Masimiliano Allegri paralajmëron kthimin, mes spekulimeve për Bayernin dhe Arsenalin

520
Sigal

Massimiliano Allegri ka premtuar se ai nuk do ta marrë pozitën e trajnerit të ndonjë klub në gjysmë të sezonit, në mes të spekulimeve që e lidhin atë me postin e trajnerit të Bayern Munichut dhe Arsenalit.

Trajneri italian Massimiliano Allegri ka qenë pa punë që kur i ndau rrugët me Juventusin, pasi e fitoi titullin e Serisë A në sezonin 2018/19, që ishte i pesti në po aq vite si trajner i bardhezinjve, transmeton Gazeta Express.

52-vjeçari, i cili është duke mbajtur leksione për gjuhën angleze, është përfolur se do ta marrë postin e trajnerit në disa klube, veçanërisht në Bayern Munichun që e shkarkoi Niko Kovacin dhe Arsenalin që e shkarkoi Unai Emeryn.

Por, ish-trajneri i Milanit Allegri thekson se ai do të presë deri në fund të këtij sezoni 2019/20 për t’u kthyer në botën e futbolli si trajner i ndonjë klubi.

“Kur do të kthehem? Në qershor. Nuk e di nëse ju e konsideroni këtë pushim apo jo. Giovanni [Branchini, agjenti i Allegrit] dhe unë e morëm këtë vendim menjëherë. Sapo u ndamë me Juventusin, ne vendosëm ta marrim një vit pushim”, ka thënë Allegri.

“Viti i ardhshëm do të jetë një vit i rëndësishëm. I rëndësishëm për vendimin që do ta marrë në fund dhe unë duhet të përgatitem për të. Pas një viti pushim dhe pesë vjetëve në Juventus, nuk dua të kthehem dhe të bëj punë të keqe. Kjo do të më shkatërronte”.

“Unë po shkoj në një kurs për ta mësuar gjuhën angleze këtu në Milano. Flas mjaft mirë, por pjesa e dëgjimit më duket më e vështirë. Po flas me dikë që më ndihmon duke folur më ngadalë dhe pastaj unë arrij ta kuptoj”.