Nga ndeshja për mbijetesë tek ajo për titull, ja çfarë premton sot Superliga

533
Sigal

Java e mangët që lamë pas, ku dy takime nuk u luajtën, i lë vendin takimeve të 25-ta të kampionatit, takime që kanë hapësirë për çdo vend në renditjen e përgjithshme, duke filluar që nga vendi i fundit e deri tek ekipet që synojnë të fitojnë titullin.

Kukësi-Teuta, ndeshja e kthesës për kryesuesit

Në dy ndeshjet e fundit, Kukësi ka arritur që të grumbullojë vetëm 2 pikë, duke barazuar si me Skënderbeun ashtu edhe me Apoloninë, me një rezultat të habitshëm 2-2. Këto rezultate nuk kanë qenë aspak pozitive për synimet që ka ky ekip në mbrojtjen e vendit të parë që e gëzojnë aktualisht, duke e bërë takimin me Teutën të një rëndësie të madhe, pasi nuk falen më gabimet e këtij lloji, duke parë që Skënderbeu ndodhet vetëm 1 pikë larg. Nga ana tjetër, Teuta shkon në Kukës vetëm për të “provuar” fatin, duke marrë shembull edhe nga Apolonia.

Laçi-Vllaznia, kurbinasit në kërkim të fitores tjetër

Një ndeshje e bukur për tu ndjekur ajo mes Laçit dhe Vllaznisë, ku të parët vijnë pas një pushimi relativisht të gjatë, duke parë që nuk e zhvilluan ndeshjen me Flamurtarin, ndërkohë, nga ana tjetër, Vllaznia luajti me Elbasanin dhe barazoi 1-1, rezultat ky mjaft negativ, e në këtë përballje u duhet që të lënë pas çdo rezultat të mëparshëm për të zhvilluar një ndeshje sa më pozitive, si në lojë edhe në rezultat final. Largimi i trajnerit të Vllaznisë, ndoshta është një tjetër problem për këtë ekip, ku kërkesa për rezultat pozitiv do të jetë akoma edhe më minimale.

Partizani-Flamurtari, sfida e radhës për “demat”

Që pa filluar mirë, u diskutua për stadiumin se ku do të luhej takimi, e pasi u vendos “Niko Dovana”, ekipeve ju ka ngelur vetëm të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë, të luajnë futboll vetëm për të fituar, duke qenë se të dy ekipet e kanë të domosdoshme një fitore, por mbi të gjitha Partizani që lufton për titull dhe nuk i falen më gabime të tjera, se përndryshe duhet ta cilësojë veten jashtë luftës për titull. Sigurisht që Flamurtari nuk është një kundërshtar për tu marrë lehtë, aq më tepër që nuk luajtën në fundjavë, çka bën që të jenë më të freskët në lojë dhe sigurisht më të rrezikshëm.

Skënderbeu-Tirana, radha për ndryshime pozicionesh

Një ndeshje e madhe e kampionatit shqiptar, ku takohen dy nga ekipet më në formë të këtij sezoni, në një ndeshje që padyshim do të flasë shumë edhe për renditjen e përgjithshme, ku gjithsesi njëri ekip do të jetë më i humbur se tjetri, pavarësisht rezultatit, pasi si Tiranës ashtu edhe Skënderbeut ju duhet vetëm fitorja, duke lënë mënjanë një barazim që më shumë do u humbte dy pikë sesa do u fitonte një pikë. Nisur nga kjo, korçarët si pritësit e takimit, janë padyshim edhe më të favorizuar drejt fitores, duke qenë një kërcënim real për kreun e kampionatit, e në rast se e arrijnë, a do të zbresin më nga froni? Kjo ngelet për tu parë, por pengesat janë të mëdha e këtë radhë këto pengesa gëzojnë ngjyrat blu dhe bardhë.

Elbasani-Apolonia, ndeshja e shpresës për mbijetesë

Dy ekipe që kanë zënë “rrënjë” në fund të tabelës, por që morën rezultate relativisht pozitive javën që kaloi, jo më shumë për pikët e grumbulluara sesa për forcën dhe vlerat që treguan në fushë. Sido që të shkojë rezultati, përsëri këto dy ekipe duken shumë larg për tu rikthyer edhe një herë në luftën për të qëndruar në Superligë, por deri në fund nuk i dihet, prandaj si për Apoloninë ashtu edhe për Elbasanin ia vlen që të provohet, qoftë ndoshta vetëm për një fitore morale.

 04.03.2015

Kukësi-Teuta

Laçi-Vllaznia

Partizani-Flamurtari

Skënderbeu-Tirana

05.03.2015

Elbasani-Apolonia