Mbyllja e sezonit në Superiore dhe trendi me trajnerët që largohen edhe si kampionë! Orges Shehi, “kalaja” e parrëzuar e bankinave

107
Sigal

Nga Agron KAJA

 

“Brenda kësaj gare të sezonit 2022-2023 kishte edhe një tjetër “garë”. Ishte ajo sa i përket bankinave, se kush ishte i pari në startin e largimeve, pse jo, edhe se kush do mbetej i palëkunduri deri në fund të sezonit”

 

Abissnet Superiore e mbylli edicionin e 83-të të saj, me verdiktet sa të pritshme, aq edhe të befasishme. Bukuria dhe rivaliteti mes skuadrave, nga kreu në fund, u shtua, sepse në dy-tre javët e fundit thuajse u përcaktuan verdiktet përfundimtare të renditjes. Brenda kësaj gare kishte edhe një tjetër “garë”. Ishte ajo sa i përket bankinave, se kush ishte i pari në startin e largimeve, pse jo, edhe se kush do mbetej i palëkunduri deri në fund. Dhe ky është qëllimi i këtyre rradhëve në këtë vëzhgim, për të sjellë historinë dhjetë mujore të bankinave në elitën e futbollit tonë për sezonin që u mbyll, 2022-2023. Pse duhet folur për këtë rast? Sepse është kthyer në fenomen që trajnerët mbeten pjesë e dëshirave dhe të pasioneve të drejtuesve të tyre, asnjëherë pjesë e profesionalizmit në shërbim të futbollit. Le të marrim si shembull skuadrën e Laçit, e cila e nisi startin e sezonit me Shpëtim Duron në bankinë, një nga trajnerët më të mirë e të suksesshëm në elitën e futbollit shqiptar. Ndarja me të ishte e shpejtë dhe u thirr serbi Dejan Vukiçeviç, por jo për gjatë, sepse rezultatet erdhën në rënie. Në skenë doli Gentian Mezani, një trajner i ri dhe shumë serioz, por …! Atëhere Stavri Nica mbeti si “goma rezervë”, por që realisht u tregua se është më lart se kaq, duke arritur që skuadrën ta ngrinte në renditje, në vendin e 5-të me 48 pikë, jashtë rrezikut për rënie nga kategoria. Pra, a është ky një shembull i keq ku katër trajnerë drejtojnë një skuadër brenda një sezoni futbollistik? Laçi thotë “Po”, sepse nëse do të kishim vetëm një apo dy trajnerë, kjo skuadër do të ishte më sipër në renditje dhe do të merrte pjesë në ndeshjet në Europë. E po kështu ka ndodhur edhe me Kukësin që provoi tre trajnerë gjatë sezonit, Teuta, Kastrioti, Egnatia dhe Bylis, që edhe këta i “shkundën” nga tre herë bankinat në këtë sezon. Këtu Tirana mbeti “kampione”, sepse asnjëherë nuk e diskutoi largimin e trajnerit Shehi, edhe pse në javën e 35-të barazimi me Bylisin ia largoi nga duart titullin kampion.

Kjo që ndodh mbetet shqetësuese për futbollin, e cila edhe në logjikën më të thjeshtë kjo nuk kuptohet për mirë, aq më shumë në futboll ku të kuptuarit e drejtimit të një trajneri kërkon minimalisht dy ose tre sezone. Sepse në tre muaj nuk arrin të njohësh mirë njeriun tënd në familje, dhe mandej një trajner ta njohë skuadrën. E së dyti, përfitimi i skuadrës mbetet i vakët duke u drejtuar nga njëra dorë në tjetrën. Ndërkohë, kjo lojë bankinash e ul shumë autoritetin e respektin për trajnerin, e kështu, edhe vetë futbolli nuk ka ndonjë përfitim cilësor e manaxherial. Kështu po ndodh, kur trajnerët e Superiores largohen edhe si kampionë!

 

TRAJNERËT E SUPERIORES NË SEZONIN 2022-2023

Skuadrat        Trajneri 1                  Trajneri 2                  Trajneri 3                  Trajneri 4

Tirana              Orges Shehi

Laçi                 Shpëtim Duro              Dejan Vukiçeviç         Gentian Mezani           Stavri Nica

Partizani          Dritan Mehmeti          Giovanni Kolela          U largua

Vllaznia           Mirel Josa                   Goce Sedloski             U largua

Kukësi             Skënder Gega              Enkelejd Dobi             Rahman Hallaçi

Teuta               Renato Arapi               Bledi Shkëmbi            Edi Martini                  U largua

Kastrioti          Emiliano Çela             Adrian Mema              Emiliano Çela                         U largua

Egnatia            Edlir Tetova                Shpëtim Duro              Edlir Tetova

Bylis                Jeton Beqiri                 Arian Bellai                Naxhi Shensoi

Erzeni              Xhevair Kapllani         Alfred Deliallisi

 

SEZONI 2023-2024

ABISSNET SUPERIORE

Skuadrat pjesëmarrëse

1.Partizani       (Tiranë)

2.Tirana           (Tiranë)

3.Egnatia         (Rrogozhinë)

4.Vllaznia        (Shkodër)

5.Laçi              (Laç)

6.Teuta            (Durrës)

7.Kukësi          (Kukës)

8.Erzeni           (Shijak)

9.Skënderbeu (Korçë)

10.Dinamo      (Tiranë)

 

 

KATEGORIA E PARË

Skuadrat pjesëmarrëse

1.Flamurtari     (Vlorë)

2.Tomori          (Berat)

3.Korabi          (Peshkopi)

4.Luzi 2008     (Luz)

5.Apolonia      (Fier)

6.Besa (Kavajë)

7.Lushnja        (Lushnje)

8.Burreli          (Burrel)

9.Bylis (Ballsh)

10.Kastrioti     (Krujë)

11.Vora           (Vorë)

12.Elbasani      (Elbasan)