Moisi Dalipi: “Flamurtari”,  “Luftëtari”  dhe gjeografia e futbollit

520
Sigal

Java e  31-një  e Kategorisë Superiore, i zhvilloi ndeshjet e saj në dy ditë, duke mos sjellë asgjë të re në klasifikim.Tashmë, shumë gjëra thuajse janë të qarta përsa i përket  kryesueses,  që është Tirana, edhe pse matematika kërkon të thotë se duhet pritur të paktën dhe dy javë të tjera, që kampionati  të nisë festën e  bardheblu-ve për fitimin e titullit kampion për herë  të 26 –të. Po kështu me siguri  e themi,  se  dy skuadrat që i japin “lamtumirën”, Kategorisë Superiore,   tashmë dihen që janë, “Flamurtari” dhe “Luftëtari”.  Mbeten për t’u zgjidhur vetëm grupi skuadrave që do sigurojnë pjesëmarrjen në  “Europa –League” , ku gara është  me “Kukësin” , “Laçin” , “Teutën” , “Partizanin” dhe “Skënderbeun”, ndërkohë, “Bylis”-i shpreson  si  ta bëjë këtë gjë nëpërmjet Kupës, si gjysëm  finalist që është,  së bashku me “Tiranën”, “Kukësin” dhe “Teutën”,  sepse kampionati tashmë i ka ikur për duarsh, në këto ndeshjet post Covid -19. Por aspak komode  nuk  ndihet  “Vllaznia”,  që  me pikët që  ka në klasifikim, sepse është prej disa javëve kampionat,  pjesë e zonës “Play-Out”. Kështu, pra,  me pesë javët e mbetura kampionat dhe gjysëfinalet dhe finalet e  Kupës, kjo Kategori e quajtur Superiore,  pritet që deri në  2 gusht 2020-të  ta quajë të mbyllur sezonin  futbollistik 2019-2020.

Pothuajse pak a shumë gjërat janë përcaktuar dhe në Kategorinë e Parë,  ku “Kastrioti” i sigurt dhe “Apollonia” e mundshme, janë dy skuadrat që do të rikthehen në “sofrën”  e më të mirëve të futbollit shqiptar.  “Kastrioti” rikthehet kështu  pas një sezoni në  Superiore, kurse “Apollonia” ka pritur plot pesë sezone të tillë për të bërë rikthimin e saj. Për zbritjen në Kategorinë e Dytë,   duket se “Dinamo”, “Tërbuni”  dhe “Veleçiku”,  në grupin A, si dhe “Shkumbini”, përjashtuar tashmë  dhe “Shënkolli”,  janë pranë kalimit  një shkallë më poshtë. Natyrshëm që vendin e tyre priten ta zenë ekipet e tjera si, “Tomorri” , “Albpetroli” , “Vora”,  apo “Luzi -2008”. Ndërkohë  kampionatet e moshave, janë në fazën e ndeshjeve finale, ashtu siç mund të themi dhe për Kategorinë  e  Tretë  dhe kampionatin e futbollit  të  femrave.  Kështu Shqipëria,  ndoshta ndryshe nga shumë të tjerë, siç duket do ia dalë të zhvillojë dhe përfundojë sezonin futbollistik, kurse për sportet e tjera,  po vërtetohet  ajo  çka  prashikuam  shumë ditë më pare në gazetën “Telegraf”,   kur është shprehur se:“Për  futbollin,  do të ketë protokoll sanitar, kurse për  basketbollin dhe volejbollin jo.” Gjithësesi,  përtej kësaj panorame sportive,  ajo çka tërhoqi vëmendjen më shumë në këtë javë të garës sportive në Kategorinë Superiore, ishte ndeshja  “Flamurtari” – “Luftëtari” e zhvilluar në Vlorë. Në fakt,  nuk ishte ndonjë ndeshje e veçantë, ku do përcaktohej diçka, sepse të  dyja skuadrat e kanë marrë “shpërblimin” e tyre nga ky sezon, ku  kanë  siguruar rënien në Kategorinë e Parë,  as se kjo ndeshje do ngjasonte sado pak me ato ndeshje përpara shumë viteve,  të vlerësuara si “Derbi Jugut”, ku vetëm  emrat që kishin në përbërje  skuadrat  të impononin respekt.

Jo asnjëra  dhe as tjetra,   nuk kanë  fare lidhje  me temën që  po trajtojmë. Gjithçka ka të bëjë me  tkurrjen dhe zvogëlimin e  gjeografisë  të futbollit shqiptar me rënien nga Kategoria Superiore të “Flamurtarit” dhe “Luftëtarit”.   Le të themi që në fillim, se në këtë ndeshje “Flamurtari”  fitoi si asnjëherë tjerër  këtë kampionat me rezultatin 6-1, duke harruar të tregojë se kjo është vetëm fitorja e dytë  e tij këtë sezoni,  pas 21 humbjeve dhe 8 barazimeve. Një fitore kjo, që vinte pas 9 javëve, sepse  një e tillë por jo kaq shumë gola është marrë në ndeshjen e javës 22- të, ndaj “Luftëtarit” në Gjirokastër me rezultatin 0-1. Pra, në fitoren  e parë “Flamurtari” ka pritur  plot 1890 minuta për të shijuar  fitoren e parë, kurse tani 810 minuta për të gjetur fitoren e dytë. Dhe si kundërshtar për ta mundur kishte zgjedhur “Luftëtarin”. Dhe pas kësaj ndeshje të dyja skuadrat tashmë kanë nga 14 pikë në klasifikim, sepse nga 21 humbjet që kanë pësuar deri tani iu kanë rezervuar dy vendet e fundit. Ndryshimi vogël  qëndroi vetëm tek golat e pësuar ku gjiroakstritët kanë shifrën e 74 golave të pësuar,  kurse vlonjatët të 61 golave të pësur. Kaq,  dhe asgjë më shumë, sepse në fushën e lojës, edhe pse  kjo ndeshje prodhoi gola me bollëk, nuk ishte asgjë më tepër se sa një  ndeshje për amatorët e “U-16”.

Përfundimi tashmë  është shumë qartë: “Flamurtari”  për herë të tretë në historinë e tij 97- vjeçare,  bie nga Kategoria, kur më parë  e ka provuar këtë gjë në  sezonin 1949, dhe  2003 -2004 , kurse “Luftëtari”,  pas  4 sezoneve në Superiore,   rikthehet tek futbolli inferior. Në pamje të parë nuk ka asgjë të keqe që  pritet  të ndodhë kështu,  sepse këtë rënie e kanë provuar  dhe “Partizani”, “Tirana” , “Vllaznia” dhe thuajse të gjithë, sepse e tillë është  dhe formula e zhvillimit të garës,  por shqetësimi   ka të bëjë  me gjeografinë e futbollit  në Shqipëri, që duhet pranuar se në këto vitet e fundit është dëmtuar dhe shtrembruar shumë. Ja, shikoni me kujdes, hartën futbollistike të sezonit të ardhshëm  2020-2021,  ku mbetën jashtë qytete me shumë traditë në futbollin shqiptar si,  Vlora, Gjirokastra, Berati, Lushnja, Kavaja, Elbasani, Lezha,  si dhe skuadra të  tilla si,  “Dinamo” dhe “Naftëtari” ,  ku midis tyre gjen trofe të fitura në Superiore, ku midis tyre gjen emra të futbollistëve që i kanë dhënë vlera  ekipive  tona  kombëtare, por  ka  nga ata që kanë lënë  gjurmë  dhe në Kupat e Europës. E  thënë më qartë me këto rënie të këtij lloji,  këto skuadra, hedhin poshtë në një farë mënyre, vlerat e kontributet e atyre futbollistëve që e dashuruan dhe ushtruan  futbollin, falë dashurisë për fanellën e skuadrës tyre. Dhe këtë  gjë nuk do t’ja falte askujt në Vlorë, si-  Mexhit Haxhiu dhe Kreshnik Çipi, në Gjirokastër,  Sefedein Braho dhe Dhori Kalluci, në Lushnje Taq Gogoni dhe Artan Bano, në Berat,  Përparim Kovaçi dhe vëllezërit Arbëri, në Elbasan,  Mihal Gjika dhe Fred Lleshi, në Kavajë, Muharrem Karriqi  dhe Dash Bajaziti, në Lezhë,  Nikolin Lorenci dhe Bledar Kola. Tek “Dinamo”,  përtej emrave  legjendë janë 17 Titujt Kampion  dhe 15 Kupat e fituara në Superiore që nuk e falin një gjë të tillë, sikundër dhe tek “Naftëtari” emrat e  Bashkim Sulejmanit  dhe Vladimir Skuros. Faktet  kanë treguar  me “Dinamon” , “Elbasanin” , “Besën” , “Besëlidhjen”, “Tomorrin”, dhe  të tjerë,   se rrëshqitja  një  kategori më poshtë,  shoqërohet me vuajtje dhe mundime të mëdha për t’u kthyer sërish tek më të mirët. “Tirana” dhe “Vllaznia” që provuan këtë gjë  më parë, u rikthyen shpejt, sepse morën masa dhe  ndihen që kishin gabuar, kurse  me “Lufëtarin” dhe  “Flamurtarin” gjërat janë pak më ndryshe, sepse e kërkojnë  gabimin tek të tjerët  shumë vite më përpara. Por një tjetër fenomen, ku në Vlorë është më i prekshëm, ka të bëjë me atë se sa besojnë  “në ndryshimin e formatit dhe formulës  të  zhvillimit të  kampionatit në  sezonin e ardhshëm” Dhe këtë  e thonë hapur dhe drejtuesit e “Flamurtarit”, të cilët  për të justifikuar  dështimin e tyre në drejtim të klubit, hedhin për konsum ide të tilla, ashtu siç kanë  bërë dhe bëjnë dhe  me  çështjen e  privatizimit të klubit të futbollit. Në fakt idea e ndryshimit të formatit dhe formulës të Kategorisë Superiopre është një kërkesë aktuale, jo vetëm që jemi i vetmi vend në Ballkan, që zhvillojmë një kampionat futbolli me vetëm 10 skuadra, por vetë cilësia lë  shumë për të dëshiruar. Edhe pse presidenti  Duka,  më parë  është shprehur se “rregullat e garës vendosen në fillim të sezonit”, përsëri gjeografia e cunguar dhe e Kategorisë Superiore,  e kërkon një gjë të tillë. Dhe kjo  nuk duhet bërë se duan drejtuesit e “Flamurtarit” apo “Luftëtarit”, por sepse e kërkon  niveli aktual i  futbollit tonë, e kërkojnë vlerat pozitive që kanë  krijuar brezat në vite dhe dekada. Çdo qëndrim  ndryshe, do jetë i vështirë për t’u korigjuar në të ardhmen .