KATEGORIA E PARË/ Përgjegjësi i sporteve në Bashkinë e Kavajës, Meglid Mihani, analizon situatën e ndeshjeve
Agron KAJA
Kategoria e Parë luajti javën e 20-të të saj, me ndeshjet që u shtrinë në tri ditë. Mes 12 golave që u shënuan në gjashtë ndeshjet, kishte edhe rezultate që edhe nuk priteshin, por edhe të tjerë që sollën edhe lëvizje në renditje. Për gjithçka që prodhuan ndeshjet e kësaj jave, Specialisti i futbollit kavajas Meglid Mihani, njëherësh edhe Drejtor i Sporteve në Bashkinë e Kavajës, në analizën e tij për gazetën “Telegraf” tregon se do ketë luftë të fortë sportive deri në fund. “Kampionati në Kategorinë e Parë në këtë sezon, është duke u zhvilluar me luftë të fortë sportive, duke na dhënë shpesh edhe ndeshje të bukura. Në 20 javë, është Skënderbeu që komënton renditjen, ndërkohë që Laçi me Pogradecin po e bëjnë edhe më të fortë garën për skuadrën e dytë që do të hyjë direkt në Superiore. Këto skuadra i kanë dhënë bukurinë këtij kampionati, por nuk do përjashtoja edhe skuadra të tjera, të cilat janë munduar të japin më të mirën e tyre në ecurinë e garës, me gjithë pozicionet që kanë në renditje”, kështu e nisi dje bisedën specialist i futbollit Meglid Mihani, i cili nuk e anashkaloi edhe situatën e Besës në vënde të mesit në renditje. “Edhe pse janë luajtur 20 javë kampionat, nisur nga renditja, mendoj se Besa është larg pritshmërive, sepse ende nuk e ka arritur harmonizimin e vlerave të lojtarëve. Ndërrimi i dy trajnerëve dhe Magani i treti, ka bërë që skuadra të mos ecë më shumë. Por unë Besën e shoh në gjashtë skuadrat e para në fundin e fazës së dytë, e cila ka edhe 2 ndeshje për të luajtur. Magani e ka ndryshuar situatën e dobët me dy trajnerët e mëparshëm, por duhen afrime të reja. Është e padiskutueshme se, me këta lojtarë Besa e kap gjashtëshen e parë që luan në Play-Off. Pavarësisht humbjes me Kukësin, kjo nuk do të ndikojë që në ndeshjen e rradhës me Luftëtarin, fitorja të mbetet si synim i detyruar”. Duke qënë se faza e dytë ka edhe dy ndeshje për t’u luajtur dhe pas saj formatohet renditje e fazës së tretë, për Mihanin gara mbetet e fortë. “ Do ketë rivalitet më shumë mes Skënderbeut, Laçit e Pogradecit për hyrje direkt në Superiore. Nisur që nga java e 21-të, shoh se nuk do ketë favoritë, duke pritur që gjithçka të vendoset nga fusha e lojës. Por edhe për skuadrat që renditen në vëndet e tjera në tabelë, kryesisht ato skuadra që pozicionohen në zonën e mbijetesës, Fitorja e Kukësit dhe humbja e Lushnjës, e trazoi këtë renditje, ndaj mendoj se këto dy javët e mbetura të fazës së dytë do ta bëjnë edhe më të bukur garën”, kështu u shpreh dje Drejtori i Sporteve në Bashkinë e Kavajës, Meglid Mihani.
LEGJIONARËT
Kristjan Asllani me “fat”, gati për sfidën e radhës në kampionat
Këtë fundjavë, Kristjan Asllani debutoi te Beshiktash në mënyrën më të keqe të mundshme, ku pasi zbriti në fushë në minutën e 76-të, u ndëshkua me karton të kuq pas vetëm 5 minutash lojë, për një ndërhyrje të rrezikshme ndaj një futbollisti kundërshtar. Por pavarësisht se është i ndëshkuar, Asllani do të jetë i gatshëm për sfidën e radhës në kampionat. Rregullorja e futbollit turk thotë se, kur ndëshkohesh me karton të kuq direkt, dënimin mund ta shlyesh në ndeshjen e ardhshme në çdo kompeticion ku skuadra merr pjesë. Kështu Asllani do të mungojë në sfidën që Beshiktash do të luajë në Kupë ndaj Kocaelis, por dhe e shlyen dënimin.

Vijojnë paraqitjet pozitive të futbollistëve kuqezi
Gjatë javës së kaluar, futbollistët kuqezi që aktivizohen me klubet e tyre, kanë konfirmuar formën e mirë, ku veçohen Qazim Laçi në Turqi me Rizesporin, duke dhënë asist në barazimin 2-2 ndaj Basaksehir. Paraqitje të mirë bëri edhe Taulant Seferi me Bodrumspor, ndërsa titullarë me klubet e tyre këtë javë ishin Thomas Strakosha, Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Ylber Ramadani, Juljan Shehu dhe Jasir Asani, të cilët vijojnë të japin kontribut të rëndësishëm.
Silvio Merkaj “sms” Silvinjos me festimin alla-Ronaldo

Në ndeshjen e fundjavës, skuadra e Sudtirol në Serie B të Italisë, arriti një fitore në fushën e vet ndaj Katanzaros, duke u ngjitur në vëndin e 10-të të renditjes me 28 pikë. Në këtë skuadër, protagonist u bë shqiptari Silvio Merkaj, i cili pasi shënoi gol, festoi si Kristiano Ronaldo. Ai gjeti golin e radhës në fitoren 2-1 kundër Katanzaro, dhe ky është goli i 6-të në Serie B për këtë sezon. Festimi i tij pas golit bëri “zhurmë”, pasi imitoi Kristiano Ronaldon me “siuuu”. Sulmuesi nuk është marrë në konsideratë nga Kombëtarja, ndërsa paraqitjet e mira në këtë moment edhe mund të ndryshojnë situatën. Kjo paraqitje mbetet si një “sms” për Silvinjon.
Dukuria e javës 20, Canka e ka me tifozët, Bano hyri në fushë!
Në minutën e 75-të të ndeshjes Lushnja-Burreli 0-1, kapiteni lushnjar Mikel Canka, idhull i tifozëve lushnjar ndër vite për besnikërinë dhe golat e shumtë, pati një moment nervozizmi. Ai e braktisi për pak çaste aksionin dhe iu drejtua sektorit të tifozëve, para se të rikthehej sërish në lojë. Në minutën e 53-të Canka humbi një penallti, ndaj edhe reagimi nga shkallët e stadiumit erdhi natyrshëm, por që pas ndeshjes kërkoi ndjesë publike. Edhe trajneri Bano reagoi në një moment ndaj arbitrit, duke hyrë në fushën e lojës.

KATEGORIA E PARË
SEZONI 2025-2026
Ndeshjet-Java e 21-të
E shtunë, 7 shkurt 2026
Apolonia-Pogradeci 13:30
Kastrioti-Kukësi 13:30
Korabi-Skënderbeu 13:30
Lushnja-Laçi 13:30
E dielë, 8 shkurt 2026
Besa-AF Luftëari 13:30
Burreli-Iliria 13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 20 47
2.Laçi 20 42
3.Pogradeci 20 39
4.Burreli 20 29
5.Kastrioti 20 27
6.Iliria 20 25
7.Besa 20 24
8.Korabi 20 23
9.Apolonia 20 23
10.Lushnja 20 20
11.AF Luftëtari 20 15
12.Kukësi 20 12
Në javën e 21-të, ka sfida kryesimi dhe mbijetese
Këtë fundjavë do të luhen ndeshjet e javës së 21-të të Kategorisë së Parë, të cilat janë planifikuar të luhen ditën e shtunë e të dielë, 7 dhe 8 shkurt 2026. Kjo është java e parafundit e fazës së dytë të këtij kampionati, ndërkohë që sipas formulës, për fazën e tretë zbatohet formula e përcaktuar që në nisje të kampionatit. Ndaj edhe duke lexuar të gjashtë çiftet e javës së 21-të, njëherësh duke ju referuar edhe renditjes aktuale, duket se do të kemi sfida kryesimi, sepse tre skuadrat e kreut të renditjes luajnë në transfertë, ku do kenë përballë skuadra me synime të kundërta. Të gjitha vlerësohen si kryendeshje.



















