Moisi Dalipi: Ilir Selimi, labi i dashuruar me futbollin e Tepelenës

Ilir Selimi , labi i dashuruar me futbollin

Moisi DALIPI

NOA

Kur je në qytetin e Tepelenës, gjërat e para që të shkojnë  ndërmend  janë e kalura  historike e njerëzve  të shquar dhe folklori i pasur i kësaj treve të Labërisë. Për momentin shumë pak mund të mendosh për sportin dhe personazhet e tij, që kanë bërë emër në këtë drejtim edhe pse ata nuk mungojnë si të tillë, veçanërisht në futboll. Kështu, mund të përmend ish-mbrojtësin e “Partizanit” dhe ekipit tonë kombëtar, Suvorov Seferin, Arben Shehun, ish golashënuesin e  “Luftëtarit” , Muhedin Targaj, ish kapiten i “Dinamos” dhe ekipit tonë kombëtar, portieri legjendë, Foto Strakosha, që kanë  lindur  si futbollistë  tek ajo fushë e thjeshtë futbolli  në  Tepelenë.  Por jashtë këtij vlerësimi nuk mund të mbetet Ilir Selimi, ish futbollist i “Tepelenës”, “Dinamos”, “Luftëtarit” dhe ekipive  tona  kombëtare. Por pak më ndryshe nga të tjerët,  Ilir Selemi, ky lab i dashuar fort  pas futbollit vazhdon  dhe sot, për rreth 15 vjet që  mban gjallë futbollin e qytetit tij të lindjes me detyrën e trajnerin. Të  gjithë misonarët e futbollit shqiptar, sa herë që ju jepet rasti  të jenë në  këtë qytet, do të takohen  natyrshëm me këtë njeri  të sportit. Edhe  pse në pamje të parë, portreti fizik i Ilir Selimit, të jep përshtypjen e një labi të “sertë”, e vërteta është shumë më ndryshe. Me shumë edukatë dhe respekt për njerëzit, në  fjalët e tij zbulojmë pa shumë vështirësi  portretin e tij sportiv. Pak kush kishte menduar diku në  vitin 1985, që punëtori i thjeshtë, Ibrahim Selimi  nga Bënça, i njohur  në këtë qytet të vogël edhe si një tifoz i thekur i “Partizanit” , do t’i rekomandonte djalit të tij Ilirit, t’i përkushtohej futbollit. Dhe fillimet në  lojën e  futbollit, si zakonisht, dhe për Ilir Selimin, do  jenë në  sheshet dhe rrugicat e lagjes tij  “15 Shtatori”. Fusha  sportive  pranë  gjimnazit të qytetit të Tepelenës  do ishte  konkretizimi i ëndërrave fëminore pas futbollit,  të këtij djaloshi me trup të zhvilluar dhe tepër të formuar, si  një  futbollist i ardhshëm. Shokët e tij të fëmijërisë, Romeo Burani Parani, Feim Lula dhe  Ardi Paza,  me të cilit luanin futboll me skuadrat  9 me 9, për shkak të përdorimit mirë  të topit me kokë, do t’i vendosnin shokut tyre Ilirit, nofkën “Kokaçi”, që edhe sot përdoret shpesh  në rrethet shoqërore.  Kur ishte vetëm 16 vjeç  ish trajneri njohur Mihal Cimi,  do ta bëjë Ilir Selimin,  pjesë të ekipit të rinjve të ish skuadrës  “Minatori” –Tepelenës, së bashku me Krenar Shehun, Bledar Ruçin, Ardi Pazon dhe Ylli Abedinin. I pëlqente të luante sulmues, duke shfaqur  shenja të një golashënuesi të aftë.  Këtë gjë  ai e tregoi  dhe në ndeshjen finale për “U-19” të Kategorisë Dytë, goli i shënuar  nga ana e tij, i dha skuadrës të drejtën të ishte fituese e Kupës dhe të ngjitej në Kategorinë e Parë.  Ende pa mbushur 19 vjeç, për Ilir Selimin hapen  rrugët për te skuadra e parë. Trajnerët Mihal Cimi, dhe më vonë  Skënder Ibrahimi, do t’i besojnë  detyrën e vështirë  të qendërmbrojtësit. I fortë, tepër i saktë në ndërhyrjet e tij ndaj sulmuesve, Ilir Selimi, do  kthehet në një lider të vërtetë tek skuadra e tij. E paharruar  do të mbetet ndeshja e tij e parë  ndaj  “Memaliajt”. “Tepelena” dhe “Memaliaj”,   janë  sy skuadra  të një treve këto, që  në çdo përballje edhe sot mbetet një “derbi” gjithmonë i  nxehtë. Dhe ka qenë  një ndeshje për Kupë, ajo midis “Memaliajt”  dhe “Tepelenës” në vitin 1989,  që shënon piketën e parë  si titullar për Ilir Selimin. Pozicional, i saktë, fitues në çdo dyluftim, veçanërisht ndërhyrjet e tij me gërshërë  linin mbresa tek drejtuesit e skuadrës. Shokët e tij të skuadrës Artur Beluli dhe Kleanthi Laçi, i kujtojnë dhe sot  ato ndërhyrje të veçanta të tipit gërshërë të Ilir Selimit, ku askush tjetër, nuk i aplikonte aq bukur në fushën e lojës.  Kur mendohej  shpërthimi i tij sportiv, vjen një ofertë  nga skuadra e kryeqytetit, “Dinamo”.  Një kërkesë kjo, jashtë dëshirës së babait vet, tifozit të “Partizanit”  Ibrahim Selimi, por që  duhej marrë në konsideratë për të ardhmen si futbollist. Ish kapiteni “Dinamos”,  legjenda Muhedin Targaj,  si kushëriri i Ilirit kishte dhënë garanci të plotë  tek drejtuesit e skuadrës kryeqytetase. Trajnerët  Neptun Bajko, Faruk Sejdini  dhe Vasillaq Zëri,   ngulmuan  fort  për ta marrë qendërmbrojtësin elegant tek  skuadra e tyre.  Ishte  viti 1991, dhe kur të gjithë kërkonin të zgjidhnin emigrimin, Ilir Selimi  dashurohej  më fortë me futbollin tek skuadra e “Dinamos”. Vite të vështira këto, të një trazicioni të gjatë që kanë lënë gjurmë  edhe tek futbolli.  “Dinamo”,  dikur emblemë e futbollit shqiptar vuante  jo pak  nga gjendja financiare.  Gjithësesi,  qendërmbrojtësi Ilir Selimi, nuk  e braktisi asnjë ditë atë në vitet 1991-1996, kur ishte pjesë e tij, duke treguar vlera sportive. Ai së bashku me Nikën, Muçën , Rredhaj, Fortuzin, Sillon, Pregën, Ruhin, Xhafën, Ruçon, Dajën, Mergjyshin,  dhe Bejzaden, së bashku me trajnerin Faruk Sejdini, do ta  mbanin fortë “Dinamon” e atyre viteve  në grupin e më të mirëve të futbollit shqiptar. Dhe  në ato vite paralel me futbollin, labi dashuruar pas  futbollit do përfundojë  në kryqytet dhe studimet e larta për  Drejtësi dhe Administrim-Biznes.  Por në këto vite, tek “Dinamo”, Ilir Selimi plot meritë,  bëhet pjesë  për  6 ndeshje me ekipin kombëtar “U-21”. I  fortë, energjik në çdo ndeshje, “Kokaçi  Tepelenës” , kundër Danimarkës , Italisë, Spanjës, Gjermanisë, Irlandës, dhe Bjellorusisë. Këtë moment të mirë  të këtij mbrojtësi e kanë  shfrytëzuar ish trajnerët e ekipit kombëtar, Neptun Bajko dhe Hito Hitaj, duke e bërë atë pjesë të ekipit tonë kombëtar për 3 ndeshje. Në kornizën e viteve  1996-1999, Ilir Selimi, do bëhet pjesë e skuadrës të “Luftëtarit” të Gjirokastrës , ku së bashku me Kristidhin, Xhumbën, Miho, Shehun, Haxhin, Grabovën, Novin, Salarinë, dhe trajnerin Hito Hitaj,   rikthyen në qytetin e gurtë traditën e  futbollit gjirokastrit. Kur u mendua se Ilir Selmi  do  të “shtegtonte” në futbollin grek, ai zgjodhi skuadrën e qytetit tij, “Tepelenën” për vazhduar futbollin.  Së bashku me shokët e tij si, Eugen Ruçin, Ermal Çelën, Edison Merjon, Roland Gabën dhe Agron Lilën, ata do ngjisnin “Tepelenën” për herë të parë në historinë saj, në Kategorinë e Parë. Kapiten dhe lojtarë në fushë  që për tre sezone,  2003-2006,  Ilir Selimi  nën kujdesin e ish trajnerit të tij të paharruar Nazmi Paja, do ta formatonin skuadrën plot performacë.  Në  fund të sezonit 2006, ku mungesa e një donatori financiar  e detyroi skuadrën tepelenase  të bjerë një kategori më  poshtë, Ilir Selimi  në heshtje të plotë, në moshën 34 -vjeçare  mbyll karrierën e futbollit dhe merr drejtimin e skuadrës. Detyrë e vështirë për të siguruar  mbijetesën e skuadrës, por Ilir Selimi sakrifikon dhe të  ardhurat familjare për futbollin. Miku tij Nazmi Paja, e mbështet dhe motivon për të  ruajtur dhe vazhduar të ndihmojë futbollin e qytetit tij. Kurset e kryera për  trajner futbolli në Kovercano-Itali, dhe Viteshe –Hollandë,  janë një ndihmesë në punën e tij. Dhe në fakt kështu ka bërë Ilir Selimi, që  ka  plot 14 vjet që drejton plot pasion  në detyrën e trajnerit ekipin e futbollit të  “Tepelenës” .  “Është shumë problem ana   financiare  tek skuadrat tona. Shumë futbollistë që kanë talent, sa fillojnë të rriten, largohen  diku tjetër ose jashtë vendit”, – sqaron Iliri. Dhe kështu ka  ndodhur në fakt   këto vitet e fundit  me shumë djem tepelenas, që gjithësesi nuk e harrojnë  punën, pasionin,  dhe përkushtimin e trajnerit Ilir Selimi, për t’i formuar ata  si futbollistë. Në  qytetin e Tepelenës të gjithë e thonë hapur,  se futbolli, skuadra dhe stadiumi i  tyre,  mbijetoi falë punës, kujdesit dhe përkushtimit të  trajnerit Ilir Selimi. Ai  si këshilltar bashkiak, në çdo mbledhje, diskuton, kërkon  dhe  përkujdeset për ta ndihmuar sportin. Atë  labin Ilir Selimi, e shikon dhe gjen  shpesh në fushën e  blertë në proces stërvitje,  duke stërvitur dhe dy djemtë e tij Rajlin 16 -vjeçar, dhe Irgenin  10 -vjeç. Të dy  janë një fotokopje e babit  të tyre në dëshirën që kanë për futbollin, në traditën familjare  që  kërkojnë të vazhdojnë .Ndoshta një ditë jo shumë të  largët, do të kemi mundësi t’i komentojmë si futbollistë këta pinjollë të rinj të familjes së nderuar dhe sportive të Ilir Selimit. Dhe më mirë se kushdo tjetër këtë dashuri  për futbollin e thotë vet “Kokaci” i Tepelenës  kur shprehet: “Në futboll do  shërbejë deri në frymën e fundit të jetës sime”. Kujdes, ky është një premtim –betim,  që  do  synohet  të bëhet patjetër realitet, sepse  ai  bëhet nga një lab i dashuruar fort me futbollin, siç është Ilir Selimi.