Largimi i Messi-t mund “t’i kushtojë” Barçës 137 mln euro

325
Sigal

Në fund, ndodhi. Për herë të parë pas 17 vitesh, Spanja nuk do të jetë më shtëpia e Lionel Messi. Lojtari argjentinas nënshkroi sot një kontratë dyvjeçare me klubin e Paris Saint-Germain. Sipas Bloomberg Business, Messi do të fitojë 41 milionë dollarë në vit, me mundësi rinovimi të kontratës për një sezon të tretë për të njëjtën shifër.

Largimi i Messi-t nga Barcelona shënon fundin e një ere. Messi është futbollisti i dytë në botë i cili ka fituar më shumë se 1 miliard dollarë, pas rivalit të tij Cristiano Ronaldo, dhe konsiderohet një nga lojtarët më të mëdhenj që luan ende. 34-vjeçari ka luajtur 778 ndeshje, shënuar 672 gola dhe dhënë 268 asiste me klubin e Barcelonës. Ka fituar 35 tituj dhe 78 çmime individuale, duke përfshirë edhe 6 “Topa të Artë”.

Sipas vlerësimeve të Forbes, Messi ka fituar gjatë karrierës më shumë se 1.2 miliardë dollarë (bruto), nga të cilat 875 milionë për paraqitjet në fushë dhe 375 milionë nga marrëveshjet sponsorizuese. Këtë vit, Messi ishte futbollisti më i paguar në botë, me 130 milionë dollarë (97 mln nga paga dhe 33 ml nga marrëveshjet sponsorizuese me marka si Adidas, Anheuser Busch InBev, Gatorade, Hard Rock Cafe Inc., Jacob & Co, Ooredoo e Pepsi. Shifra mund të ishte edhe më e lartë. Forbes llogarit se Messi nga humbur nga 25 deri në 75 milionë, duke përfshirë pagën dhe bonuset, për shkak të pandemisë në dy sezonet e fundit.

Arritja e marrëveshjes mes lojtarit argjentinas dhe klubit francez do të konsolidojë statusin e superfuqisë të futbollit europian të PSG, ku luajnë yje si Neymar dhe Kylian Mbappé. Dy futbollistët shfaqen në klasifikimin e fundit të Forbes të sportistëve më të paguar në botë, përkatësisht në vendin e 6 dhe 31 (me 95 dhe 40 milionë dollarë). Me Messi-n, Paris Saint-Germain do të ketë në skuadër tre nga katër futbollistët më të paguar në botë.

Largimi i Messi-t, sipas një analize të Brand Finance, mund t’i kushtojë Barcelonës deri në 137 milionë euro në vlerë të markës. Sipas vlerësimit të fundit të 2021, vlera e klubit ishte 1.266 milionë euro, por kjo shifër mund të ulet me 11% pa “Pleshtin”.

Barça aktualisht është marka e dytë me vlerën më të lartë në botë në mesin e klubeve të futbollit, sipas raportit të Brand Finance Football 50 në vitin 2021. Me vlerë 1.266 milionë euro, klubi renditet i dyti për vlerën e markës, pas rivalëve historikë të Ral Madrid, me 1.276 milionë euro.
Largimi i Messi-t – shpjegon Brand Finance – pritet të ketë efekte të drejtpërdrejta negative te të ardhurat e ardhshme nga sponsorizimet, te të ardhurat komerciale dhe të ardhurat nga stadiumi të Barcelonës. Kjo do të ndikonte në mënyrë indirekte në një rënie të vlerës së markës, pasi fuqia e markës së Barcelonës mund të dobësohet me zbehjen e perceptimeve të tifozëve.

Duke analizuar rolin e Messi-t në gjenerimin e të ardhurave të klubit në aspekte të ndryshme, Brand Finance vlerëson se largimi i tij mund të sjellë një rënie 11% në vlerën e markës së klubit.

Në terma absolutë, shoqëria mund të humbasë 137 milionë euro në vlerësim, duke humbur çdo mundësi për të kapërcyer Real Madrid. Nëse me largimin e Messi-t, klubi do të zbriste poshtë 1.129 milionë euro, Barcelona mund të humbasë edhe vendin e dytë në klasifikimin e klubeve më të kushtueshme në botë dhe vendin t’ia zërë Manchester Unitet (1.130 milionë euro)