Kukësi në moment kritik, klubi kërkon mbështetjen e tifozëve kundër Partizanit

118
Sigal

Kukësi duket se e ka lënë pas krahëve humbjen në ndeshjen e fundit me Teutën, edhe pse erdhi përballë një kundërshtari direkt në luftën për mbijetesë.

Verilindorët u ndëshkuan vetëm në saj të dy episodeve që nuk i patën në favor dhe gabimeve të tyre, siç ishte dalja e gabuar e portierit Angelos Tafas dhe penalltia e humbur nga sulmuesi brazilian, Gabriel Barbosa.

Momente që vendosën sfidën, pasi në tërësi të besuarit e trajnerit Rrahman Hallaçi prodhuan lojë dhe ky fakt jep besim se situata mund të ndryshojë për mirë.

Gjithsesi, tani gjithçka është lënë pas dhe skuadra është e fokusuar tërësisht te ndeshja e së premtes me Partizanin në “Kukës Arena”, aty ku shpresojnë të dalin me tri pikët. Me mbështetjen e tifozëve, ku nuk mungon edhe thirrja për ta, në Kukës presin rikthimin sa më parë te rezultatet pozitive.

Në Kukës e shohin si një ndeshje të rëndësishme përballjen me Partizanin, ndaj edhe bëjnë thirrje për një prezencë sa më të madhe të tifozërisë në shkallët e stadiumit.

Problem sigurisht mbetet orari, pasi të premten në 13:00 është një orar zyrtar pune dhe jo të gjithë do të kenë mundësinë ta shohin nga afër këtë sfidë.

“Të premten rikthehemi në Kukës për ndeshjen e javës së 23-të të Superiores. Skuadra jonë do të përballet me Partizanin dhe prezenca juaj në stadium do të ishte një shtysë e madhe dhe forcë për ekipin. Momenti i vështirë që skuadra po kalon, mund të lihet pas vetëm me mbështetjen tuaj. Të premten, në orën 13:00 ju presim në ‘Kukës Arena’”, thuhet në njoftimin e klubit verilindor.