Mark Iuliano: Unë dua të punoj për të fituar, dhe jo të punoj për të jetuar

582
Nga Agron KAJA
PARTIZANI/ Dje në klubin e kuq u bë prezantimi i ish-juventinit në bankinë, trajnerit të katërt italian në këtë skuadër
Më në fund, platforma e Luçiano Moxhit, dje morri udhë me një tjetër ndryshim te skuadra e Partizanit, me vendosjen e trajnerit të ri. Pas largimit të Sulejman Starovës, “qoka” e radhës për Luçiano Moxhin si “dirigjent” real te klubi i Partizanit, ishte Mark Iuliano, ish-mbrojtësi i Juventusit dhe i Kombëtares italiane, i cili pas lënies së futbollit të luajtur, është përkushtuar në trajning. Pas 22 viteve si futbollist në nëntë skuadra (1990-2012), dhe një përvoje pesë vjeçare me Kombëtaren italiane në 19 ndeshje dhe me 1 gol të shënuar, Iuliano ka pesë vite si trajner në skuadra të niveleve të ulëta në futbollin italian. Këtë vit ai ishte te Komo në Lega Pro të futbollit italian, dhe me këtë karrierë te Partizani, nis një aventurë në anën tjetër përtej Adriatikut. “Kam informacionin se, unë jam trajneri i katërt italian që vij te Partizani, por mendoj se nuk kam aspak lidhje me të mëparshmit. Italianët, si edhe shqiptarët, nuk janë njësoj, pasi secili ka idetë dhe mendimet e tij. Te Partizani më është kërkuar një objektiv, të fitoj, ndërsa sa i përket së ardhmes, më intereson aktiviteti dhe lojtarët që ka klubi. Besoj se kjo do të jetë një epokë e re, për mua dhe për klubin”, ishte kjo deklarata e parë e Iulianos si trajner i ri i Partizanit, i cili më pas tregoi se, të fitosh në futbollin shqiptar nuk është e lehtë. “Nuk mendoj se të fitosh në Shqipëri është e lehtë. E kam studiuar kampionatin shqiptar, kam ndjekur punën e De Biazit dhe Tramexanit, sikurse dhe do të kem kontakte me Panuçin. Kam parë lojtarët shqiptarë këtu, dhe mendoj se nuk është vetëm futboll fizik, pasi ka edhe elementë të mirë. Na vjen si detyrë t’i përmirësojmë këta lojtarë edhe nga ana taktike, dhe unë e stafi im kemi ardhur jo vetëm të fitojmë, por edhe t’i rrisim lojtarët. Nuk kemi ardhur për të ndryshuar Shqipërinë, pasi në disa raste na keni mësuar edhe ju neve. Në karrierën time, unë kam punuar me trajnerë si Lipi, Kapelo dhe Ançeloti, dhe ata më kanë ndihmuar shumë, sidomos në vitet e fundit të karrierës, teksa i kam parë si punonin. Të imitosh të tjerët, nuk të çon askund, sepse duhet të kesh idetë e tua dhe t’i përçosh te lojtarët. Nëse ke mbështetje nga klubi, çdo gjë do të shkojë mirë”. Në këtë rrugëtim të ri të tij në bankinën e një skuadre futbolli në Shqipëri, që në kontaktin e tij të parë, Iuliano u tregua i “paduruar” për të nisur punën me skuadrën, duke deklaruar njëherësh se kishte informacionin e nevojshëm për përbërjen aktuale të skuadrës së Partizanit. “E di se janë larguar disa lojtarë të rëndësishëm, por më duhet të flas për të tjerët që janë këtu, dhe për ata që do të afrohen. Për mua, te Partizani do të jetë një eksperiencë e re, e cila shpresoj të jetë pozitive dhe të përmbushim objektivat. Moxhi më ka sjellë këtu dhe jam krenar që më ka përzgjedhur të jem pjesë e këtij ekipi legjendar në Shqipëri. Falënderoj edhe presidentin Demi për vlerësimin. E di se jam i ri si trajner, ku kam drejtuar skuadra nga moshat, deri te të mëdhatë. Kam marrë një skuadër në vendet e fundit dhe e kam dërguar në “play-off”. Aventura te Latina u mbyll për shkak të disa problemeve të mia. E kam pritur me padurim të më vijë një ofertë, ku të më jepet mundësia për të fituar, jo për të mbijetuar”, vazhdoi në deklarimin e tij trajneri italian i Partizanit, për ta mbyllur me agjendën e startit të sezonit të ri në bankinën e Partizanit. “Do përgatitemi për sezonin e ri dhe gjatë seancave stërvitore në Itali, do të bëjmë më të mirën për të bërë gati një grup për kampionatin shqiptar. Pjesa shqiptare e stafit teknik është e rëndësishme, ndërsa për merkaton, mendoj se largimet duhen zëvendësuar me disa të tjerë që po i kërkojmë, që janë lojtarë të rëndësishëm dhe bëjnë diferencën. Po mendojmë për sulmues, ndërsa repartet e tjera duken të plota. Gjithsesi, nuk ka rëndësi nëse do të jenë shqiptarë apo të huaj, por do të ketë lajme të mira. Në prag të fazës që nis më 10 gusht, do ta kemi grupin e plotë”. 
Më është kërkuar të fitoj. Presidenti më ka thënë që është lodhur duke mos fituar. Kam parë thuajse të gjitha ndeshjet e Partizanit në kampionatin e kaluar, kam parë të gjithë lojtarët dhe kam informacion për ta. Unë dua të punoj për të fituar dhe jo të punoj për të jetuar
Presidenti Gaz Demi: Iuliano, më simpatik se italianët e tjerë
Në fjalën hapëse të konferencës për shtyp, Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, ka treguar shkurtimisht për trajnerin e ri, duke e veçuar Iulianin si më simpatikun nga trajnerët e tjerë italianë që kanë drejtuar Partizanin. “Ne po investojmë në klub dhe gjithçka e ka marrë në dorë Moxhi, që së fundi na ka sjellë një trajner të ri, Mark Iulianon. Shpresoj që ky të jetë viti i sukseseve dhe të mos renditemi më të dytët e të tretët, ndërsa Iuliano s’ka nevojë për prezantim, të gjithë e njihni. Rëndësi ka se a e ka marrë seriozisht këtë detyrë. Zhgënjimet janë gjithmonë të pranishme në jetë, por nuk kam dëshirë të kthehem pas. Nuk ka rëndësi nëse është këtu sot Starova, apo jo, ai është në staf. Ndërsa Iuliano, është më simpatik se gjithë të tjerët që e kanë drejtuar Partizanin”.
CV
Mark Iuliano
Datëlindja: 12 gusht 1973/ Vendlindja: Kozenca, Itali
Sporti që ka ushtruar: Futboll/ Roli në fushën e lojës: Mbrojtës
Gjatësia trupore: 1.87 m
Karriera si lojtar: 1990-1996 Salernitana, 1992-1993 huazuar te Bolonja, 1993-1994 huazuar te Monza, 1996-2005 te Juventus, 2005-2006 te Real Majorka, Spanjë, 2006 Sampdoria, 2006-2007 te Mesina, 2008 te Ravena, 2010-2012 te San Genesio
Me Kombëtaren e Italisë: Në periudhën 1998-2003, luajtur në 19 ndeshja, ka shënuar 1 gol
Karriera si trajner: Në sezonet 2012-2014, zëvendëstrajner te Pavia, Lega Pro-Grupi A, 
2014-2015 te Latina në Primavera, 2017 te Komo në Lega Pro, 2017- te Partizani, Kategoria Superiore në Shqipëri
Sigal