe Ilia Shuke në atë ndeshje dalluan qartë vetitë dhe cilësitë e rralla të sulmuesit Sefedin Braho. Kjo është  dhe arsyeja që në vitet 1972 -1974, Braho të bëhet pjesë e Partizanit përkrah Panos , Ragamit , Bizit, Xhafës, Berishës,  Muratit e të tjerë. Në vitin 1973  shijon dhe fitimin e  Kupës të Shqipërisë, por me përfundimin e shërbimit  ushtarak dhe “stazhit “ sportiv tek Partizani, dy vjet dhe asnjë ditë më shumë. Ky ka qenë limiti kohor dyvjeçar i qëndrimit të Brahos në klubin e kuq. Sefedin Braho është i vetmi futbollist që, si asnjë tjetër, erdhi, luajti dhe u largua nga Partizani me dëshirën e tij. Ndërsa të gjithë e kishin ëndërr të luanin e të qëndronin me klubin ushtarak, pasi fama dhe karriera e një lojtari mund të startonte shumë mirë nga ky klub, për Brahon e kundërta.

Lidhja me familjen, mospërshtatja me mjedisin kryeqytetas, rikthimi në ish-klubin ku gjen Ishkën dhe Kokalarin si trajnerë, janë disa nga arsyet. Kur u përgatit largimi i tij, u duk disi e pabesueshme që Braho do të linte Partizanin. Por, ashtu siç erdhi pa zhurmë e bujë, ashtu edhe u largua. Asnjë tentativë nga ushtarakët e kohës për ta mbajtur me Partizanin. Kjo skuadër nuk do ta harronte dhe do ta thërriste si përforcim në disa takime ndërkombëtare vite më vonë.Dhe ishte viti 1974  kur  Sefedin Braho kthehet tek  Luftëtari  ku së  bashku me Dhori Kalluçin, Spiro Curin , Luan Setin , Cici Bonin dhe të tjerët Shoni e Ciko, Ksera e Lamaj , Angoni e Halili,  Liti dhe Shameti  me trajner Hito Hitaj , do  sillnin në  futbollin  atë “Luftëtar” që dhe skuadrat elitare si Partizani, Vllaznia , Dinamo , 17 Nëndori  dhe Flamurtari do e kishin të vështirë në stadiumin “Subi  Bakiri”. Në sezonin 1978 -79 Lufëtari është nënkampion dhe merr pjesë në Kupën Ballkanike  ku  sulmuesi Sefedin Braho do të  jetë  protagonist i skuadrës të qytetit tij .”Trioja  e njohur gjirokastrite   Braho-Kalluçi-Seiti  është një  simfoni futbollistike shumë e dashur” –do komentonte  në ato vite  radiokronisti i njohur, i paharruari  Frederik Fico. Dhe sulmuesi Braho nga kampionati në kampionat do rritej në çdo drejtim si një  sulmues i pakrahasueshëm . Golat e shënuar sipas mënyrës së tij janë vlera të veçanta për këtë sulmues  “flururues “. Kështu  mund  të veçohen ato të realizuar në Tiranë kundër Dinamos, kur Luftëtari fiton 3-2, ku   Braho ka realizuar golin e parë, pasi ka dribluar plot 5 minuta , mbrojtësin  kundërshtar. Po kundër Dinamos, në vitin 1977, Luftëtari fiton 5-2, ndërsa Dinamo ishte në avantazh 2-1 në pjesën e parë. Braho ka qenë protagonist i përmbysjes së madhe kur ka marrë një 11-metërsh. Mbrojtësit   shpesh herë kanë qënë të detyruar ta frenojnë lojën e tij me ndërhyrje të rënda , duke dëmtuar dhe “fluturuesin” Sefedin Braho. Kështu ka ndodhur në sezonin  1978-’79 dhe në Gjirokastër luhet takimi Luftëtari-Dinamo 0-1. Luftëtari është në krye të klasifikimit dhe sapo ka startuar faza e dytë. Janë luajtur vetëm 30 sekonda lojë dhe një ndërhyrje shumë e rëndë ndaj tij ka shkaktuar një frakturë, që e largon për katër muaj nga fushat e futbollit. Po kështu  kujtohet  se në Lezhë, sezoni 1973-’74, luhet Besëlidhja- Partizani. Një goditje në nofull, për pasojë një frakturë e rëndë dhe menjëherë në Spitalin Ushtarak. 15 ditë në gjendje të vështirë, pa mundur të lëvizë kokën dhe duke sjell vështirësi  në të ushqyer.

Por  vlerat e mira sportive  dhe cilësitë  e Sefedin Brahos  do t’i  ruaj dhe kur kalon të  30 -vjetët e moshës  tij . Ndoshta është një rast  unikal  në futbollin tonë , si ai  i sulmuesit Sefedin Braho  që i jep lamtumirën futbollit të luajtur   në moshën 35  vjeçare në vitin 1988.   Por më i plotë portreti  i Sefedin Brahos bëhet dhe nga “ arshiva” me ndeshjet ndërkombëtare: Me ekipin kombëtar janë nëntë ndeshje dhe një gol i shënuar . Ky është bilanci i Brahos me fanellën kuqezi. Ka luajtur kur ishte me Partizanin, por edhe kur luante me Luftëtarin. Ndeshja e parë e tij është 6 majit 1973 në Tiranë ndaj Rumanisë 1-4. Pastaj vijojnëë  dy takimet pasardhëse: me Finlandën 1-0 dhe RD Gjermane 1-4 . Në vitin 1980 katër ndeshje  me trajnerin Zyber Konçi, madje në Tiranë ndaj Finlandës në vitin 1980 realizon golin e parë në fitoren 2-0. Dhe, takimi i fundit po në vitin 1980, në Tiranë ndaj Austrisë 0-1. Me klubet ka qenë një ndër futbollistët e marrë si përforcim në disa takime. Veçohet  këtu  ato të Partizanit ndaj Sëlltikut 1979,  Rijekës 1978  dhe Malmos 1980 .                                     

                                 Skeda e Sefedin Brahos

Lindur: Në Gjirokastër, më 18 gusht 1953
Karriera: Luftëtari 1970 -1972 dhe 1974 -1988, Partizani  1972- 1974 .
Roli në skudër: Sulmues
Numri në fanellë:  7
Trofe të fituara: Në vitin 1973 me Partizanin -,Kupën e Shqipërisë
Ndeshje me ekipin kombëtar: Në vitet 1973-1983   ka zhvilluar 9 ndeshje  dhe ka shënuar  vetëm  një gol , si dhe 6 ndeshje me  ekipet kombëtare  U-21dhe U-23 .
Vlerësime: “Mjeshtër i Merituar Sporti” , “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Qytetar Nderi i Gjirokatrës “. “Mjeshtëri i Madh “