Kukësi shpallet “kampione dimri”, viti mbyllet mirë për të “mëdhatë”.

521
Sigal

Dje u mbyll java e 18-të e kampionatit, e bashkë me të u mbyll edhe viti kalendarik 2014 për futbollin shqiptar. Fitues u shpall Kukësi, që arriti të merrte kryesimin vetëm në “metrat” e fundit, falë edhe fitores ndaj Tiranës, po ashtu edhe falë fitores së ditës së djeshme ndaj Flamurtarit. Kjo javë e 18-të foli në gjuhën e skuadrave që janë në krye të renditjes, ku ashtu si Kukësi, panë fitoren edhe Partizani, Tirana dhe Skënderbeu. Lufta fillestare që bëhet për kampionatin, ajo e shpalljes si kampione provizore deri në fazën tjetër, u fitua në fund nga verilindorët e Kukësit që në ndeshjen e zhvilluar dje në Vlorë, arriti që t’i vinte vulën pritshmërive të gjysmës së sezonit. Ndeshja e djeshme në fakt, foli për të dyja skuadrat, ku në fillim vlonjatët u dukën se kishin më shumë epërsi, por më vonë loja do të merrte një tjetër kthesë, ku do ishin miqtë ata që do të përfitonin nga një “hutim” i të zotëve të shtëpisë e në minutën e 16-të do të shënonin edhe golin, gol që do ju jepte edhe fitoren e ndeshjes dhe kryesimin deri në një afat të pacaktuar. Kjo javë ishte shumë e ngarkuar për kuksianët, që në një hark kohor të shkurtë kishin para vetes Tiranën dhe Flamurtarin, por që në fund të fundit ia dolën që ti likuidonin që të dyja, duke mos lënë pikë në një fazë kritike të kampionatit. Skuadra që i vjen pas në renditje është Skënderbeu që ia doli dje të fitonte në Shkodër, në një “Loro Boriçi” të mbushur plot, falë një penalltie në minutat e fundit. Ndeshja ishte padyshim e fortë, ku Vllaznia ishte në një formë mjaft të mirë, dhe vinte në këtë ndeshje me shpresën për të arritur fitoren e gjashtë rresht, diçka që nuk shkoi sipas planit falë fitores së juglindorëve. Kjo fitore i jep Mundësinë Skënderbeut që ta mbylli në mënyrën më të mirë këtë fazë, të paktën më mirë se si e filluan, duke u gjendur vetëm 2 pikë larg skuadrës kryesuese. E treta në këtë renditje është Partizani, që me pikë të barabarta me Skënderbeun, e mbylli vitin me një fitore modeste ndaj një skuadre po aq modeste, Elbasanit. Fitorja 1-0 në “Elbasan Arena” sigurisht që nuk ishte në nivelin e golave që pritej, por në fund të fundit ajo çfarë kishte rëndësi u arrit, tre pikëshi dhe rikthimi tek fitorja pas dy humbjeve rresht, me Flamurtarin dhe me Vllazninë. Kjo ndeshje i dha mundësinë edhe një herë Partizanit që me fillimin e sezonit të ri, të hidhet në “sulm” për të rifituar edhe një herë kreun e renditjes. Sa i përket skuadrës tjetër të kryeqytetit, Tiranës, këta të fundit në një “Qemal Stafa” të mbushur plot, arritën që ti linin “hijen” një Teute shumë të motivuar për fitore. Ndeshja foli e gjitha në emër të spektaklit, diçka që e ofruan tifozët nga shkallët e stadiumit por edhe futbollistët në tapetin e gjelbër, që nuk ngurruan që të shënonin plot 6 gola, 4 për Tiranën dhe 2 për Teutën. Ndeshja sigurisht që u dominua nga Tirana, që siç duket po ndikoheshin pozitivisht edhe me rikthimin e tifozëve, duke bërë një lojë të hapur dhe sulmuese e ku synimi për fitore u bë i qartë që në minutat e para të ndeshjes. Tre pikëshi i arritur dje, i jep mundësinë Tiranës që tu rrijë në “frymë” tre të parave, e ku në fakt ndodhet me vetëm një pikë më pak sesa Partizani. Në ndeshjen Apolonia-Laçi, këta të fundit nuk e patën shumë të vështirë t’i bënin “gjëmën” fierakëve, që duket se pak e nga pak po e forcojnë edhe me më shumë bindje pozitën si favoritja kryesore për tu larguar nga ky kampionat vitin e ardhshëm. Ndeshjet e ndara në dy ditë, të shtunën dhe të dielën, dhanë si mbyllje e këtij viti, lojë shumë të bukur e siç duket disa skuadra e mbyllen shumë mirë pjesën e parë të “ndeshjes” së madhe, disa të tjera e mbyllen jo edhe aq mirë e për disa të tjera, fjala keq nuk është mjaftueshëm. Për ti parë edhe një herë në “skenën” e gjelbër të gjitha skuadrat, do na duhet të presim deri në fund janarin e 2015-ës, ku do të rijetohen edhe njëherë ndeshjet e javës së parë të këtij kampionati që filloi në gusht të 2014-ës. Edhe pse është mbyllur vetëm gjysma e kampionatit, nga të gjithë sport dashësit pritet që edhe pjesa e dytë të jetë po kaq emocionuese dhe e “luftuar” (vetëm në kuptimin sportiv të fjalës), sa ç’ ishte edhe pjesa e parë. Loja e bukur, golat dhe rivaliteti sportiv nuk kanë munguar, pavarësisht se “delja e zezë” e futbollit shqiptar, dhuna, përsëri qe e pranishme në stadiume, e 2015-a shpresohet të jetë viti ku ky faktor negativ të luftohet bashkërisht, nga tifozë, futbollistë e Federatë për ta çrrënjosur pak e nga pak nga veprimtaria e pashoqe dhe përmasat negative që merr gjatë ndeshjeve në stadiume.

Takimet e luajtura për javën e 18-të

Tirana 4-2 Teuta

Vllaznia 0-1 Skënderbeu

Apolonia 0-2 Laçi

Flamurtari 0-1 Kukësi

Elbasani 0-1 Partizani

  Skuadra ND F B H P
1 Kukësi 18 12 2 4 38
2 Skënderbeu 18 11 3 4 36
3 Partizani 18 11 3 4 36
4 Tirana 18 10 5 3 35
5 Laçi 18 7 6 5 27
6 Vllaznia 18 8 2 8 23
7 Flamurtari 18 5 7 6 22
8 Teuta 18 5 1 12 16
9 Elbasani 18 3 0 15 9
10 Apolonia 18 2 3 13 9

Statistikat e 2014-ës për Superligën

Skuadra me mbrojtjen më të mirë

Partizani (7 gola të pësuar)

Skuadra me mbrojtjen më të dobët

Elbasani (31 gola të pësuar)

Skuadra me sulmin më të mirë

Skënderbeu (26 gola të shënuar)

Skuadra me sulmin më të dobët

Apolonia (4 gola të shënuar)

Skuadra me më shumë fitore

Kukësi (12 fitore)

Skuadra me më shumë humbje

Elbasani (15 humbje)

Skuadra me më shumë barazime

Flamurtari (7 barazime)

Futbollisti me më shumë gola të shënuar

Pero Pejiç (Kukësi, 9 gola të shënuar)

Kategoria e Parë/ Lushnja dhe Dinamo nuk “mbahen” në grupin B, në A Tërbuni e mbyll në perfeksion

Edhe në Kategorinë e Parë u mbyll faza e parë, ku deri më tani janë shfaqur skuadrat e “denja” dhe të zota për t’u shpallur kampione në fund të sezonit. Në grupin A, ashtu si në pothuaj çdo ndeshje këtë sezon, nuk zhgënjen Tërbuni që me ecurinë që ka duket e vështirë të mos i bashkohet superiores sezonin e 2015-2016-ës. Edhe dje, pukianët arritën që të fitonin në një ndeshje mjaft delikate me Ilirinë, diçka që e tregoi edhe rezultati që nuk shkoi më shumë sesa 1-0. Ky rezultat e lë përsëri skuadrën në krye të renditjes, duke e mbyllur në mënyrën më të mirë të  mundshme këtë vit kalendarik të futbollit në këtë kategori. Nuk ngelin pas as Mamurrasi që si skuadra e dytë në renditje, arriti që të shkatërronte Besën me rezultatin 4-2, duke mos e vënë në dyshim supremacinë që kanë ndaj skuadrave të tjera, diçka që nuk vonoi ta vërtetonte as Besëlidhja që “çmontoi” Veleçikun pa as më të voglin mundim me rezultatin final 1-4. Janë tre skuadrat që e thanë fjalën e tyre bindshëm gjatë kësaj faze në grupin A, dhe sipas të gjitha gjasave do të jenë po këto tre skuadra që do ta vazhdojnë aty ku e lanë kampionatin, por që do të luajnë më shumë ndaj vetes dhe njëra-tjetrës sesa ndaj 7 skuadrave të tjera që janë prezente në grup. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për grupin B, ku rivaliteti ka qenë më i fortë dhe më i shpërndarë tek të gjitha skuadrat, duke mos pasur një barazi apo ide të qartë për pretendentet përfundimtare. Në ndeshjet që u luajtën të shtunën, u pa edhe një herë rikthimi i Dinamos që mundi as më pak e as më shumë por skuadrën që ishte në krye të renditjes, Sopotin, me rezultatin 3-0, rezultat që sigurisht ishte surprizues nga një anë, por nga ana tjetër tregoi forcën e vërtetë të skuadrave në këtë kampionat. Ashtu si Dinamo, rezultat të thellë arriti edhe Lushnja që me një 3-0 ndaj naftëtarit arriti që ta mbyllte vitin në krye të kampionatit, duke u shpallur kështu edhe “kampione e dimrit”. Sa i përket ndeshjeve të tjera, Butrinti arriti që të fitonte edhe kjo me një tre golësh të shënuar, si Dinamo dhe Lushnja, por në ndryshim nga dy të tjerat pësoi një gol nga Bylis, diçka që sigurisht nuk i prishi aspak punë në fund të takimit, e me këtë tre pikësh të grumbulluar arriti që të fitonte edhe vendin e tretë në renditje, duke e lënë pas vetes Sopotin që deri para pak ditësh ishte në vendin e parë. Afërsia në pikë për të gjitha skuadrat bën që në fazën e 2015-ës të rifillojë edhe një herë me të njëjtat ritme, rivaliteti për një vend vend sa më të lartë në renditje.

 Grupi A

Mamurrasi 4-2 Besa

Kastrioti 2-0 Kamza

Tërbuni 1-0 Iliria

Veleçiku 1-4 Besëlidhja

Ada 3-3 Burreli

Grupi B

Dinamo 3-0 Sopoti

Butrinti 3-1 Bylis

Luftëtari 2-0 Tomori

Shkumbini 2-0 Pogradeci

Lushnja 3-0 Naftëtari

Renditja e UEFA-s për klube, Spanja “mbretëron”

Renditja e UEFA-s për klube flet më së shumti për skuadrat e Spanjës, Anglisë dhe Gjermanisë, situatë kjo që ka vite që mban të njëjtin ritëm për secilën nga këto vende. Një domethënie të madhe në këtë renditje ka edhe kualifikimi i skuadrave në Ligen e Kampioneve, diçka që për vendet e mësipërme ka shkuar shumë mirë vitet e fundit, sidomos për Gjermaninë që kujtojmë se këtë vit është i vetmi shtet që ka nxjerrë 4 ekipe në 16 më të mirat në Ligën e Kampioneve. Në këtë renditje, vend për tu frikësuar ka Italia që pasi u kalua nga Gjermania, po humbet çdo ditë e më shumë terren ndaj Portugalisë, që nëse kalohet nuk do të paraqitet më me 3 skuadra në Ligën e Kampioneve, por vetëm me dy të tillë çka do të përbënte një humbje të madhe në futbollin italian. Në këtë renditje, tre vendet e para janë të vetmet që prezantohen me katër skuadra në këtë kompeticion, ndërkohë që të tjerat, sipas shkallëve prezantohen me tre, dy dhe me një skuadër.

 Renditja e plotë e klasifikimit për klube:

1. Spanja- 92.570 pikë
2. Anglia- 78.534 pikë
3. Gjermania- 76.272 pikë
4. Italia- 62.343 pikë
5. Portugalia- 60.215 pikë
6. Franca- 50.916 pikë
7. Rusia- 48.948 pikë
8. Ukraina- 41.666 pikë
9. Holanda- 39.812 pikë

10. Belgjika- 5.000 pikë