Luan Deliu: Humbja e Skënderbeut, nuk e zbeh si superior, skuadrat e tjera bëjnë-vetëm zhurmë

660
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Për 14 javët e luajtura në Kategorinë Superiore, flet për “Telegraf”, ish futbollisti i Elbasanit dhe i Kombëtares
Në këndvështrimin tuaj, si e shikoni ecurinë e 14 javëve të luajtura në Kategorinë Superiore?
Në fakt, edhe pse kjo quhet Kategori Superiore, atë e përfaqëson në këto nivele vetëm skuadra e Skënderbeut. Si specialist futbolli, më pëlqen shumë kjo skuadër, e cila sot për sot në këtë kategori bën diferencën, në menaxhim e në lojë.

Po skuadrat e tjera, sa përfaqësuese i quani në këtë kategori?
Ndoshta do t’ju duket pak skeptike deklarata ime, por unë duke e përjashtuar Skënderbeun, dhe shumë pak Partizanin për çka ju përmenda më sipër, skuadrat e tjera më shumë bëjnë zhurmë në këtë kategori, se sa janë profesionalisht të orientuara nga progresi.

Jeni skeptik, mosbesues apo kritik në këtë ide?
Absolutisht që unë po unë tregohem realist në këtë deklarim. Sepse ekipe me përvojë 5 apo 6 vjeçare në Superiore arrijnë të marrin trofe, ndërsa janë larg këtij niveli skuadra si Tirana dhe Elbasani. Çfarë niveli kanë këto skuadra, kur tradita është “zhytur” në nivelet inferiore?

Gjithsesi, janë skuadra që kanë luajtur edhe në Evropë?
Po, kanë luajtur, por ato nuk kanë futbollin që e kërkon kjo kategori, sepse nuk përgatisin futbollistë. Ato i marrin të gatshëm nga skuadra të tjera, për një apo dy vjet, dhe kaq është futbolli i tyre. Kështu ka ndodhur me Kukësin, po ndodh me Kamzën e ndonjë skuadër tjetër.

Të shtunën dhe të dielën u luajtën ndeshjet e javës së 14-të, si i përshkruani rezultatet?
Kanë qenë rezultate sa të bukura, aq edhe të papritura. Kanë humbur tre kryesueset, por humbja e Skënderbeut nuk i zbeh atij vlerat, sepse e quaj më superior nga skuadrat e tjera, të cilat bëjnë vetëm zhurmë. Ndërsa humbja e Kukësit nuk më jep ndonjë ndjesi të veçantë, sepse Lushnja ka përmirësim në lojën e saj.

Cilën mendoni se ishte ndeshja me rezultatin më të papritur, dhe cilën me rezultatin logjik?
Të papritura janë humbjet e Skënderbeut, Kukësit e Kamzës. Ndërsa Partizani këmbënguli shumë për ndryshimin e rezultatit dhe e vlerësoj si një nga ndeshjet më të mira të javës, së bashku me Flamurtari-Vllaznia 2-0.

Për rreth dy javë, kategoritë e tjera u shtynë kampionatet për shkak të motit me reshje, sipas jush, ishte e drejtë kjo?
Futbolli që ndalon nga moti, tregon nivelin e dobët të infrastrukturës. Te ne ka skuadra që vazhdojnë të luajnë në fusha e stadiume të 50 viteve më parë, dhe me e veçantë është se nuk kanë vënë dorë fare për rregullimin e tyre. Ndaj dhe i tremben motit me reshje.

Nëse moti do të ishte kapriçioz në këtë dimër, mendoni të kemi situata të tjera shtyrjeje?
Gjithçka mund të ndodhë për arsyen që ju përmenda më sipër, por unë mendoj se shtyrjet nuk duhet të jenë me afate të gjata javore. Të shtysh një ndeshje për disa orë, apo për një ose dy ditë, kjo mbetet brenda normalitetit, ndërsa kur e shtyn kampionatin dy javë, ka humbur ritmika e tij, ka humbur kureshtja për ta ndjekur.

Diçka më shumë për këtë deklarim, çfarë do të shtonit?
Asgjë më shumë se sa fjala “investim”. Duhen investime në infrastrukturë, sepse futbollistët sot nuk janë ata të shekullit të kaluar. Sot, sikundër edhe sportet e tjera, edhe futbolli është në progresi në lojë nuk vjen pa progresin në infratsrukturë.
Në javën e 14-të kanë humbur tre kryesueset, por humbja e Skënderbeut nuk ia zbeh atij vlerat, sepse e quaj më superior nga skuadrat e tjera, të cilat bëjnë vetëm zhurmë. Ndërsa humbja e Kukësit nuk më jep ndonjë ndjesi të veçantë, sepse Lushnja ka përmirësim në lojën e saj
Elbasani duhet të ndryshojë, më keq nuk ka ku të shkojë
Si ish-futbollist i Labinotit (sot Elbasani), ish-qendërmbrojtësi Luan Deliu tregon keqardhje, pasi skuadra luan në Kategorinë e Dytë. Sipas tij, duhet të ndryshojë, sepse më keq nuk ka ku të shkojë. “Jo se unë jam pjesë e skuadrës së Elbasanit me zemër, por se me shpirt dhe si specialist futbolli, dëshiroj që kjo skuadër të ndryshojë për mirë sa më parë. Më keq nuk ka ku të shkojë, një skuadër e cila ka dalë Kampione në Elitë, ka fituar tituj e trofe, ka luajtur në Evropë dhe sot luan në kategori inferiore. Sot te Elbasani luajnë futbollistë të panjohur në vlera dhe në emra, dhe për çka ata japin, skuadra të bën skeptik, nuk të jep optimizëm”.
Rezultatet-Java e 14-të
Të shtunën, 9 dhjetor 2017 
Kukësi-Lushnja 1-3
Flamurtari-Vllaznia 2-0
Dje, 10 dhjetor 2017 
Laçi-Skënderbeu 1-0
Kamza-Luftëtari 0-1
Partizani-Teuta 1-1
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 14 31
2. Flamurtari 14 25
3. Kamza 14 23
4. Kukësi 14 22
5. Laçi 14 21
6. Partizani 14 21
7. Teuta 14 15
8. Luftëtari 14 13
9. Vllaznia 14 12
10. Lushnja 14 8
Sigal