Kukësi-Teuta, kualifikimi shtyhet për në ndeshjen e kthimit

299
Sigal

Përballje e fortë dhe e luftuar shumë në çdo cep të fushës, por asnjë gol i shënuar në sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë mes Kukësit dhe Teutës në “Elbasan Arena”, ndërsa tashmë finalisti do të përcaktohet në sfidën e ardhshme në Durrës. Sfida nuk nisi aspak mirë për verilindorët, pasi sulmuesi kryesor Vasil Shkurtaj pësoi një dëmtim që në minutën e dytë dhe u detyrua të largohet nga fusha në minutën e shtatë, për t’i lënë vendin futbollistit tjetër Cooper. Teuta ishte e para që provoi të zhbllokojë sfidën, me një gjuajtje të rrezikshme të mesfushorit Aleksi, por topi përfundoi jashtë, ndërsa 10 minutat e para ishin dukshëm më të mira për durrsakët që kërcënuan disa herë me topa në zonë. Me kalimin e minutave Kukësi mori kontrollin e lojës dhe filloi të shikojë gjithmonë e më shpesh nga zona kundërshtare, duke kërcënuar portën fillimisht me Limajn e më pas me dy krosime të rrezikshme, që u larguan nga mbrojtja e durrsakëve. Nuk munguan as pretendimet për 11-metërsh në dy momente nga ana e verilindorëve, fillimisht me Cooper dhe më pas me Maliqin, por në të dy rastet arbitri kryesor nuk ishte i mendimit se kishim të bënim me ndërhyrje për t’u ndëshkuar. Në fillim të pjesës së dytë u shfaq një Kukës shumë entuziast dhe me dëshirë për të shënuar golin e avantazhit, por rastet më të rrezikshme i krijoi Teuta, që kërcënoi fillimisht me mbrojtësin Kouro dhe më pas ishte Lorenco Vila që doli përballë portierit, por gjuajtja e tij u ndal nga Xhika. Në minutën e 60’, trajneri Orges Shehi përdor kartën Abazaj, i cili i jep një tjetër impuls lojës së verilindorëve në krahun e djathtë, ndërsa në një moment provoi edhe aftësitë e portierit Frashëri, me një gjuajtje nga distanca. Në minutën e 72-të, pas një krosimi nga e djathta e sulmit durrsak, topi devijohet me dorë nga mbrojtësi Gëzim Krasniqi, por nuk është i këtij mendimi arbitri kryesor, pavarësisht protestave të shumta të futbollistëve të Teutës. Minutat në vijim nuk sollën asgjë për t’u shënuar, përveç faktit që mbrojtësi i Teutës Kouro u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në shtesë dhe la të tijtë me një lojtar më pak përreth 120 sekonda. Vërshëllima finale la në fuqi barazimin 0-0, rezultat ky që lë tërësisht të hapur çështjen e kualifikimit, pasi tashmë Teuta dhe Kukësi do të synojnë finalen në përballjen e “Niko Dovanës” dy javë më vonë.