Meriban Kadiu, një ndër 10-15 notarët më të mirë në botë, nderohet me Çmimin e Karrierës

1474
Sigal

Meriban Kadiu i jepet Çmimi i Karrierës dhe i notarit të Cilësisë së Lartë. Një veprimtari mbresëlënëse është zhvilluar në Durrës me 27 shkurt 2015

Përsëri Durrësi u bë epiqendër e një veprimtarie shumë pikante dhe mbresëlënëse. Nderohet figura emblematike e notit durrsak dhe atij shqiptar, 82 vjeçarit Meriban Kadiut. Ishin ftuar figura shumë të nderuara të qytetarisë durrsake, miq dhe shokë, notarë të vjetër dhe të rinj, rekordmenë shumë të njohur si Niko Kurani, Burhan Truma dhe Emin Lishi, si dhe titullarë të Federatës Shqiptare të Notit dhe të organeve vendore në Durrës. Në mjediset ku u organizua ceremonia festive, ishin vendosur fotoekspozita nga rruga dhe karriera e shkëlqyer e notarit të njohur Meriban Kadiu nga viti 1946 e deri tani. Ceremonia ishte e organizuar nga Federata Shqiptare e Notit, Shoqata kombëtare dhe lokale e veteranëve të notit, si dhe nga grup miqsh dhe dashamirësish.
Meriban Kadiu! Një personalitet i notit. Ai dhe tani mbetet trup fortë dhe i gatshëm për të dhënë ndihmesën e tij në zhvillimin dhe përparimin e notit. Boni dhe uji, është binomi më jetëgjatë që ka mbijetuar dhe mbijeton për mrekulli, falë pasionit dhe vullnetit të jashtëzakonshëm të notarit, i cili me sa duket është drejt një rekordi unikal në Shqipëri. Dhe siç thotë edhe vetë mjeshtri, as nuk ka ndërmend të tërhiqet nga notimi pasi kjo është vetë jeta e tij. Shumë i bukur fakti, që me 11 qershor të vitit 1933, Meriban Kadiu ka lindur në një anije teksa udhëtonte nga bari në Durrës. Pra edhe lindjen Bon Kadiu e ka në det, që është kthyer në simbolin dhe frymëzimin e të gjithë durrsakëve. Meriban Kadiu është mbuluar nga një respekt tejet i veçantë nga bashkëqytetarët e tij, të cilët nxitojnë ta përshëndesin sa herë e shikojnë rrugëve të qytetit. Më një cigare në gojë, të cilën
e trajton si bashkëshoqëruese të tij dhe me një biçikletë të vjetër por të padorëzuar, ai lëviz si një djalosh i ri për të kujtuar që noti edhe tani si dikur mbetet me protagonistët e tij më të denjë, një prej të cilëve është me plot meritë edhe Meriban Kadiu.
Në sfondin e këngës legjendë “Të falem i bukuri Durrës”, të kënduar edhe atë ditë nga mjeshtri i këngës Qemal Kërtusha, veprimtaria e Meriban Kadiut në not bëhej më e prekshme dhe e ndjeshme, më domethënëse dhe mesazh përcjellës për një brez të ri, që si një amanet i të parëve kanë detyrë ta përhapin dhe masivizojnë notin edhe si një mundësi për kalimin e kohës së lirë dhe të forcimit të shëndetit. Përvoja e Meriban Kadiut flet qartë, se marrja me not të largon nga jeta e ngushtë dhe sedentare, i jep larmi, temp dhe ritmikë asaj, të vesh me autoritetin e njeriut që përkushtohet dhe jo të dorëzohet dhe të bie viktimë e veseve të kohës.
Fillimet
Janë të bukura dhe të veçanta kur i kujton. Duke qenë se qëndrimi përparimtar i familjes së tij nuk shikohej me sy të mirë, ato shpërngulen në Tiranë. Dhe Boni i mitur kujton se si lahej në pishinën pranë teatrit Kosova, apo edhe në kataraktin pranë malit të Dajtit ku ishin dy basene të mëdhenj që quheshin i Luanit dhe Palaços. Nga kuadrot më të vjetër të sportit në Durrës, Tom Gjiri, i rekomandoi mikut të tij në Tiranë Avni Zajmit që ta përfshinte djaloshin durrsak në ekipin e Tiranës pasi talenti i tij ishte shumë premtues. Nga Ylli i Kuq i Durrësit dhe ballkaniada e parë e vitit 1948 organizuar në Durrës, në ekipin e Tiranës dhe më tej në atë të Partizanit që trajnonin specialist Shaqir Kapexhiu dhe Petrit Caslli. Meriban Kadiu premtimet e para i dha në garat e 50 dhe 100 m stil i lirë, për tu përqendruar më pas në 200 dhe 400 m stil i lirë. Lagja Sefer Efendiu është shumë e njohur në Durrës dhe është nga më të vjetrat. Nëpërmjet rrugicash dhe rrugëve ku lëvizin vetëm këmbësore, plazhi Currilave dukej pas shpejtësisë që e përshkonte këtë rrugë fituesi i 38 medaljeve të arta. Aty kridhej në valët e detit, për të merituar më pas nofkën “Biri i detit”, pasi ai mbeti shtëpia e tij e dytë. Përfaqëson ekipet e Yllit të Kuq, më pas Tiranën, Partizanin, Spartak, Lokomotiva e Teuta. Dhe rruga drejt mjeshtërisë ngjitej me punë dhe mundime, me përpjekje dhe sakrifica, me bindje dhe vetëmohim. Në kujtesën e Bonit janë notarët e parë që garoi si Niko Noti, Gafurr Haznedari, Ram Laçi, Eqerem Kosova, si dhe fqinjët e tij të mbiemrave shumë të njohur të notit si Kapexhiu, Truma, Mara, Afezolli, Rrogozhina, Gjepali, Kurti etj. U mësua me vendet e para që 14 vjeç, për të mos iu ndarë medaljeve të vendeve të para dhe kupave me ngjyrë të florinjtë deri në konkurrimet e moshës në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit.
Mjeshtëria
Medalje, rekorde, tituj kampioni dhe kupa pafund. Fotot që prezantohen janë të shumta, një arkiv i denjë që do ta dëshironte çdo klub sportiv. Bon Kadiun e shikon gjithnjë duke notuar në gara të ndryshme, duke ruajtur të çmuar miqësinë jo vetëm me shokët e ekipit, por edhe atë të ekipeve të tjera. Kjo është edhe arsyeja që ai sot respektohet njëlloj si nga durrsakët, ashtu edhe notarët miq të qyteteve të tjera si nga Tirana, Shkodra, Vlora, Pogradeci etj. I ati, Sul Kadiu, luajti rol parësor në formimin e Bonit. Madje në vitin 1962 kur ai ishte tërhequr nga noti për një problematikë të rastësishme që u krijua, ishte vendosmëria e të atit që ai të përfaqësonte sërish qytetin e lindjes. Po kështu, edhe këmbëngulja e organeve të pushtetit vendor, pasi pjesëmarrja e Bonit në gara do të konvertohej në rekorde, tituj kampione dhe role të tjerë. Dhe në 50 vjetorin e pavarësisë ai del i pari në garat e tij të preferuara, vlerësohet notari më i mirë i kampionatit duke merituar edhe kupën përkatëse. Me xhelozi dhe herë-herë edhe me shaka, qarkullon një humor në Durrës: Bon Kadiu ka 38 medalje pasi ua ka marrë hua edhe notarëve të tjerë. Por kush rrëmon hollësisht në jetën sportive të Bonit, e ndjen dhe kupton që edhe medaljet e fituara me djersë dhe stërvitje të pandërprerë janë më të pakta nga ato që meritonte, pasi mjaft diplomave i mungojnë medaljet përkatëse. Kulmi i arritjeve të 82 vjeçarit Kadiu mbetet viti 1956, ku doli i pari në garat 200, 400, 1500 m stil i lirë, dy stafeta, katërnotim, në vaterpolo ku ishte trajner Sul Tufa. Janë plot 7 medalje. Dhe këto vetëm në një pjesëmarrje apo kampionat. Nëse analizon rezultatet e Bon Kadiut për moshën e tanishme, së bashku me të edhe ne kemi krenarinë e faktit që renditet ndër 10-15 notarët më të mirë në botë. Cili notar në Shqipëri noton 70 vjet pa ndërprerje!? Bon Kadiu, veçse notar i shkëlqyer dhe tashmë edhe pa konkurrentë, mbetet edhe një njeri për tu pirë në kupë. Ai është shumë popullor në Durrës dhe emri i tij i bën nder historikut të notit të këtij qyteti ku u zhvillua kampionati i parë i notit në vitin 1930. Në moshën 35 vjeçare shkëputet nga noti aktiv me ekipet cilësore, duke fituar një titull kampioni në vitin 1966 edhe në maratonë, për të mbetur njeri i pazëvendësueshëm i detit edhe tani.
Përfundimi
Për të shkruar për rrugën sportive të Meriban Kadiut, do të duheshin mjaft faqe gazetash. Nga notar, e shikojmë të jetë 10 vite trajner i notit në Qendrën Kulturore të Fëmijëve dhe i ekipit të vaterpolos të Teutës. Por ai ka tjetër ditë të lumtur të angazhimit të tij të gjatë dhe historik me notin: fitimin e dy titujve dhe dy medaljeve që do ti kishte zili çdo notar ti provonte: çmimin e Karrierës dhe atë të notarit të Cilësisë së Lartë. Folën për Bon Kadiun me shumë respekt të premten e 27 shkurtit 2015, nga presidenti i Federatës Shqiptare të Notit Agim Çiraku, prefekti i Durrësit Roland Xhelili, shkrimtari Bardhyl Agasi dhe Shpendi Topollaj, këngëtari i mirënjohur Qemal Kërtusha, mjeshtri i merituar i sportit, notari i famshëm Niko Kurani, mjeku Pirro Qerimi, veteranët e notit Luan Rexha, Artan Zhupa dhe Fatmir Kërçiku, nën moderimin e ish presidentit të FSHN-së, nga mbështetësit më aktiv të zhvillimeve inkurajuese të viteve të fundit të notit durrsak Feim Alliu. Presidenti Çiraku nënvizoi faktin se Durrësi është në fillime interesante dhe inkurajuese për të evidentuar përvojën e krijuar në vite, me protagonistë të denjë si mjeshtri i merituar i sportit, fituesi i 38 medaljeve, notari legjendar Meriban Kadiu. Durrësi është traditë e gjallë në not, por kështu edhe vetë Meriban Kadiu. Për të gjithë notarët dhe klubet sportive, përvoja dhe aktiviteti i Meriban Kadiut janë një përvojë e gjallë dhe e pasur. Jemi të gatshëm të mbështesim, nënvizoi ndër të tjera Agim Çiraku, kërkesat e shoqatave të veteranëve, për të bërë vlerësime të tjera të merituara, ndaj emrave dhe kontributorëve të shquar të notit. Prekëse ishin në fund edhe fjalët e mjeshtrit të madh të ujit, mbajtësi i trofeve të panumërt nga më të shumtët në notin shqiptar Meriban Kadiut. “Ju falënderoj për vlerësimet, foli Kadiu dhe jap fjalën këtu se nuk do t’i ndahem ujit të detit dhe pishinës sa të kem jetë. Mbetem edhe më tej pranë notarëve dhe drejtuesve të rinj të notit durrsak, për të mbështetur punën e mrekullueshme që ka nis të bëhet me moshat në Durrës. Ju jam mirënjohës për gjithçka”. Me lot gëzimi e kënaqësi të paimagjinueshme, mbyllet dita e vlerësimit me çmime të çmuara dhe të pazakonta që Federata Shqiptare e Notit, i dha notarit 82 vjeçar Meriban Kadiut.

BUJAR QESJA