Kriza financiare “shpërbën” ekipet e Vlorës e Gjirokastrës

411
Sigal

Merkatos dimërore tashmë po i vjen fundi. Dy ditë nga afati i lejuar skuadrat e kanë ravijëzuar projeksionin lëvizjeve të tyre dhe pse jo ndonjë lëvizje e minutave të fundit vetëm do t’i shtojë “ngjyrat”, por jo ta tjetërsojë këtë projeksion. Kriza financiare tashmë është evidente jo vetëm për ekipet që e kanë shpallur legale këtë krizë, por jo të pakta janë ekipet që e kanë në gjendje “latente” këtë gjendje. E ndërsa “kampion” për afrimet cilësore janë Kukësi dhe Partizani, në krahun të kundërt këtë garë e kryesojnë Kastrioti, Luftëtari dhe Flamurtari. Në prizmin financiar ekipet janë treguar “nikoqire” dhe ndryshe nga herët e tjera që i kanë marrë futbollistët vetëm me kaseta, kriza i ka bërë që të ulen “me këmbë” në tokë. Në bilancin e raportit të afrimeve dhe largimeve, këto të fundit janë thellësisht në avantazh. Skuadrat përveç që i kanë studiuar me kujdes cilësitë e futbollistëve, por nga ana tjetër, këto lëvizje kanë qenë edhe me “pikatore”. Kryesuesi i klasifikimit, Partizani, përtej të kursyerit, ka marrë një mësim të mirë në këtë merkato duke afruar futbollistë që i janë duhur grupit. Ndjekëset e këtij “klasifikimi” Kukësi dhe Teuta futen te ato ekipe që kanë bërë lëvizjet edhe më të shtrenjta, por edhe më cilësoret. Gjithsesi takimet e para të tyre treguan se iu duhet më shumë kohë që të vijnë rezultatet. Në mesin e klasifikimit qëndrojnë Laçi, Skënderbeu, Kamza dhe Tirana, ndërsa Kastriot, Flamurtari dhe Luftëtari janë kthyer në market. Por ajo që vihet re nga analiza e deritanishme është se, nëse te Kastrioti kemi largim të futbollistëve nga klubi, krejt ndryshe është situata në ekipin e Flamurtarit dhe Luftëtarit ku janë futbollistët që kanë braktisur ekipin për arsyen e problemeve financiare. Tirana, Laçi, Kastrioti i kanë shtrirë “këmbët” aq sa kanë jorganin. Gjithsesi merkato e ka “bukurinë” në sekondat e fundit dhe ashtu siç është tradita lëvizjet e sekondave të fundit janë të papritura dhe pjesë e “natyrale” e traditës së merkatos.