Laçi mposht thellë Bylisin në Ballsh dhe blindon vendin e tretë

244
Sigal

Laçi fiton thellë 0-3 me Bylisin në “Adush Muça” dhe blindon vendin e tretë në renditjen e Superligës, kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi. Skuadra kurbinase në njëfarë mënyrë merr hak edhe për eliminimin në Kupë nga ballshiotët, të cilëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të synojnë fitoren në ndeshjen e radhës me Luftëtarin, që mund t’u sigurojë qëndrimin matematikisht në Superiore.

Bylisi, në fakt, u dorëzua që në pjesën e parë, teksa u ndëshkua dy herë, nga Nabwueze në minutën e 26-të me 11-metërsh dhe Donald Rapo në minutën e fundit të pjesës së parë.

Vendësit nuk patën forcë për të kthyer rezultatin në pjesën e dytë, madje pësuan edhe golin e 0-3, që u shënua me kokë nga ai që zhbllokoi takimin, Nabwueze, që me këtë dygolësh ngjitet në krye të listës së golashënuesve të Superiores.

Fitorja e Laçit mund të kishte qenë edhe më e thellë nëse Redon Xhixha nuk do të kishte gabuar në shtesë i vetëm përballë Hidit (e dërgoi topin jashtë).