Eksluzive për Telegraf/ Edmond Mema, notari që e nisi dhe e mbylli karrierën si rekordmen dhe kampion

PROFIL/ Një nga Legjendat e Notit shqiptar, Edmond Mema, vjen me madhështinë dhe personalitetin e tij si një ndër më të mëdhenjtë në histori, një “Master” në këtë sport.

 

NOA

Nga Agron KAJA

Unë në fëmijëri kisha të dhëna edhe për sporte të tjera, si basketboll e futboll, por noti erdhi si një “kryefjalë” e të gjitha sporteve për mua. Më kanë quajtur pak “dembel”, ose që nuk stërvitesha shumë, ndërsa rezultatet tregonin të kundërtën.
  

Sporti i Notit ka qënë shumë tërheqës në Tiranë, ju kampionët e rekordmenët si ndjeheshit në ambientin qytetar?

Natyrisht që ndjeheshim të respektuar në ambientet sportive dhe tek dashamirësit e sportit, edhe pse në Tiranë kishte shumë sporte të tjerë prioritarë dhe vëmëndja ishte më shumë për to. Por si kampion e rekordmen njihesha e respektohesha kudo.

Cilat kanë qënë arsyet që ushtruat pikërisht notin dhe jo sport tjetër, apo ju tërhoqi vëllai juaj kampion, Sadiku (Alias Pupi)?

Arsyet që unë nisa të ushtroheshin me not kanë që dy. Së pari, sepse unë kisha vëllanë tim më të madh që ishte kampion e rekordmen. E së dyti, ishte një pasion i fshehur, saqë kur shikoja gara noti kisha shumë emocion. Dhe kështu nisa të ushtrohesha.

Pasi ju lindi dëshira për t’u ushtruar në not, si e keni ushtruar këtë sport?

Unë në fëmijëri kisha të dhëna edhe për sporte të tjera, si basketboll e futboll, por noti erdhi si një “kryefjalë” e të gjitha sporteve për mua. Më kanë quajtur pak “dembel”, ose që nuk stërvitesha shumë, ndërsa rezultatet tregonin të kundërtën.

Në kujtesën tuaj, si e kujtoni garën e parë zyrtare që keni zhvilluar, dhe në cilin ambient është zhvilluar ajo?

Garën time të parë zyrtare e kujtoj me shumë nostalgji. Ka qënë viti 1972 ku unë mora pjesë në garat 50 dhe 100 m Delfin, në Kampionatin Kombëtar të Fëmijëve që u zhvillua në pishinën e Lushnjës. Në të dyja garat u rendita në vendin e dytë.

Trajneri dhe skuadra juaj e parë, si vijnë sot në kujtesën Edmond Memës sot pas 52 viteve?

Në kujtesën time, trajneri im i parë Emin Gripshi i Dinamos, vjen sikur atë edhe sot e kam përballë me kritikat e tij në çdo stërvitje e garë. Natyrisht që nostalgjia kujton edhe kampionë, si Hysni Bregu, Janaq Murati, Artan Belegu, Fuat Murati, Genc Tirana, Ardian Shashaj e Besnik Zekthi.

Në garat që ju keni zhvilluar, cili ishte stili juaj më i preferuar dhe më rezultativ?

Unë e kam nisur karrierën time në sportin e notit duke garuar në stilin Delfin, më vonë edhe në Stilin e Lirë, në Bretkocë e Katërnotim. Por, për një periudhë të gjatë kam thyer rekordet kombëtare në 200m dhe 400 m Miks.

Ju kujtohen rivalët tuaj në garat (kombëtare dhe ndërkombëtare) që keni zhvilluar, cilët kanë qënë?

Po, në garat që kam zhvilluar kishte shumë rivalitet, ku kujtoj Shpëtim Koten, Hysni Bregun, Fuat Muratin, Sadik Trokën, Janaq Muratin, Met Kikrin, të Madhin Petrit Guma, Spiro Angjelin e Fatmir Deliallisin e shumë të tjerë që nuk po vijnë në kujtesë.

Si e kujtoni rekordin e parë kombëtar që ju keni thyer në karrierën si notar, stili dhe gara?

Kanë qënë garat e Kampionatit Kombëtar për të Rinj që u zhvillua në Sarandë, viti 1972. Unë e thyeva në atë garë rekordin kombëtar të Fëmijëve, por edhe e përmirësova shumë kohën në garën e 100 m Delfin për Fëmijë. Ishte një garë e bukur dhe e fortë.

Në karrierën tuaj si notar kampion e rekordmen, cilët ndani si momentet më të mira në karrierën tuaj?

Momente të mira janë shumë, ato lidhen me fitimin e garave si kampion e rekordmen. Por do veçoj vitin 1982 kur përmirësova dy rekordet kombëtare në 200 e 400 m Miks, si edhe thyerjen e rekordit kombëtar në stafetën ekipore 4X100 m Miks.

Dhe, nëse keni, cilët kanë qënë momentet jo të mira gjatë karrierës suaj?

E kujtoj vitin 1975 si kohën që më ndaloi të garoja për gati 12 muaj, por që nuk pengoi për vazhdimin e karrierës më tej. Sepse kam kryer një operim që më mbajti kaq gjatë larg ujit në stërvitje dhe në garat që u zhvilluan në atë periudhë kohore.

Po infrastruktura në sportin e notit në Sarandë, si ka qënë gjatë periudhës që ju e ushtruat këtë sport?

Kushtet e infrastrukturës kur unë kam garuar, kanë qënë thuajse minimale, nëse i referohemi gjëndjes sot. Stërvitjet i kryenim në Liqenin Artificial të Tiranës, por shpesh shkonim në pishinën e Durrësit ku perfeksiononim startin dhe kthesat.

Pas largimit nga aktiviteti si notar, ju e vazhduat marrëdhënien me notin edhe si trajner. Trajningu është pasion apo si një detyrim i rrugëtimit sportiv?

Unë jam larguar nga Shqipëria në Itali në vitin 1993. Aty edhe jam stërvitur, por kam punuar si instruktor i notit. Erdha në Shqipëri në vitin 1996 dhe garova me Tiranën ku zura tre vënde të para në 50m Delfin, Bretkocë dhe Stil i Lirë.

Ndërkohë, ju Mondi si e vazhdoni marrëdhënien me ujin në këtë moshë?

Unë nuk jam shkëputur nga uji dhe garat. Njëherësh jam i licensuar nga FIN-a si trajner noti, dhe zhvilloj gara në veprimtaritë Master në Itali, por edhe në Europë. Kam fituar shumë vënde të para dhe vënde nderi kudo ku kam garuar.

Do ishte me interes të mësonim se cilat kanë qënë veprimtaritë në garat Master ku ju keni marrë pjesë?

Përveç garimit me klubin, kam garuar edhe në Kampionatin Europian në vitin 2002 në Palma de Majorka, në vitin 2004 në Riçione ku në 50 m Delfin kam arritur kohën 29”53 në kategorinë 45-50 vjeç. Paralelisht kam përgatitur me qindra fëmijë, të cilët kanë marrë pjesë në gara të ndryshme në Itali.

Në gjithë karrierën tuaj si notar e trajner, si e përshkruani evolimin në sportin e notit në gjithë Shqipërinë?

Natyrisht që ecuri ka, sepse edhe noti si çdo aspekt tjetër i jetës ka evoluar këtu në Shqipëri. Por mungesa e infrastrukturës ndjehet, jo vetëm në disa qytete të traditës, por edhe në kryeqytet ku ka vetëm një pishinë 50m verore, dhe tre-katër pishina 25 m dimërore, në Tiranë dhe në Durrës.

Keni marrë vlerësime e tituj sportivë si notar. Po si trajner cili ka qënë vlerësimi për trajningun tuaj?

Në vitin sportiv 1978-1979 kam qënë në 10 Sportistët më të mirë të KS Dinamo, në vitin 1979 kam marrë Medaljen Naim Frashëri, Klasi II, në vitin 1993 kam marrë titullin Mjeshtër Sporti dhe nga Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit jam vlerësuar si Nderi i Notit Shqiptar.

Nisur nga mosha juaj sot, mendoni se do ta vazhdoni gjatë trajningun në sportin e notit?

Unë tashmë e kam të lidhur jetën dhe aktivitetin tim me sportin e notit. Mendoj se kam ende kohë që të punoj me përgatitjen e moshave të reja në Itali ku jetoj, deri sa koha vetë të më thotë se duhet të ndaloj. Por nga notimi, personalisht nuk do largohem.

Ndërkohë, ka 10 vite që funksionon Shoqata Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri (SHKVN), si e vlerësoni aktivitetin e saj?

Kjo Shoqatë është diçka shumë e mirë, sepse po i bashkon brezat dhe kujtimet. Duke qënë se jetoj në Itali, mundohem ta ndjek ritmikën e aktiviteteve të saj, aq më tepër që atë e drejton vëllai im, Sadik Mema, Pupi. Shoqatë që bashkon vlerat e historisë së notit shqiptar.

 

Petrit Kashariqi, ish notar i Dinamos

Mondi, notar Yll i paarritshëm në Shqipëri

Notari i Dinamos para viteve ’90-të, Petrit Kashariqi, e priti me shumë kënaqësi e respekt kërkesën e gazetës “Telegraf” për të shprehur konsideratën e tij për Edmond Memën, si dy ish-notarë kolegë te Dinamo. “Në memorrjen time, Edmond Mema do mbetet një notar i pa arritshëm në Shqipëri. Për mua ka qënë një notar Yll, dhe nuk e teproj të them se edhe vëllai i madh i tij, Pupi që sot është një Mjeshtër i Madh, nuk ka qënë në përmasat e Mondit si notar. Kur shprehesh për një ish-koleg elitar, natyrisht që fjalët e mira nuk do mungojnë. Por kujtesa ime thotë se Mondi që kur e nisi notin në Shqipëri në vitin 1972 si fëmijë, edhe atëhere kur e mbylli karrierën në vitin 1996, ai ka dalë vetëm kampion. Një notar shumë dimensional që garoi në disa stile dhe një mbetet një kampion e rekordmen, një figurë e madhe e notit shqiptar”.

Karakteristika të veçanta të Mjeshtrit të Sportit, Edmond Mema

#Edmond Mema është një nga notarët shqiptarë që ka garuar për shumë vite, 1972-1996, një “rekord” që asnjë notar tjetër në Shqipëri nuk e ka arritur.

#Në karrierën e tij 24 vjeçare në sportin e Notit, Edmond Mema e nisi në vitin 1972 duke thyer rekordin kombëtar, dhe e mbylli në vitin 1996 duke dalë kampion  kombëtar.

#Në këtë karrierë, Edmond Mema si notar elitar ka thyer rekordin kombëtar në 50m Delfin dhe në 100, 200, 400m Katërnotim, si edhe në Stafetën 400m Mix për Meshkuj.

#Duke qënë notar me Dinamon, Tiranën dhe ekipin Kombëtar, Edmond Mema ka garuar në disa stile notimi: Delfin, Bretkocë, Stil i Lirë dhe Katërnotim.

#Nga viti 1999 e deri më sot, si asnjë notar tjetër shqiptar, Edmond Mema merr pjesë në garat Master, Kombëtare dhe Ndërkombëtare, në Itali dhe në Europë.

# Edmond Mema ka qënë modeli teknik më i mirë në katër mënyrat e notimit.

KONSIDERATA E VLERËSIME

PETRIT GUMA, MJESHTËR I MADH

Nuk kemi patur një notar me përmasat e Mond Memës

Duke qënë një nga notarët më elitarë në notin shqiptar si kampion dhe rekordmen absolut, por edhe President i FSHN-së për disa vite, Mjeshtri i Madh Petrit Guma ka vlerësim të veçantë për Edmond Memën si notar. “Kam pasur fatin të garoja me Mondin, dhe në memorrien time, ndoshta edhe e të gjithë notarëve që kanë garuar me të, e kujtojmë Mond Memën si notarin me fizikun më të bukur,. Nuk e teproj të them se trupi, i tij ishte aq i bukur sa dukej sikur e kishte krijuar Mikelanxhelo vetë! Por jo vetëm kaq, sepse unë kujtoj që kur garonte Mondi, tek të gjithë notarët e tjerë krijohej një panik para gare. Si i tillë, ai vendoste se në cilat gara do të garonte në çdo veprimtari, duke patur si më tipike 200 m dhe 400 m Mix. Për mua, kur ai merrte pjesë në Stilin e Lirë, më bënte që të preokupohesha, sepse ishte një rival i fortë. Një tip indiferent, i thjeshtë e konkret, por deri tani nuk kemi patur një notar të ngjashëm si Mond Mema”.

SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH

Në stërvitje dukej indiferent, në gara kishte grintë e karakter

Mjeshtri i Madh Sadik Mema, e kishte të vështirë të tregonte për Mondin si notar elitar, duke qënë se është vëllai i tij. Me modestinë e tij, Pupi e kaloi barrierën dhe duke qënë edhe nisiator i këtyre Profileve, ka shprehur  konsideratat që Mondin e “çimentojnë” në elitën e Notit shqiptar. “Ndjehesh në vështirësi në të tilla raste, edhe pse Mondi ka qënë një nga notarët që hyn në Legjendat e notit shqiptar. Karriera e tij në sportin e Notit ka qënë e lidhur në kohë edhe me karrierën time, si notar e trajner, dhe po sjell një thënie të ish-trajnerit Emin Gripshi: “… Po të kishte Mondi gjysmën e vullnetit të Pupit, dhe Pupi të kishte gjysmën e talentit tënd, ju do të kishit arritur në nivele shumë më të larta …”. Dhe Mondi, përveçse dilte kampion dhe rekordmen absolut në çdo garë ku merrte pjesë, në stërvitje ishte indiferent, ndërsa në gara kishte grintë e karakter. Gjithmonë të përcillte emocion të veçantë në garim, duke krijuar bindjen e një notari të përmasave olimpike”.

 

CV sportive Edmond MEMA

Datëlindja: 13 shtator 1959 Vendlindja: Tiranë Vendbanimi: Milano-Tiranë

Arsimi: Të Mesmen  Profesioni: Instruktor i Notit

Sporti që ka ushtruar: Notin. Karriera si sportist: Në vitet 1972-1973 me Fëmijët; në vitet 1973-1974 me të Rinjtë; në vitet 1973-1992 me të Rriturit. Skuadrat që ka përfaqësuar: Në vitet 1972-1984 me Dinamon; në vitet 1984-1993 me Tiranën.

Gara e parë në karrierë: Në vitin 1972 në Sarandë, Kampionati Kombëtar për Fëmijë   Rekordi i parë kombëtar në karrierë: Në vitin 1972, në Kampionatin Kombëtar, Sarandë

Sukseset si notar: Kampion kombëtar dhe rekordmen në të gjitha kategoritë; Ka thyer 30 rekorde kombëtare dhe 35 herë është shpallur kampion kombëtar

Garat Ndërkombëtare në karrierë: Në vitin 1974 në Kinë me ekipin kombëtar; Në vitet 1990 dhe 1991 në dy Mitingje Ndërkombëtare të Notit; Në vitin 1992 garues në Kampionatin Ballkanik të Notit, në Stamboll; garues në garat Master kombëtare dhe Ndërkombëtare, në Itali dhe në Europë.

Gara e fundit në karrierë: Në vitin 1996 nga Italia në Tiranë, zuri tre vënde të para në 50m Delfin, Bretkocë dhe Stil i Lirë Rekordi i fundit në karrierë: Në vitin 1988 në Shkodër, Kampionat Kombëtar të Rritur

Tituj e trofe në karrierë: Ka thyer 30 rekorde kombëtare dhe ka dalë 35 herë kampion kombëtar. Tituj personalë në sport: Mjeshtër Sporti; Medalje Naim Frashëri, Klasi II; Nderi i Notit Shqiptar Karriera si trajner: Nga viti 1996 Instruktor i Notit në Milano .

Kualifikime e formime: Çertifikuar ndërkombëtarisht si instruktor dhe trajner i Notit në Milano, Itali. Aktualisht: Instruktor dhe trajner i Notit në Milano, Itali

Edmond Mema, notari shqiptar “Master” në Itali

Ndoshta mund të ketë të tjerë notarë që në moshë të rritur kanë garuar, ose garojnë në Kategorinë Master. Dhe një ndër ta është edhe Edmond Mema, i cili jo vetëm në kampionatet kombëtare të kësaj moshe në Itali, por ka garuar me dinjitet edhe në Kampionate Europiane, duke u bërë zyrtarisht notar i Madh në moshë e në përmasa sportive. “Përveç garimit me klubin në Milano, unë kam garuar edhe në Kampionatin Europian në vitin 2002 në Palma de Majorka dhe në vitin 2004 në Riçione, ku në 50 m Delfin kam arritur kohën 29”53 në kategorinë 45-50 vjeç”, kështu e mbylli Mondi këtë Profil që gazeta “Telegraf” e konsideron si të veçantë, dhe vetë Mondin si notarin shqiptar MASTER.