Kuqezinjtë shkojnë për të “pushtuar” edhe tokën e të kaltërve

490
Sigal

Ndeshja që Shqipëria zhvilloi ndaj Francës, ishte pa dyshim një nga më të mirat që skuadra ka luajtur ndonjëherë. Në qoftë se do ta llogarisim me pikë atë ndeshje, pavarësisht se ishte miqësore, do ishte hera e parë në pesë ndeshje që arrijmë ti rrëmbejmë një rezultat pozitiv Francës. Ky ishte një rekord me vete për Shqipërinë, por dëshira e gjithë grupit të lojtarëve, trajnerit dhe sigurisht tifozëve, është që kjo vazhdimësi të jetë edhe në ndeshjen ndaj Italisë. Ky takim është i pari që Shqipëria do ta luajë ndaj Italisë, pasi në asnjë rast më përpara, qoftë kualifikuese apo miqësore, nuk janë ndeshur me njëra-tjetrën. Ky takim është një mundësi shumë e mirë për Shqipërinë që ta mbyllë në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2014, vit ku u vunë re ndryshime të shumta në radhët e skuadrës, ndryshime që kanë vetëm një emër, atë të Xhani De Biazit, trajnerit tashmë shumë shpresëdhënës për Kombëtaren e Shqipërisë dhe realizimin e ëndrrës “kualifikim”, trajner që po cilësohet edhe nga mediat e vendit të vet si një nga më të mirët që po drejton një kombëtare. U fol gjatë që ndeshja me Italinë nuk do të luhej në Xhenova, për shkak të përmbytjeve të tjera që kanë përfshirë qytetin, por në fakt çdo gjë do të shkojë sipas programit, me takimin që do të luhet nesër në të njëjtin vend dhe në të njëjtin orar, 20:45. Takimi që do të luhet me Italinë, u bë i ditur pak kohë më përpara, me trajnerin italian Konte, që shprehej se Shqipëria do të jetë një test shumë i mirë për Kombëtaren e tij. Sigurimi i miqësoreve të tilla, kur kohë më parë siguronim miqësore ndaj skuadrave si San Marino, Malta, në të radhë ndonjë Argjentinë apo Kamerun, tregojnë se Shqipëria po afirmohet tashmë si një Kombëtare e nivelit shumë të mirë, duke e hequr petkun e inferiores (dëshirë edhe e De Biazit e shprehur kohë më parë) apo e skuadrës që futet në fushë vetëm për tu mbrojtur për 90 minuta të plota. Me këtë dëshirë dhe eufori, Shqipëria shkon në Itali për të bërë të vetin përsëri një rezultat pozitiv, tashmë ndaj 4 herë kampionëve të botës, ose të paktën një lojë pozitive. Italia dhe potenciali i skuadrës njihen, sidomos tani që janë edhe nën drejtimin e Kontes, ku ka ndryshuar shumë nga përbërja e skuadrës duke e bërë më të qëndrueshme në mesfushë dhe një skuadër më të bindur në realizimin e skemave të trajnerit. Përsa i përket formacionit të skuadrave, pritet që De Biazi të hedhë përsëri në fushë të njëjtin formacion si ndaj Francës, e kjo nuk bëhet vetëm për të fituar një miqësore, por edhe për të testuar këtë grup në ndeshje ndaj rivalëve shumë më të fortë dhe për të krijuar bindje dhe siguri tek grupi i lojtarëve. Ndërkohë Italia, ashtu siç u shpreh pak ditë më parë trajneri Konte, nuk do të luajë me futbollistët më të mirë pasi është e vështirë të aktivizohen në harkun kohor të dy ditëve të njëjtët futbollistë, duke llogaritur që mbrëmë luajtën ndaj Kroacisë. Nga ana e të “kaltërve”, nuk do të aktivizohet Mario Baloteli, i cili u dëmtua gjatë stërvitjes dhe ishte i detyruar kështu ta braktiste atë, duke humbur kështu shansin për t’u rikthyer të luajë me skuadrën, pasi edhe më përpara, futbollisti ishte lënë mënjanë nga trajneri për shkak të formës jo të mirë që po shfaq tek Liverpul, por edhe për shkak të bëmave të tij që e penalizojnë, gjithmonë. Ashtu siç edhe ishte parashikuar, përfitimet nga ndeshja, biletat dhe një pjesë e të drejtave televizive do t’i jepen Bashkisë së qytetit të Xhenovas në shenjë bamirësie, për të ndihmuar pas përmbytjeve që përfshinë këtë qytet pothuajse dy muaj më përpara.

 10 mijë shqiptarë në stadium në ndeshjen me Italinë

Tifozët shqiptarë nuk mungojnë asnjë herë në mbështetje të Kombëtares, e ashtu siç pritej do të jenë të pranishëm mbi 10 mijë tifozë që do të ndjekin ndeshjen në mes Italisë dhe Shqipërisë ditën e nesërme. Në fakt, Federata Italiane bëri të ditur se ka vënë në dispozicion për tifozët shqiptarë 4 mijë bileta, të gjitha pa kosto shtesë, por siç duket prania e tifozëve në stadium do ta tejkalojë atë numër, duke bërë që tifozët e pranishëm të jenë më të shumtë. Stadiumi “Luigi Ferraris”, me kapacitet 36.703 vende duket se është mjaft i bollshëm për një numër të tillë për tifozët shqiptar që presin me padurim të ndjekin Shqipërinë, sidomos në formën shumë të mirë që po kalon. Në fakt diçka e tillë ishte e pritshme, pasi në Itali janë të shumtë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë aty e gjithashtu mbështetja për kombëtaren nuk ka munguar asnjë herë, ashtu siç ndodhi edhe në Zvicër, ku shumica e stadiumit ishte me tifozë shqiptarë, ndërsa zviceranët, edhe pse në vendin e tyre, ishin më të pakët në numër.

 Grupi I, Shqipëria pranë kualifikimit më shumë se kurrë

Në grupin I, grupin më të vështirë të kësaj faze kualifikuese, Shqipëria ndodhet shumë e favorizuar për të përmbushur qëllimin e kualifikimit. Ndeshjet kualifikuese u mbyllen për vitin 2014, me një rikthim vetëm në mars të 2015, ku Shqipëria do të ndeshet me Armeninë, skuadër që në letër duket shumë e thjeshtë për tu mundur por që në fakt ka sjellë shumë probleme tek të gjitha ekipet e tjera. Situata në grup është e tillë që na lejon të luftojmë minimalisht për vendin e tretë, duke përqendruar forcat vetëm ndaj Serbisë dhe Armenisë, të dyja me nga një pikë, ndërsa Shqipëria ka katër pikë. Falë formës shumë të mirë që po gëzon Kombëtarja shqiptare, nuk duket aspak e pamundur që rezultatet e tjera pozitive si ndaj Danimarkës apo ndaj Portugalisë të mos vijnë vetëm në formë rastësore. Danimarka, është e vetmja skuadër e grupit që i ka zhvilluar të katërta ndeshjet, duke fituar dy, ndaj Serbisë dhe Armenisë, barazuar një, ndaj Shqipërisë dhe duke humbur ndaj Portugalisë, pra në total ka 7 pikë me një ndeshje më shumë, ndërsa Portugalia ka 6 pikë në tre ndeshje, me vetëm humbjen ndaj Shqipërisë, ndërsa Shqipëria është skuadra e vetme që nuk ka humbur akoma në grup, pavarësisht ndeshjes me Serbinë dhe vendimit të UEFA-s, duke qëndruar në kuotën e 4 pikëve, tre më shumë se Serbia dhe Armenia. Aktualisht Shqipëria ka luajtur 3 ndeshje, me edhe 5 të tilla të ngelura, nga të cilat tre do të luhen brenda, me dy më të rëndësishmet ndaj Serbisë dhe Portugalisë, dhe me një ndeshje ndaj Armenisë. Në një grup të tillë, çdo gjë është e mundur dhe tani që dy skuadra kualifikohen direkt ndërsa e treta shkon në play-off, Shqipëria nuk është më duke “përkundur” ëndrra, por duke i realizuar ato.

Renditja në grupin I

Nr Skuadra N P
1 Danimarkë 4 7
2 Portugali 3 6
3 Shqipëri 3 4
4 Serbi 3 1
5 Armeni 3 1

Ndeshjet e ngelura në grup për Shqipërinë

 29.03.2015

Shqipëri-Armeni

4. 09. 2015

Danimarkë-Shqipëri

7. 09. 2015

Shqipëri-Portugali

08.10.2014

Shqipëri-Serbi

11.10.2015

Armeni-Shqipëri