Mesatarja e golave për ndeshje, Uzuni është mes më të mirëve në Europë

98
Sigal

Myrto Uzuni ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij në Kategorinë e Dytë spanjolle, teksa deri tani ka shënuar 20 gola dhe udhëheq listën e golashënuesve në këtë kategori dhe për më tepër po renditet krahas yjeve botërorë për sa i përket mesatares së golit për ndeshje.

Padyshim që çdo kampionat ka koeficientë të ndryshëm vështirësie, por shifrat e Uzunit nuk mund të mos bien në sy. Sulmuesi më në formë i Silvinjos, sipas mediave spanjolle, renditet në vendin e katërt në Europë, me një mesatare prej 0.63 golash për ndeshje.

Beratasi ka zbritur në fushë 29 herë dhe ka tundur rrjetën 20 herë. Ai ka qenë vendimtar në ndeshjet në shtëpi, ku ka shënuar edhe numrin më të lartë të golave, plot 17 herë. Në këtë renditje, Myrto ka lënë pas edhe një sulmues kalibri si Levandovski, i cili e ka mesataren 0.6 gola për ndeshje dhe pas pak ditësh do të përballen të dy në një takim që do të luhet në Varshavë, për kualifikueset e “Euro 2024”.

Ndërkohë, polaku është kryesuesi i La Ligës me 15 gola për Barcelonën. Sa i përket renditjes, Kilië Mbape ka një mesatare prej 0.7 golash për ndeshje. Ylli francez i PSG-së ka shënuar deri tani 19 gola në kampionat dhe këtë numër e ka arritur në 24 ndeshje të aktivizuara gjithsej. Sipër tij dhe në vendin e dytë renditet nigeriani i Napolit, Viktor Osimhen, me një mesatare prej 0.73 golash. Sulmuesi është edhe ai që kryeson Serinë A me 21 rrjeta të realizuara deri në javën e 27-të të kampionatit, dhe ka luajtur vetëm në 21 ndeshje.

Ndërkohë, ai që kryeson këtë renditje, padyshim që është Erling Haland, i cili është kthyer në një makineri golash në Premier Ligë, por edhe në ndeshjet e Championsit. Norvegjezi i Sitit renditet i pari dhe mban një mesatare prej 1.04 golash për ndeshje.

Haland, i cili tashmë është vetëm në moshën 22-vjeçare, ka gjetur 28 gola në kampionatin anglez dhe këto i ka shënuar në 26 ndeshje, duke u bërë kështu, sulmuesi me i mirë në Europë për mesataren e golave për ndeshje.

MESATARJA E GOLAVE PËR NDESHJE

Erling Haland 1.04

Viktor Osimhen 0.73

Kilien Mbape 0.7

Myrto Uzuni 0.63

Robert Levandovski 0.6