Laçi, 120 minuta për të fituar Kupën

577
Sigal

Kurbinasit mposhtën Bylisin në një finale dramatike. Laçjanët, në Ligën e Europës

Falë një goli të realizuar nga Emiljano Çela në minutën e 119-të, Laçi fitoi 1-0 ndaj Bylisit që luajti për gati 100 minuta me dhjetë lojtarë, në finalen e 61-të të Kupës së Shqipërisë, duke fituar për herë të parë trofeun dhe fituar një biletë në Ligën e Europës. Plotësohet kështu kuarteti i skuadrave shqiptare, që do të luajnë sezonin e ardhshëm në kompeticionet europiane: kampioni Skënderbeu në Ligën e Kampioneve; Laçi (fitues i Kupës), Kukësi dhe Teuta në Ligën e Europës. Laçi shkroi emrin e tij në “Librin e Artë” të kompeticionit, si skuadra e dhjetë që fiton një Kupë të Shqipërisë, duke u bashkuar kështu me Tiranën (15 trofe), Partizanin (15), Dinamon (13), Vllazninë (6), Flamurtarin (3), Teutën (3), Elbasanin (2), Apoloninë (1) dhe Besën (1). Laçi do të përfitojë 5 milionë lekë nga FSHF-ja dhe 90 mijë euro nga UEFA për pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Kjo është hera e dytë që, Laçi do të luajë në Europë, pasi më parë ka marrë pjesë në Ligën e Europës në sezoni 2010-2011. Laçi ka luajtur vetëm një herë në Kupat e Europës në 2010-ën në Ligën e Europës. Pas një sezoni 2009-2010 mjaft të mirë, ku u rendit i katërti në Superiore, Laçi u kualifikua, për faktin se kupa u fitua nga Besa, e cila u rendit në vend të dytë në kampionat. Kurbinasit luajtën ndaj bjellorusëve të Dnepr Mogilev, teksa barazuan 1-1 dhe humbën 7-1 në takimin e kthimit.

 NDESHJA

Pjesa e parë ofroi një lojë pa shumë fantazi e frymëmarrje për të dyja skuadrat. Laçi e nisi me vrull e me grintë, por i mungon qartësia në ndërtimin e aksioneve. Bylisi e pret në fillim të lojës kundërshtarin, me bindjen për të aplikuar kundërsulmin. Gjithsesi, ndeshja pati disa momente tensioni me ndërhyrjet e ashpra të lojtarëve, sidomos në mesfushë. Në minutën e 20-të nuk mungon as kartoni i kuq, që shkon për Arifajn e Bylisit nga gjyqtari Bardhyl Pashaj. Bylisi është më i qartë taktikisht, sidomos me qarkullimin e topit nga të dyja krahët. 45 minutat e para mbetën konfuze në tërësi, pa asnjë gol të shënuar, teksa Laçi nuk arriti të shfrytëzojë epërsinë numerike, ndërsa Bylisi arriti ta superojë edhe psikologjikisht, edhe në reagimin konkret në fushë, mbetjen me 10 lojtarë që prej minutës së 20-të.

Pjesa e dytë ishte nën kontrollin e Laçit, me më shumë volum loje dhe aksione të shumta në drejtim të portës së Frashërit, por dhe me në shtyllë të kurbinasve. Të dyja skuadrat vuajtën jo pak në fazën finalizuese. Me kalimin e minutave bie në sy lodhja fizike te të dyja skuadrat.  Nëse i referohemi kronikës së lojës së 45 minutave të dyta, spikasin tri momente kulmore. Dy u takojnë kurbinasve, që me Emurllain dhe Vucajn iu afruan shumë afër golit, ndërsa ballshiotët sollën drithërima te porta e Bakajt me një goditje dënimi afër fundit të lojës. Në një situatë të tillë, ku ka shumë volum loje, sidomos nga bardhezinjtë, por pak cilësi e efikasitet në konkludim, edhe pjesa e dytë mbyllet pa gola, duke i dërguar dy skuadrat në kohën shtesë. Lodhja e ka bërë të vetën, ndaj trajnerët duhet t’i orientojnë lojtarët më shumë taktikisht. Shtesat ishin gjithashtu, shenjën e lodhjes dhe më shumë gabime. Kur të gjithë të pranishmit në “Qemal Stafa” prisnin “ruletën ruse” të penalltive, në minutën e 119-të erdhi dhe goli befasues i Laçit, me anë të Çelës, që mbylli takimin dhe i dha fitoren dhe fitimin e trofeut të Kupës.

  Stavri Nica (trajner i Laçit):

“Ishte një fitore e merituar, megjithëse shumë e vështirë. Kundërshtari luftoi fort dhe për këtë e përgëzoj, megjithatë ne treguam më tepër vendosmëri e dëshirë, duke u shpërblyer në fund. I falënderoj të gjithë lojtarët për këtë fitore të mrekullueshme”. Trajneri Stavri Nica e kishte fituar më parë në krye të Teutës, kur mundte Tiranën më 2005, pas gjuajtjeve të penalltive në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit, pra për të ky ishte trofeu i dytë.

  Goli fitues

 Minuta 119- Goditje dënimi për Laçin. Vuçaj e fut topin në zonën ballshiote, ku Çela e devijon bukur, duke zhbllokuar shifrat dy minuta para mbarimit të shtesës së dytë. Kurbinasit në delir, ndërsa mallakastriotët thyhen pas një qëndrese heroike.

FINALJA E KUPËS SË SHQIPËRISË

Laçi-Bylis      1-0

Shënues: Çela 119’

17 maj 2013, 20:00

Stadiumi “Qemal Stafa”, Tiranë

Laçi: Bakaj, Kastrati, Ndreka, Buljan, Çela, Doku (Bilibashi 91’), Zefi, Vucaj, Shazivari (Sefgjini 70’), Nimani, Emurllai. Trajner: Stavri Nica

Bylis: Frashëri, Adebajo, Idrizi, Ristevski, Bola, Sefa, Gërxho, Arifaj, Olayinka (Kelmendi 117’), Izucuku (Ebere Ikpe 97’), Xhafa (Meto 57’). Trajner: Naxhi Shensoji

Gjyqtarë: B.Pashaj, E.Barushi, R.Avdo

Karton i kuq: Arifaj 20’ (Bylis)

LIBRI I ARTË

15: Partizani

15: Tirana

13: Dinamo

6: Vllaznia

3: Teuta

3: Flamurtari

2: Besa

2: Elbasani

1: Apolonia

1: Laçi

RRUGA E LAÇIT

DREJT TROFEUT

TURI I PARË

Mamurrasi-Laçi 0-3

Laçi-Mamurrasi 0-0

TURI I DYTË

Tomori-Laçi 0-0

LAÇI-Tomori 3-1

ÇEREKFINALET

Laçi-Teuta 4-0

Flamurtari-Laçi 2-1

Laçi-Flamurtari 1-0

Teuta-Laçi 1-2

Laçi-Bylis 3-2

Bylis-Laçi 2-1

GJYSMËFINALET

Kukësi-Laçi 0-0

Laçi-Kukësi 2-1

FINALJA

Laçi-Bylis 1-0

Talenti lezhjan do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror për të Rinj në Ukrainë

  Jurgen Uldedaj, kampion në boks

Pasi ka fituar gjithçka vetëm 4 ditë më parë në Kampionatin Kombëtar të Boksit për 16-vjecare, Jurgen Uldedaj “sfidon” vetveten dhe merr pjesë në atë për 18-vjeçarët që, u zhvillua në Shkodër në datat 14-15 dhe 16 maj ku sërish triumfon. Kupa e boksierit më të mirë të të këtij kompeticioni ka qenë “qershia mbi tortë” për të riun Uldedaj pas medaljes së arritur më parë në peshën 81 kg duke mundur në finale boksierin e Vllaznisë, Syrjan Mehja. Talenti lezhjan e ekipit “Enea” të Tiranës ka paraqitur serish pretendimet e tij në këtë sport, ndërsa ka përmbushur edhe pritshmëritë e specialisteve, të cilët e konsiderojnë si sportistin e të ardhmes edhe për boksin profesionist. Finalja e peshës 81 kg mes Uldedajt të “Enea”-s dhe Mehjes së Vllaznise ka qenë ndeshja më e pritur e këtij kampionati, kjo për faktin se cilësohej si një përballje mes eksperiencës shkodrane dhe talentit premtues në moshë më të vogël. Me të drejtë juria ka shpallur fitues 16-vjeçarin Uldedaj, i cili tashmë sheh me më shume ambicie pjesëmarrjen e tij në Kampionatin Botëror të të Rinjve që, do të zhvillohet në muajin gusht në Ukrainë. Në përfundim të këtij kampionati ku merrnin pjesë 15 ekipe si Vllaznia, Flamurtari, Teuta, Kukësi, Besëlidhja, Apolonia, Enea, Tomori, Dardania, etj., shkodranet e Vllaznisë megjithëse kane pasur pikë të barabarta me Apoloninë janë shpallur ekipi me i mirë vetëm me një kampion më shumë, ndërsa surprize ka qene ekipi i Besëlidhjes së Lezhës që, në një kohë të shkurtër arrin të prezantohet denjësisht në sportin e boksit. Pasi i është gëzuar titullit dhe medaljeve, Jurgen Uldedaj ka bërë të ditur se, këto fitore janë një motivim më i madh për të, dhe nëpërmjet stërvitjeve intensive sheh me optimizëm pjesëmarrjen e tij të parë në Kampionatin Botëror të të Rinjve, ku synon të arrijë rezultate të larta duke synuar të jetë në vendet e para.

Shpallja si boksieri më i mirë nuk është e rastësishme për 16 vjeçarin Jurgen Uldedaj, i cili bën të tijën medaljen e katërt radhazi në 5 vitet e fundit në peshën super të rëndë. Për këtë sportist nuk kanë munguar edhe pjesëmarrjet e tij të mëparshme në aktivitete ndërkombëtare siç ishte kampionati Europian i të rinjve i zhvilluar një vit me parë në Bullgari, ku mbrojti ngjyrat kuq e zi të Kombëtares shqiptare ku u arritën edhe rezultate.

Mesfushori do të veshë për dy sezonet e ardhshme bluzën e FSV. Kapllani: “Odiseja, lojtar më të ardhme të madhe”

 Odise Roshi firmos për Frankfurtin

  Odise Roshi është zyrtarisht lojtar i FSV Frankfurtit, skuadër ku ai luajti edhe këtë sezon, i huazuar nga Këlni. “Unë kam firmosur për dy vjet për Frankfurtin”, – tha mesfushori shqiptar për portalin gjerman “Express”. Në fakt, ai duhej te kthehej te Këlni, pasi i kishte përfunduar marrëveshja e huazimit. “Unë kalova një kohë shumë të bukur te Këlni, por tani dëshiroj të vazhdoj të punoj akoma më tej te Frankfurti”, – shton Odiseja. Pavarësisht se, Roshi kishte një kontratë deri në vitin 2015, Këlni nuk do të përfitojë asgjë nga lojtari i Kombëtares shqiptare. “Kontrata ime me Këlnin u zgjidh”, – tha shqiptari për mediat gjermane, ndërsa më pas nënshkroi për ekipin nga Heseni.  Roshi luajti këtë sezon 29 ndeshje për FSV Frankfurtin, duke shënuar dy gola. Në verën e vitit 2011 ai ishte i panjohur në Gjermani, teksa erdhi për një provë te Këlni. Drejtori i atëhershëm sportiv, Folker Finke, e cilësoi atë si një “Diamanti shpërthyes”, kjo për shkak të shpejtësisë së lojtarit shqiptar. Por, ish-trajneri Stale Solbaken e përdori shpesh futbollistin me shpejtësi të jashtëzakonshme si “xhoker”. Në total ai luajti 20 ndeshje në Bundesligën 1 për Këlnin, duke shënuar edhe një gol.

 KONTRATA

FSV Frankfurti e vlerësoi pozitive paraqitjen e Roshit dhe këmbënguli për firmosjen e një kontrate deri në verën e vitit 2015, me terma të kënaqshme financiare për të dyja palët. “Unë ndihem shumë mirë te FSV Frankfurti dhe dëshiroj të arrij shumë këtu, të përmirësohem më shumë nga ana personale dhe të vazhdojmë më tej rrugën e suksesit që pati ekipi këtë sezon”, – tha Roshi për “Kicker”. FSV Frankfurti ndodhet në vendin e katërt para javës së fundit, çka është dhe pozicioni më i mirë i arritur ndonjëherë në historinë e klubit. Roshi ka kontributin e tij në Frankfurtin e fortë të këtij sezoni, pavarësisht se ka luajtur më shumë si zëvendësues: nga 29 ndeshje, 22 herë e ka nisur nga bankina. Vetëm një herë ka luajtur 90 minuta të plota, pikërisht në fitoren 1-0 kundër Erzebirge Aue. Në sezonet e ardhshme, 21-vjeçari, i cili ka luajtur 11 ndeshje për Kombëtaren shqiptare I( një gol), pritet të këtë më shumë hapësirë. “Odise Roshi ka ënj një potencial të madh, të cilin ne dëshirojmë ta zhvillojmë së bashku në dy vitet e ardhshme”, – sqaroi drejtori sportiv i FSV Frankfurtit, Uve Shtëfer.

 KAPLLANI

Me FSV Frankfurtin luan edhe sulmuesi Edmond Kapllani, madje durrsaku është dhe realizuesi më imirë i skuadrës, me 10 gola. Kapllani dhe Roshi e kalojnë thuajse gjithë kohën bashkë, kjo dhe për faktin se, Edmondi, i cili luan që nga viti 2004 në Gjermani, e ka ndihmuar shumë Odisenë në përvëtësimin e gjermanishtes. Të dy kanë raporte të shkëlqyera bashkë. “Klubi e donte Roshin, por dhe Odiseja dëshironte të vashdonte me FSV Frankfurtin”, – tha Kapllani për gazetën. “Këtë sezon ai ka pasur pak hapësirë, pasi ka pasur shumë konkurrencë në ekip, por jam i bindur se edicionin tjetër ai do të shpërthejë dhe do të tregojë vlerat e tij. Tani ai e njeh më mirë futbolllin dhe mentalitetin gjerman”, – shtoi Kapllani, i cili ka luajtur në Gjermani për Karslruhen, Augsburgun, Padebornin, Koblencin dhe tani për FSV Frankfurtin. Skuadra ka bërë një sezon të shkëlqyer. Kapllani: “Dëshirojm shumë të ngjitemi në Bundesligë sezonin tjetër, por nuk do të jetë e lehtë”.

  Teli-Llullaku, surprizat e De Biazit

 Sulmuesi i Gaz Metan, Azdren Llullaku dhe mbrojtësi i Karabakut, Admir Teli, priten të jenë surprizat e radhës të trajnerit Xhani De Biazi, për ndeshjen e Kombëtares kundër Norvegjisë (7 qershor). Qendërmbrojtësi Teli u vëzhgua nga afër nga vetë italiani, i cili udhëtoi në Azerbajxhan për ta ndjekur në aksion. Në mbrojtje do të mungojë Cana dhe alternativat janë Osmani, Curri dhe Dallku. Shkodrani 32-vjeçar mund t’i parakalojë në garën për një vend në krah të Mavrajt, sepse ka më shumë eksperiencë se Osmani, nuk qëndron prej kohësh pa luajtur si Curri dhe e ka pozicionin e tij natyral, jo si Dallku, që përgjithësisht luan në krahun e djathtë. Përsa i përket Llullakut, sulmuesi i talentuar luan në Rusi me Gaz Metanin, lu ka bërë figurë të mirë. Përfaqësuesja do të grumbullohet në Durrës. Sipas burimeve zyrtare të FSHF-së, kuqezinjtë do të bashkohen në “Resort Tropikal”, më 29 qershor (ora 12:00). Pas pesë ndeshjeve Kombëtarja jonë ka grumbulluar nëntë pikë (tri fitore dhe dy barazime) dhe ndodhet në vendin e dytë.