Ledio Pano: “Partizani i mungoi Superligës”

953
Sigal

Ish-lojtari i të kuqve dhe i Kombëtares: “De Biazi ka bërë një grup të bukur, fitojmë me Norvegjinë”

 Ledio Pano është një nga ish-lojtarët të njohur në Shqipëri. Ka luajtur me Partizanin dhe ka fituar trofe me skuadrën e kuqe, ashtu siç fitoi edhe të drejtën për të qenë futbollist i Kombëtares, me të cilën zhvilloi 11 ndeshje. Djali i legjendës Panajot Pano, i vlerësuar si futbollisti më i madh që ka nxjerrë Shqipëria, analizon për gazetën “Telegraf” sezonin e Kategorisë Superiore dhe të Parë, flet për kënaqësinë që ka ndjerë për rikthimin në Superligë, por dhe për sfidën e ardhshme të Kombëtares, ajo me Norvegjinë. Ledio fitoi kampionatin me Partizanin në sezonin 1986-1987, fitoi Kupën e Shqipërisë në vitin 1988, sërish fitoi një Kupë në vitin 1992.

  – Ledio Pano, me ndeshjet e javës së 26-të do të mbyllet edhe Kampionati i 74-t Kombëtar i futbollit. Si e vlerëson këtë sezon?

– Është një kampionat i bukur. Skënderbeu tregoi qysh në fazën e parë se, ishte ekipi më i fuqishëm i këtij kampionati. Klubet e tjera shfaqën probleme.

– Kukësi në vend të dytë, një pozicion që askush nuk do ta mendonte në fillimi i sezonit. Gjykimi juaj?

Dua të them një ‘bravo’ të fortë për Kukësin. Askush nuk e priste një rrugëtim të atillë në kampionat. Mendoj se ishte surpriza e këtij edicioni. I uroj suksese nga trajneri, lojtarëve dhe deri te presidenca.

– Teuta edhe këtë sezon bëri një figurë shumë të mirë…

– Teuta ka vite që është një nga tre ekipet më të mira të vendit. Tregon qëndrueshmëri me lojtarë të rinj. Mendoj se, Teuta është më në rrugë të mbarë se ekipet e tjera. E ruan boshtin. Është në mentalitetin e presidencës durrsake, të krijojë grupin dhe jo ekipin siç bëjnë skuadrat e tjera me shpenzime marramendëse.

– Flamurtari, Tirana dhe Vllanzia dështuan si në kampionat ashtu dhe në Kupën e Shqipërisë. Cilat mund të jenë arsyet?

– Dështimi i Flamurtarit pati një kosto financiare dhe morale. Shpenzoi gati 1 milion euro dhe nuk hyri në kupat e Europës. Ka diçka që s’shkon atje. Besoj se, është çështje mentaliteti dhe menaxhimi. Te administrimi i klubit, pasi presidenti Gjika ka treguar se është një dashamirës i madh dhe investues i madh. E shoh problemin brenda klubit.

– Në Kategorinë e Parë, Lushnja dhe Partizani e kanë siguruar ngjitjen në Superligë…

– Lushnja bëri një sezon të mirë dhe e meritoi titullin kampion. U kënaqëm të gjithë që, Partizani u rikthye në Superligë, atje dhe ku e meriton. Mendoj se, tani duhen bërë ndryshime thelbësore në skuadër, pasi Partizanit i duhet të përballojë një kampionat me 12 ekipe, por që në fund të sezonit do të dalin katër skuadra. Pra, e pret një kampionat aspak i lehtë. Duhet të investojë në lojtarë. Emrin e ka të madh, por duhet të krijojë grupin.

Si e shikoni luftën e skuadrave për mbijetesë?

– Shumë të komplikuar. Vështirë ta parashikosh se kush do të dalë. Mendoj se, te ne e marrin rënien nga kategoria si gjënë më të keqe që u ka ndodhur dhe nisin me prishjen e skuadrës. Sigurisht, kur bie nga kategoria është e madhe, por kjo do të thotë se duhet të nxjerrës mësim. E keqja tek ne është se, nuk nxjerrim mësime pse biem nga kategoria. Kam parë ekipe që, luajnë sa për të luajtur dhe jo për të treguar futboll.

– Shqipëria do të luajë, më 7 qershor kundër Norvegjisë, një ndeshje shumë e rëndësishme. Si e parashikoni?

– Kombëtarja ka bërë një punë shumë të mirë, duke filluar me trajnerin, lojtarët e deri te Federata Shqiptare e Futbollit. Është në një rrugë të mbarë. Kam bindjen se, Shqipëria do të fitojë me Norvegjinë, pasi kemi kualitetet dhe grup lojtarësh. Nuk duhet të na iki ky moment.

– Tri fitore dhe dy humbje në pesë ndeshjet e para…

– E rëndësishme për mua është fakti se, ne po krijojmë një grup shumë të mirë, me lojtarë që luajnë në Europë.

– Ledio, ju keni qene lojtar i ekipit Kombëtar, kë kujton nga ndeshjet e tua?

– Kam luajtur shtatë ndeshje zyrtare me përfaqësuesen, kundër Uellsit (2 herë), Bullgarisë, Polonisë, Moldavisë, Austrisë dhe Gjermanisë, në periudhën 1987-1996 si dhe katër miqësore, pra 11 ndeshje. Ndeshjen më emocionuese time kujton ndeshjen me Gjermaninë, ku humbëm 2-1, në nëntor të 1994-s ku unë në minutën e fundit godita shtyllën me një goditje dënimi. Të gjithë kujtuan se vajti gol! Me Partizanin kam luajtur disa ndeshje ndërkombëtare.

– Karriera në Greqi ka qenë shumë e gjatë. Na tregoni më shumë?

– Ishte koha kur të gjithë lojtarët kryesore iknin nga Shqipëria. Të gjitha atë që kanë luajtur në Greqi kanë qenë shumë të mirë.

Skuadra ime kryesore ka qenë Ksoda Ksanthi në kategorinë e parë. Me Elefsinën dolëm kampion në vitin 1997 dolëm kampion në kategorinë e dytë. Kam luajtur në Korfuz dhe te Pas Janina.

 Teknika e goditjeve

Ledio Pano kishte një goditje standarde “vdekjeprurëse”. “Teknikën e goditjeve e kam mësuar nga babai. Ai më dha mësimet e para. Më pas, jam ushtruar fort gjatë stërvitjeve, plus një dhuntie që ma kishte dhënë Zoti’.

“Shteti po e harron Panajot Panon”

 Ledio Pano është djali i legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano, i vlerësuar si “Lojtari i Artë Shqiptar” nga FIFA. Panot, babë e bir, kanë qenë që të dy lojtarë të Partizanit dhe të ekipit Kombëtar, një rast i rrallë. Por, si ka qenë marrëdhëniet midis tyre? Ledio: “Historia ka treguar se, këto janë raste të rralla. Për më tepër, që si babi dhe unë, kemi luajtur për një ekip, Partizanin dhe Kombëtaren. Ndryshimi im me babin ishte se, ai nuk luajti jashtë, kjo për shkak të kufizimeve të asaj kohe. Vetë koha ka treguar se ai ka mbetur lojtari më i madh i Shqipërisë, idhulli i shumë lojtarëve dhe tifozëve të Partizanit dhe Shqipërisë”. Për Jotin janë shkruar shumë libra, janë bërë mijëra artikuj gazetash dhe janë xhiruar dy dokumentarë. “Ka fragmente ndeshjesh, zhvillohen Kupa në nderim të tij. Por, personalisht do të doja që Panajot Pano të kujtohej nga instanca më të larta, pasi të gjitha këto janë bërë në bazë të miqësisë, nga familja apo miq të babit. Ndihmesë nuk ka pasur nga Ministria e Sporteve apo nga Federata e Futbollit. Ai është një idhull, një emblemë e futbollit shqiptar dhe ai duhet kujtuar pavarësisht kohës që kalon”, – tha Ledio. “Pano Junior” shtron edhe një shqetësim të tij: “Kur ai u nda nga jeta, u fol shumë që stadiumit do t’i vendosej emri ‘Panajot Pano’, por tani sikur e kanë lënë në heshtje dhe e kanë kthyer, si nga Federata ashtu dhe nga Kryeministri ynë i nderuar. Megjithatë, unë nuk pres shumë nga ata, pasi gjërat ata bëjnë lënë për të dëshiruar. Emrin i Panajot Panos është shumë i madh, as me vënien apo mosvënien e emirit stadiumit. Emri ‘Kuq e Zi” është një simbol i flamurit, por nuk besoj se ai i shkon një stadiumi”.

 Lule dhe lot pa fund në lamtumirën e Jotit

 Panajot Pano e la futbollin në vitin 1975, pasi luajti plot 16 kampionate me Partizanin dhe 24 ndeshje me Kombëtaren. Fitoi midis të tjerave, katër kampionate dhe pesë Kupa të Shqipërisë, si dhe një Kupë Ballkanike. Ledio kujton ndeshjen e fundit të Panajotit: “Unë isha me mamin, dajon dhe njerëz të tjerë të familjes në tribunën e nderit, duke parë ndeshjen pasi e dinim se babi do të linte futbollin. Në fakt, unë s’kuptoja shumë pasi ishe 6-7 vjeç. Nuk e kuptoja sa i madh ishte babai im. Kur ai bëri xhiron e nderit, në një derbi Partizani-Tirana dhe në një stadium të tejmbushur, zbrita në pistë dhe po mblidhja lulet që hidhnin tifozët dhe babait i binin nga dora. Ai nuk e dinte që, unë isha pas tij dhe kur më pa u befasua”. Pano ndërroi jetë në janar të vitit 1970, në moshën 70-vjeçare.

Për herë të parë kuqezinjtë renditen në vendin e 43-të në planet, lëmë pas shumë emra të mëdhenj

  Shqipëria, rekord historik në FIFA

  Super rekord në FIFA! Superkuqezinj para Norvegjisë! “Vendi i 43-të në renditjen e FIFA! Forca Shqipëria!” Mesazhi është i Xhani De Biazit, trajnerit të Kombëtares shqiptare, vetëm disa minuta pas publikimit të renditjes nga qeveria e futbollit botëror.

Një tjetër rekord i vendosur nga italiani dhe kuqezinjtë, që tani e shohin veten në muajin maj, të pozicionuar në vendin e 43-të në botë, pesë vende më lart se në muajin prill, atëherë të 48-tët.

Dhe mendoni, në janar të këtij viti ndodheshim në vendin e 63-të, pra në harkun e pesë muajve kemi ngjitur 20 vende në arenën botërore. Gjithsesi, renditja e muajit maj është më tepër efekt statistikor, pasi janë luajtur vetëm 7 ndeshje.

E BUJSHME

Kombëtarja jonë shkroi një tjetër faqe të bujshme në “librin e statistikave”, pasi vendi i 43-të është pozicioni më i mirë historik i Shqipërisë, në një listë ku përfshihen 209 ekipe përfaqësuese nga i gjithë planeti. Kur shikon se cilët vende kemi lënë pas në renditjen e muajit maj, ia vlen të themi “O sa mirë me qenë futbollist shqiptar!” Turqia renditet e 45-ta (vendi i tretë në Botërorin 2002); Bullgaria e 52-ta (vendi i tretë në Botërorin 1994); Sllovakia (finaliste në Botërorin 2010); Polonia e 63-ta (vendi i tretë në Botërorin 1974); Austria e 71-ta (vendi i tretë në Botërorin 1954). Kur u ndeshëm me Iranin në maj të vitit të kaluar (2012), dhe fituam 1-0, atëherë të gjithë thamë se fituam ndaj skuadrës së 52-të në botë, pasi Shqipëria ishte në vendin e 84-t. Tabloja në maj 2013 është tërësisht e përmbysur: Shqipëria në vend të 43-të (+41 vende), ndërsa Irani në vendin e 57-të (-5 vende).

KUNDËRSHTARËT

Vetëm Zvicra (e 14-ta, + 1 vend) dhe Norvegjia (e 31-ta, – 1 vend) janë më mirë se Shqipëria në renditjen specifike brenda grupit E të kualifikueseve të Botërorit 2014. Tre kundërshtarët e tjerë janë poshtë kuqezinjve tanë: Sllovenia, në vendin e 55-të; Islanda, në vendin e 73-të dhe Qipron, në vendin e 123-të. Të tria këto kombëtare kanë qëndruar në vend-numëro, pa lëvizur asnjë pozicion në renditjet mujore të prillit dhe majit 2013.

Ndeshja më e afërt e Shqipërisë është ajo e 7 qershorit ndaj Norvegjisë në “Qemal Stafa”. Në “Uleval” të Oslos fituam 1-0 me eurogolin e Hamdi Salihit, që na çoi në vendin e dytë në grupin tonë, me 9 pikë, po aq sa Islanda. Kundër norvegjezëve do të luajmë shanset për të siguruar një vend në “play-off”, pasi për momentin Zvicra ka dy pikë më shumë, kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje. Për fat të mirë, me Zvicrën do të luajmë në Shqipëri, por jashtë kemi Slloveninë, Islandën dhe Qipron.

 ZONA UEFA

Edhe në renditjen kontinentale, pra të UEFA-s, Shqipëria është ngjitur një vend, 24, pas Serbisë e 23-ta dhe para Turqisë, e 25-ta, me turqit kemi ndërruar vendet e muajit prill. Kombëtarja jonë lë pas vendet 25-53: Turqinë, Uellsin, Bullgarinë, Sllovakinë, Slloveninë, Izraelin, Poloninë, Bjellorusinë, Austrinë, Skocinë, Finlandnë, Maqedoninë, Armeninë, Estoninë, Gjeorgjinë, Letoninë, Lituaninë, Irlandën e Veriut, Azerbajxhanin, Qipron, Moldavinë, Kazakistanin, Lihteshtejnin, Luksemburgun, Maltën, Ishujt Faroe, San Marinon. Duhet pranuar se, Shqipëria ende nuk është një fuqi ballkanike në futboll, kjo në rang Kombëtaresh. Nëse do të shikonim statistikat, kemi këto pozicionime: Kroacia (e 4-ta), Greqia (13), Bosnja-Hercegovina (21), Mali i Zi (27), Rumania (34), Serbia (40), Shqipëria (43), Turqia (44), Bullgaria (52) dhe Sllovenia (55).