Ledio Pano: “Futbolli shqiptar është në rënie!”

1040
Sigal

Ish-lojtari i Partizanit: “Duhet të mendojmë për krijimin e akademive pranë çdo klubi”

 Ledio Pano është një nga ish-lojtarët më të njohur në Shqipëri. Ka luajtur me Partizanin dhe ka fituar trofe me skuadrën e kuqe, ashtu siç fitoi edhe të drejtën për të qenë futbollist i Kombëtares, me të cilën zhvilloi 11 ndeshje. Djali i legjendës Panajot Pano, i vlerësuar si futbollisti më i madh që ka nxjerrë Shqipëria, analizon për gazetën “Telegraf” sezonin e deritanishëm të Kategorisë Superiore si dhe parashikimet për fazën e dytë. Ledio fitoi kampionatin me Partizanin në sezonin 1986-1987, fitoi Kupën e Shqipërisë në vitin 1988, sërish fitoi një Kupë në vitin 1992.

 – Ledio, futbolli shqiptar është duke zhvilluar përgatitjet dimërore pas përfundimit të 16 javëve të para. Duke e parë atë me syrin e një specialisti, çfarë ofroi ai?

– Duke i bërë një analizë të përgjithshëm pjesës së parë të sezonit, jam i mendimit se nuk na ofroi atë që të gjithë specialistët dhe sportdashësit prisnin prej tij. Sigurisht që, futbolli shqiptar ka rënie. Duke parë ndeshjet, mendoj se, futbollistët shqiptarë nuk janë të përgatitur në atë në nivel që duhet, për të luajtur një futboll cilësor. Kemi parë ndeshje shumë të dobëta, me ritëm të ulët, e me futbollistë që duken sikur shëtisin në fushë. I kam parë thuajse të gjitha ekipet, pasi i kam ndjekur të gjitha ndeshjet e Partizanit. Niveli i futbollit tonë lë për të dëshiruar.

– Ekipet kanë një ngjeshje në renditje, me diferenca të vogla pikësh. Sipas jush, a mund ta marrim këtë tregues për më shumë cilësi?

– Aspak. Niveli i futbollit është shumë i dobët, ndërsa përgatitja atletike e lojtarëve e pamjaftueshme. Duke i parë të gjithë komponentët teknikë, taktikë e fizikë, niveli i futbollit tonë nuk reflekton cilësi. Shumë pak futbollistë cilësore kemi parë, me përjashtim të disa futbollistëve të Skënderbeut.

– Kemi një dominim të gjatë të Skënderbeut, tri here rresht kampion. Në këtë sezon ka krijuar një diferencë të qartë prej shtarë pikësh nga Partizani i vendit të dytë. A luajnë rol financat?

– Pa asnjë dyshim. Skënderbeu, në katër sezonet e fundit ka treguar një stabilitet në anën financiare, si me ish-presidentin Agim Zeqo (fitoi dy tituj kampionë), ashtu edhe me presidentin aktual, Artan Takja (një titull). Ka një grup shumë të mirë lojtarësh, të gjithë komponentët që e bëjnë një klub të mirë i ka ta garantuara. Organizimi i klubit është i njëllojtë me ata europianë. Kalimi një turi në Ligën e Kampioneve dhe arritja në turin e tretë të Ligës së Europës e tregoi këtë. Prandaj edhe Skënderbeu bën diferencën me ekipet e tjera shqiptare, pasi i ka gjithçka në rregull, si nga ana e ambienteve, stadiumit, infrastrukturës, financat, grupin e lojtarëve, të cilët luajnë prej katër-pesë vjetësh bashkë. Në këtë edicion edhe Partizani posedon financat e duhura për të bërë një ekip të mirë. Ekipet e tjera, më shumë pak ndryshime kanë treguar që kanë probleme nga ana organizative, por dhe në respektimin e kontratave.

– Tirana mund të konsiderohet edhe surpriza negative e këtij edicioni. Klubi me më shumë trofe në vend rrezikon të bjerë nga Kategoria Superiore. Sipas jush, cilat mund të jenë arsyet?

– Pavarësisht se unë kam qenë një ish-lojtar i Partizanit dhe jam tifoz i përjetshëm i tij dhe dëshira ime është që Partizani të jetë sa më lart dhe të jetë kampion, më vjen keq për situatën në të cilën ndodhet Tirana, pasi është një histori në futbollin shqiptar. Nuk duhet të jetë në ato nivele në të cilat ndodhet aktualisht. E theksova edhe më lart, që një klub të ecë përpara duhet të ketë financat e shëndosha. Tirana e filloi me probleme, qysh në fazën përgatitore, ku ish-trajneri i atëhershëm Nevil Dede disa herë ngriti shqetësimin për aspektin financiar. Bashkia u tregua indiferente, ndërkohë që munguan edhe donatorët për të ofruar para për të realizuar merkaton. Ajo gjendje reflektoi më pas edhe në ecurinë e Tiranës në kampionat, pavarësisht grupit të lojtarëve nuk duhet të ishte në atë vend. Unë besoj se, Tirana po vuan një ngërç psikologjik në të gjithë klubin, duke futur këtu drejtuesit, trajnerët e lojtarët, apo dhe tifozët kanë një psikologji më të rënduar.

– Ledio, shumë nga ekipet shqiptare po i kryejnë fazat dimërore jashtë shtetit, madje në vende me futboll të zhvilluar. Sa u shërben skuadrave tona?

– Po, është e vërtetë. Në dijeninë time, Skënderbeu ndodhet në Portugali; Laçi ka zgjedhur Spanjën, ndërsa në Turqi janë Partizani, Kukësi, Teuta e Flamurtari. Është një gjë shumë e mirë, pasi jo vetëm që stërviten në vende me futboll cilësor, por kanë mundësinë edhe të luajnë ndeshje të shumta ndërkombëtare, çka u jep më shumë përvojë. Kështu rritet dhe niveli i skuadrave.

– Më 2 shkurt fillon faza e dytë, teksa kanë mbetur edhe 17 javë për t’u luajtur. Si e parashikoni, kur nga Kategoria Superiore do të dalin katër skuadra?

– Në fakt, shumë pak ekipe po përforcohen, kjo dhe në varësi të financave që ata kanë. Me përforcimet që, po bëjnë skuadrat besoj se faza e dytë do të jetë më e ashpër, kjo dhe për shkak të skemës me katër skuadra që bien direkt, por dhe për shkak të diferencës së vogël që i ndajnë ekipet midis tyre.

– Ledio, tre ekipet e kryeqytetit, Partizani, Tirana e Dinamo kanë forma të ndryshme organizimi: Partizani është shoqëri aksionare private; Tirana, shoqërie aksionare nën varësinë dhe administrimin e Bashkisë, ndërsa Dinamo është shoqatë. Cila do të ishte forma më e mirë, për organizimin e një klubi sipas jush?

– Unë mendoj se, për organizimin e klubeve në vendin tonë, duhet të marrim nga përvoja europiane. Problemi në Shqipëri është te themelet e një klubi. Puna jonë duhet të nisë seriozisht me akademitë. Nuk duhet të shohim vetëm ekipin e parë. Ne jemi mësuar që, fitoret t’i kemi sot me nesër. Futbolli ka treguar që, duke pasur një akademi të shëndoshë, atëherë në të ardhmen do të kemi një klub të shëndoshë. Por, akademia kërkon një kohë të caktuar, për të nxjerrë produktet e saj, E gjitha bota kështu punon. Kemi parë që në ndeshje po futen ekipet U-17, U-19, madje tani kemi dhe një Ligë Kampionesh për të rinjtë. Ky është një zhvillim.

– Çfarë na pengon edhe ne ta realizojmë?

– Problemi ynë ka të bëjë me mungesën e fushave. Është një problem shumë i madh. Sado që ne të mundohemi, që niveli i ekipeve të para të rritet, po nuk investuam në ndërtimin e fushave dhe të infrastrukturës së nevojshme. Çdo ekip të ekip duhet të krijojë komplekset e tyre stërvitore, që lojtarët e rinj të kenë mundësinë të shohin futbollistët e ekipi të bëhen si ata.

– Shumë talente të rinj shqiptarë po shohim në Europë…

– Kemi hyrë tani në vitin e 24-t, qysh kur shqiptarët nisën të emigrojnë në Europë. Pjesa më e madhe e lojtarëve të rinj të talentuar janë lindur, rritur e formuar jashtë. Janë mësuar me tjetër regjim, më të disiplinuar, në ekipe më të mira se tonat. Është e rëndësishme që, ne të dimë të mbledhim talentet tona atje ku janë. Sa për ilustrim, Adnan Januzaj është një lojtar shumë i mirë dhe po bën një figurë të mirë të Mançester Junaitid. Po, rritet atje. Nuk besoj se, ai do të vijë tek ne, pasi janë një sërë faktorësh që e rrethojnë atë. E rëndësishme për ne, është të mbledhim sa më shumë lojtarë të rinj e të talentuar.

– FIFA lejoi zyrtarisht Kosovën, që të luajë ndeshje ndërkombëtare. Në këndvështrimin tuaj, sa e rrezikuar është Shqipëria nga një largim i mundshëm i lojtarëve kosovarë që ajo ka?

– Nuk besoj se, ka ardhur momenti që futbollistët kosovarë që luajnë për Kombëtaren shqiptare të largohen e të duan të shkojnë në Kosovë. Tani, për tani nuk është momenti. Ndoshta në një të ardhme, po, por pasi Kosova të pranohet në institucionet ndërkombëtare. Aktualisht, lojtarët si Lorik Cana e ndonjë tjetër kanë investuar dhe janë rritur në ekipin shqiptar.

– Kristiano Ronaldo fitoi “Topin e Artë”. A e meritonte ai?

– Personalisht, pëlqej dy lojtarë në botë, Lionel Mesin dhe Kristiano Ronaldon, janë një tjetër klas me të tjerët. Lionel Mesi qëndroi gati dy muaj jashtë fushave, dhe sipas mendimit tim, nëse ai do të luante, do të ishte kandidati kryesor për ta fituar atë. Gjithsesi, në këtë moment, Ronaldoja e meritonte. Ka bërë një kampionat shumë të mirë dhe ka shënuar një pafundësi golash. Ka bërë një sezon fantastik. Riberi, edhe pse mori me Bajernin pesë trofe, përfshirë Ligën e Kampioneve, nuk është në klasin e Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos.

 Kur Gjermanisë i goditi shtyllën në minutën e fundit

 Ledio Pano ka qenë lojtar i ekipit Kombëtar. Ai ka luajtur shtatë ndeshje zyrtare me përfaqësuesen, kundër Uellsit (2 herë), Bullgarisë, Polonisë, Moldavisë, Austrisë dhe Gjermanisë, në periudhën 1987-1996 si dhe katër miqësore, pra 11 ndeshje. “Ndeshjen më emocionuese time kujton ndeshjen me Gjermaninë, ku humbëm 2-1, në nëntor të 1994-s ku unë në minutën e fundit godita shtyllën me një goditje dënimi. Të gjithë kujtuan se vajti gol! Me Partizanin kam luajtur disa ndeshje ndërkombëtare”, – tha ai për gazetën. Karriera e tij nga Partizani vazhdoi në Greqi “Ishte koha kur të gjithë lojtarët kryesore iknin nga Shqipëria. Të gjitha atë që kanë luajtur në Greqi kanë qenë shumë të mirë.

Skuadra ime kryesore ka qenë Ksoda Ksanthi në kategorinë e parë. Me Elefsinën dolëm kampion në vitin 1997 dolëm kampion në kategorinë e dytë. Kam luajtur në Korfuz dhe te Pas JaninaÄ, – tregon ai. Ledio Pano kishte një goditje standarde “vdekjeprurëse”. “Teknikën e goditjeve e kam mësuar nga babai. Ai më dha mësimet e para. Më pas, jam ushtruar fort gjatë stërvitjeve, plus një dhuntie që ma kishte dhënë Zoti’.

KATEGORIA SUPERIORE

Java XVII

1 shkurt 2014

Besa-Laçi

Bylis-Flamurtari

Partizani-Kukësi

Kastrioti-Tirana

Teuta-Lushnja

Skënderbeu-Vllaznia

RENDITJA

1     Skënderbeu         16   +12 33

2     Partizani             16   +3   26

3     Kukësi         16   +1   25

4     Laçi                     16   +3   25

5     Flamurtari           16   +4   24

6     Teuta                  16   +0   24

7     Besa                    16   -3    21

8     Vllaznia       16   +1   21

9     Bylis                   16   +2   21

10   Lushnja        16   -6    18

11   Kastrioti             16   -6    16

12   Tirana          16   -11  12