Laçi filloi “shakatë” me dhunën, arbitrat e trajnerët bëjnë “autogola”

454
Sigal

DUKURIA/ Dhuna jashtë fushe, fenomen i gatuar në tavolina. Po trazohen plagë të vjetra

Asnjëherë nuk është vonë dhe asnjëherë nuk del i vonuar po të flasësh për fenomenin e dhunës, Brenda dhe jashtë fushave të futbollit. Pse? Sepse të dielën: “Plasi në Laç” dhe ky ka qënë lajmi i fundjavës futbollistike në Shqipëri, ku topkëmba e Kategorisë Superiore duket se kishte ditën e saj më të keqe në këtë sezon, lidhur me fenomenin e dhunës në futbollin tonë. Në fakt, kështu nuk po i fryjmë kot këtij fenomeni, por se duke referuar një historie aspak pozitive me këtë qytet në aspektin sportiv, nuk mund të themi se thyerja e xhamave të autobuzit të Flamurtarit ka qenë një shaka e një adoleshenti laçian dhe kjo duhet kaluar me një tërheqie veshi apo me një buzëqeshje nën buzë. Jo, sepse të dielën nuk ishte e para herë që ndodhte kështu dhe se kjo ditë më shumë e zhveshi për të disatën herë plagën e vjetër të futbollit tonë, dhunën, e mbi të gjitha atë të “prodhuar në Laç herë pas here. Humbjen në fushën e tyre, dhunuesit ja faturuan autobuzit të skuadrës mike, ndërkohë që mllefi na kishte qenë për gjyqtarin Pashaj, i cili nuk u a kishte plotësuar dot kërkesat në fushën e lojës. Ky ishte një lajm i keq, dhe e gjithë media në përgjithësi, por ajo sportive në veçanti, ditën e hënë duhet të ishin gëdhirë me më shumë goditje ndaj asaj që ndodhi në Laç pas takimit Laçi-Flamurtari 1-2, jo për të goditur skuadrën laçiane e drejtuesit e saj, por për të goditur sa më shumë fenomenin, i cili pas të tilla rasteve, veçanërisht në Laç ka pasur edhe mësymje njerëzish në fushën e lojës. Parë në këtë këndvështrim, është e kuptueshme se politika e FSHF-së të jenë më konkrete, njëherësh edhe duke ju referuar historisë dhunore, qoftë për rastin në Laç, apo kudo ajo ndodh. “Më godit edhe një herë pa do të shohësh”, është kjo një shprehje popullore, e cila në rastin konkret përkthehet realisht për vendimmarrësit ndaj fenomenit të dhunës: Bjeri që të mos i bjerë futbollit! Sepse po të gërmosh në “arkivën” e rasteve të dhunës në futbollin shqiptar, del zbuluar fakti se fjala “dhunë” nuk e ka ditëlindjen e saj në Laç. Qoftë me kaq, por rasti i ditës së dielë duket se po paralajmëron “krruajtjen” e plagës, e cila i qëndron brenda futbollit dhe vetëm rastin prêt që të nxjerrë prej andej qelbin e saj. Pse? Sepse ka nisur faza e dytë dhe për formulën që ka Kategoria Superiore për këtë sezon, do të nxjerrë jashtë plot 4 skuadra që do të renditen në vendet e fundit, ndërsa ka edhe “luftë yjesh” për ato skuadra që janë paksa me para dhe duan të hyjnë në zonën e Evropës. Por, ka edhe një tjetër fakt prej të cilit duhet të rruhet mirë Superiorja nga dhuna, pasi 2013-ta është një vit elektoral dhe politika që e ka nën sqetull këtë sport do të kërkojë t’i realizojë qëllimet e veta edhe nëpërmjet skuadrave të futbollit. Ndërkohë, përpos dukurisë së dhunës, java e 15-të e Kategorisë Superiore pati si ngarkesë negative mbi supet e saj edhe gjykimet e dobëta, por mbi të gjitha kundërshtitë e skuadrave për xhaketat e zeza të kësaj jave. Tirana, Besa, Apolonia, Laçi apo edhe Kukësi, u kacavirrën sa te bilbilat dhe sa te flamurët e gjyqtarëve, ndoshta për t’i varur aty kostumet e tyre pas humbjeve. Në fakt, gjyqtarët e javës së 15-të sikur ishin pak “shejtanë” në vendimet e tyre, ku diku me kartonë e diku me ndonjë penallti, diku me minuta shtesë e diku me minuta mangët, që për misionin e tyre në fushën e lojës nuk u shfaqën në nivelin e një Superioreje serioze. Në futboll mëkatet janë të shumta, sepse e tillë është kjo lojë magjike, por dihet se ata që kanë në shënjestër gjyqtarin janë viktimat e tyre, ndërkohë që të tjerët bëhen heronj po nga vendimet e tyre. Kësisoj, gjyqtarët e javës së 15-të duan një karton të verdhë, pse jo, dy-tre prej tyre edhe kartonin e kuq të merituar. Edhe për këta faktorë të futbollit të luajtur është më vend shprehja: “Bjeruni që të mos i bjenë futbollit!”. Kjo javë ishte edhe e “dhunshme” në bankina, teksa dy trajnerë u larguan nga drejtimi i skuadrave të tyre, duke e çuar në ___ numrin e tyre të larguar në 15 javë. Më keq nuk ka ku të shkojë.