Mehmet Spahiu: Dhuna në futboll përkthehet si dështim i tij

487
Nga Agron KAJA 
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Prof. Dr. Mehmet Spahiu, ja si i përshkruan situatat e javës së kaluar dhe vazhdimësinë e Superiores
Si e përshkruani javën e shkuar në tërësinë e ndeshjeve të futbollit që u luajtën?
Më duket se është duke u luajtur në futboll i vakët. Fillimi ka qenë i bukur në të gjitha kategoritë, ndërkohë që rrugës kanë dalë sërish probleme. Dhe ajo që të bën më skeptik, është se janë dukuri të cilat ia kanë ulur ndjeshëm nivelin futbollit shqiptar, sikundër dhuna.

Konkretisht, vetëm dhuna është elementi që e ka ulur nivelin e futbollit aktual që luhet në Shqipëri?
Jo vetëm dhuna, por janë edhe trukimet, që së bashku janë forma të rrezikshme, që javën e shkuar kaluan çdo limit. Sepse, nga një lojë argëtuese të vihet në rrezik jeta e aktorëve në fushën e lojës, këtu humbjet misioni i kësaj loje magjike dhe kaq popullore.

Nga rasti i Përmetit në Kategorinë e Dytë, dhe tek ndeshja e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Tirana, pse sipas jush ndodhën këto raste dhune?
Shpesh herë, dhuna e ka origjinën tek synimet që kanë skuadrat në ndeshjet që luajnë. Dhe, kur ato nuk ju realizohen, individë apo edhe gjithë skuadra me stafet e tyre, kalojnë në akte të shëmtuara dhune, prej të cilave kuptohet qartë, se dhuna në futboll përkthehet si dështim i tij.

Arbitri i ndeshjes Përmeti-Këlcyra është akuzuar për mitmarrje, fenomen i ri ky, apo pjesë e së shkuarës?
Së pari, akuza që është bërë ndaj arbitrit të asaj ndeshjeje, duhet parë ligjërisht. Sepse ajo nuk u bë më parë, por pas incidentit, çka të bën të mendosh se është kundërvënie. Gjithsesi, janë trupat juridike në FSHF që e ndajnë këtë punë, prej të cilave pres ndëshkime më të ashpra për të tilla raste.

Të themi se, këto dy raste dhune janë “dhurata” e futbollit për Vitin e Ri 2018?
Nëse nëpërmjet spektaklit në fushën e lojës do të jepnim futboll, te ne ndodh ndryshe, duke i dhuruar festave të fundvitit dhunën me përmasa të paimagjinueshme, si në Përmet. Nuk duhet të ndodhë kështu në asnjë stinë të vitit, dhuna nuk është spektakli i futbollit.

Çfarë mendoni se duhet bërë në vazhdimësinë e këtij sezoni, për të mos pasur raste të tilla dhune në fushat e stadiumet tona?
Dhuna asnjëherë nuk mund të ndalet plotësisht, këtë e dëshmojnë edhe shtete me demokraci të lartë në Botë dhe në Evropë. Por, ne si shtet, si FSHF, i kemi mundësitë më të mëdha që ta frenojmë këtë fenomen, edhe pse unë ruaj rezervat e mia se këto fenomene do të na shoqërojnë edhe në vazhdimësinë e këtij sezoni.

Si i shikoni ndeshjet e javës së 15-të të Kategorisë Superiore?
Duke lënë mënjanë fenomenin e dhunës, mendoj se këtë javë të gjitha ndeshjet janë pikante. Sepse sikundër janë zhvilluar 14 javët e luajtura, edhe Skënderbeu në Lushnje do ketë vështirësi, edhe Kamza në Shkodër nuk besoj se do të kapë ndonjë pikë. Po kështu edhe në Durrës të dielën, Teuta-Kukësi, aq më shumë edhe sfida Luftëtari-Partizani.

Duke qenë se jemi në fundin e pjesës së parë të sezonit 2017-2017, cilën skuadër në Superiore e mendoni si “Kampione Dimri” dhe cila do ta mbyllë tabelën e renditjes?
Për renditjen, nuk mendoj të ketë ndryshime në këto dy javë që do të luhen gjatë muajit dhjetor 2017. Skënderbeu e meriton të jetë në krye, dhe “Kampione Dimri”, ndërkohë që Lushnja duket me pak shanse që të dalë nga vendi i fundit i tabelës.
Më 15 janar 2018, mbushen 50 vite nga krijimi i Shkollës së parë të Mjeshtërisë Sportive në futboll, Shkëndija e parë, dhe kur kujton atë kohë dhe e krahason me këtë dhunë sot, natyrisht që sot, si profesionist dhe si qytetar, nuk ndjehesh mirë. Por “Shkëndija” e atëhershme nuk përsëritet
Ndeshjet-Java e 15-të
Të shtunën, 16 dhjetor 2017 
Vllaznia-Kamza 14:00
Lushnja-Skënderbeu 14:00
Flamurtari-Laçi 17:00
Të dielën, 17 dhjetor 2017 
Luftëtari-Partizani 14:00
Teuta-Kukësi 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 14 31
2. Flamurtari 14 25
3. Kamza 14 23
4. Kukësi 14 22
5. Laçi 14 21
6. Partizani 14 21
7. Teuta 14 15
8. Luftëtari 14 13
9. Vllaznia 14 12
10. Lushnja 14 8
Sigal