Kukësi-Partizani në përplasje “titanike”, fitorja është “detyrë shtëpie” për verilindorët  

484
Sigal

Aktualisht futbolli shqiptar zien nga vendimet që u morën dhe nga ata që duhej të merreshin, duke lënë pak mënjanë ndeshjet që e presin këtë javë kampionatin tonë. Duke qenë se vendimet e shumëpritura u morën e në lidhje me këtë askush nuk mund të bëjë gjë, mbetet vetëm të hedhim sytë tej Etikës, për tu ballafaquar me takimet e radhës së kampionatit ku siç duket ndeshjet e forta të Superligës transferohen sa në një qytet në tjetrin dhe këtë javë radha i takon Kukësit që do të presë në shtëpi Partizanin.

Java paraardhëse

Java e 21-të që u mbyll nuk rezultoi gjithaq e suksesshme për Partizanin dhe për Kukësin, pasi të parët nuk shkuan më shumë se një barazim ndaj Skënderbeut ndërsa Kukësi u ndal në Laç, duke humbur kështu rastin për të lënë pas vetes kundërshtarët, ndërkohë që lëshoi edhe kreun ndaj Tiranës, edhe pse me pikë të barabarta.

Ndeshja e parë: Duke marrë si shembull ndeshjen e parë që kanë luajtur për sezonin 2014-2015, Partizani arriti që të fitonte 1-0 ndaj vendasve, me një gol në minutat e fundit, e takimi i kësaj jave është një mundësi e mirë për verilindorët që t’i kthejnë “nderin”.

Renditja aktuale:

Aktualisht në renditje skuadra e Kukësit ndodhet në vendin e dytë me 44 pikë, ndërkohë që Partizani ndodhet në vendin e katërt me 41 pikë, në barazi me Skënderbeun. kjo ndeshje ka rëndësinë e sajë të madhe sa i përket renditjes, pasi duke parë që ndeshen dy skuadra që janë kundërshtare direkte, çdo “rrëshqitje” mund të shfrytëzohet si nga Tirana ashtu edhe nda Skënderbeu, që për fatin e tyre kalendari i favorizon paksa, pasi kryeqytetasit presin Elbasanin ndërsa korçarët vizitojnë Apoloninë.

Mbrojtja dhe sulmi, kokë për kokë:

Duke qenë se janë ekipet e kreut, sigurisht që numrat do të jenë përgjithësisht pozitiv, por duke i krahasuar bashkë, Partizani ka pësuar më pak (8) por edhe ka shënuar më pak se Kukësi (19), ndërsa këta të fundit kanë shënuar plot 27 herë, por nga ana tjetër kanë pranuar 13 gola në portën e tyre.

 Pak statistikë për Superligën

Aktualisht Kukësi është skuadra me më shumë fitore (14) në kampionat, por nga ana tjetër ruan edhe rekordin negativ si skuadra me më shumë humbje nga katër ekipet e kreut me 5 të tilla, ndërkohë që Tirana ka vetëm 3 humbje dhe 13 fitore, ndërkohë Skënderbeu dhe Partizani janë në barazi të plotë jo vetëm në pikë, por edhe në fitore, barazime dhe humbje, pasi secila ka nga 12 fitore, 5 barazime dhe 4 humbje.

Oraret e ndeshjeve

Këtë javë të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në të njëjtin orar dhe në të njëjtën ditë, praktikisht në ditën e shtunë dhe në ora 14:00, duke rritur kështu edhe më shumë emocionin e takimeve dhe rezultateve.

  Skuadra ND F B H P
1 Tirana 21 13 5 3 44
2 Kukësi 21 14 2 5 44
3 Skënderbeu 21 12 5 4 41
4 Partizani 21 12 5 4 41
5 Laçi 21 8 8 5 32
6 Flamurtari 21 7 7 7 28
7 Vllaznia 21 8 2 11 23
8 Teuta 21 6 1 14 19
9 Elbasani 21 4 0 17 12
10 Apolonia 21 2 3 16 9

Takimet e javës së 22-të

Tirana-Elbasani

Teuta-Laçi

Kukësi-Partizani

Apolonia-Skënderbeu

Flamurtari-Vllaznia

Projekti vazhdon, “Elbasan Arena” me tartan

Ashtu siç ishte premtuar, por kohët e fundit u duk se u harrua, stadiumit “Elbasan Arena” do t’i shtohet edhe pjesa që i mungon, në bazë të projektit fillestar, shtrimi i pistës me tartan. Tani më kanë filluar punimet në stadium ku po bëhen përgatitjet për përfundimin e punimeve. Ka disa ditë që ka filluar puna dhe si afat për përfundimin e punimeve cilësohet muaji mars, kur do të jetë edhe ndeshja me Armeninë e Kombëtares, për kualifikuese të Europianit 2016.

 Vioresin Sinani rikthehet në futboll, por si zv/trajner i Vllaznisë

Ish futbollisti legjendar i skuadrës kuq e blu, Vllaznisë, ka marrë një post drejtuesi duke u gjendur si zv/trajner i ekipit, direkt pas trajnerit Baldo Raineri. Një vendim i tillë duket se ka ngrohur zemrat e tifozëve që e njohin mirë ish-sulmuesin e ndërkaq rriten shpresat për një ndryshim kursi të ekipit shkodran. Ndërkohë, Sinani mund ta cilësojë veten me fat pasi në ndeshjen ndaj Flamurtarit do të jetë ai në krye të ekipit, në mungesë të Rainerit që u dënua dje nga Komisioni i Disiplinës me një ndeshje mungesë për shkak të protestave të bëra ndaj vendimeve të arbitrit gjatë ndeshjes me Tiranën.

 Bekim Balaj e nis mbarë, shënon golin e parë me Rijekën

Sulmuesi shqiptar, Bekim Balaj po ecën sipas parashikimeve me skuadrën e tij më të re, Rijekën, ku në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë ndaj Lokomotivës, ka arritur që të shënojë edhe golin e tij të parë si sulmues i këtij ekipi. Balaj u bashkua me ekipin kroat në fillim të vitit 2015, në 7 janar, ndërkohë që ky ekip është edhe nënkampioni i ligës kroate të futbollit.

 Olalekan bashkohet me Skënderbeun, nuk pritet të luajë me Apoloninë

Blerja më e fundit e Skënderbeut, i etiketuar edhe si “sozia e Olajinkes”, sulmuesi Olalekan është bërë pjesë edhe e grupit të skuadrës, ku ka zhvilluar stërvitjen e parë me ekipin korçar. Në fakt, pavarësisht se po stërvitet me ekipin përsëri nuk cilësohet nga trajneri që të jetë gati për ndeshjen e ardhshme me Apoloninë në Fier. Kjo blerje u bë në mungesë të sulmuesit nigerian Olajinka i cili u dënua me 4 muaj pezullim nga çdo aktivitet futbollistik në Shqipëri, nisur nga problemet kontraktuale mes Bylisit dhe Kukësit për kartonin e tij.