Adriatik Dosti: Lamtumira për ikonën e futbollit shqiptar, Ali Mema

782
Sigal

Lamtumirë Ali Mema! – Ikonë e papërsëritshme e futbollit shqiptar…

Adriatik Riza Dosti

Nuk paska dhimbje më të madhe, teksa përjeton ikjen një e nga një të idhujve të tu sportivë e njerëzorë, të ikonave e legjendave që shkojnë nga kjo botë, por që kurrë nuk mund të shuhen, sepse Yjet kanë lindur për të shndritur përjetësisht, qoftë edhe në netë pa hënë si ajo e 26 Marsit 2019, kur lajmi i ndarjes nga kjo botë të Ali Memës së madh tronditi mbarë botën shqiptarë të futbollit e më tej. Mbajta frymën, një ngulç m’u mblodh në fyt, koka m’u bë e rëndë daulle dhe lot të sinqertë dhimbjeje, malli e respekti pa fund, për ty Ali Mema, më rrodhën faqeve sikur të isha ai fëmija e adoleshenti i djeshëm që aq fort mrekullohej prej teje, tek të shihte ashtu shtat -selvi e zemër – luan në fushën e lojës, me atë uniformë bardhë e blu, së cilës i dhe aq shumë shkëlqim e dinjitet, me atë fanellë kuq e zi, së cilës i fale gjithë dashurinë tënde futbollistike. Por kjo qenka jeta, i shtrenjti miku im i çmuar! Vjen një ditë që siç kemi ardhur po ashtu do të largohemi nga kjo botë mysafire, por lum ai që le pas kujtime të vyera siç ke lënë aq shumë ti, si sportist e si njeri. Dhe ata Gjigantët e asaj Tirone të madhe të Xhavit Demnerit e Lym Allës, po shuhen një e nga një. Vite më parë iku Skënder Halili, e pastaj radhazi në vite të ndryshme, Bahri Ishka, Xux Kazanxhiu, Gëzim Kasmi, Perikli Dhalesi, Skënder Hyka e tash, kaq fort dhimbshëm ikën edhe Ali Mema. E kohë më parë kanë ikur edhe Profesorët e tyre të nderuar, Xhavit Demneri, Lym Alla e Ver Shehu. Botë ikjesh pa kthim, por lum ai që i bën vend vetes për të mbetur përjetësisht i pa harruar dhe yjet, ikonat e legjendat e asaj Tirone të madhe e të papërsëritshme të viteve ’60-’70! Të tillë ishin, lapidarë e monumente të gjallë të futbollit shqiptar e veçmas atij Bardhë e Blu…

Ke Tirona jonë t’gjith jon kapitena

ndrit si Yll e Hon, i bukri Ali Mema…

Ja pikërisht përmes këtyre vargjeve brilante këngëtari popullor e ka përjetësuar figurën e shkëlqyer sportive e njerëzore të të pa vdekshmit Ali Mema që sot shkoi të bashkohet me shokët e tij të asaj kohe të artë, të cilët i patën ikur prej kohësh, e i mungonin aq fort. “Fort i dashtuni e i respektumi Alija!”, të thonë në Shkodër, posa zë në gojë emrin e tij, e teksa shkodranët s’e harrojnë kurrë futbollistin e madh e njeriun me zemër të madhe e qelibar që pat veshur përkohësisht dhe e mbajti me nder fanellën e Vllaznisë së tyre të dashur, dhe që nuk pranoi me shumë personalitet e dinjitet të luante kundër Tironës së tij.

I lindur në Tiranë, më 1943, djaloshi Ali Mema do të rrëmbehej magjishëm pas topit të vogël e lojës magjike të futbollit, si pak kush tjetër. Dhe ishte vetëm 14-15 vjeçar kur selektori i famshëm i bardhë e bluve dhe i futbollit shqiptar, Mjeshtri Xhavit Demneri do ta afronte tek Tirona e zemrës së tij për të mos e ndarë më dot kurrë deri në frymën e tij të fundit. E më pas Liu polivalent e zemërluan në fushën e lojës do të ngjiste si rrallë futbollist tjetër në duart e Lym Allës duke u shndërruar kësisoj në futbollistin lider e ikonë të Tironës së famshme të viteve ’60-’70, por edhe në beniaminin e të sertit trajner Alla që e donte po aq sa djemtë e tij. Disa tituj Kampion e gjithashtu disa Kupa të Shqipërisë me uniformën e shenjtë të Bardhë e Bluve, ku preludi i njërës prej tyre, ku Ali Mema shndërrohet në finalen e Kavajës kundër Besës në golashënues e portier ka mbetur unik edhe sot e kësaj dite në historinë e futbollit shqiptar.

Ali Mema ishte pothuajse gjithçka tek Tirona, shpirti, zemra, mendja, truri, gjaku, sedra, grinta, dashuria për fanellën e qytetin, respekti për shokët e kundërshtarin, sakrifica dhe kushtrimi për fitore, sepse ai kishte lindur për të qenë vetëm Fitues, dhe i tillë mbeti gjithë jetën e tij. Fitimtar, tek fitoi mbi të gjitha zemrat e respektin e të gjithëve, brenda e jashtë Shqipërisë. Të paharruara e të mëdha ndeshjet e famshme evropiane të tij kundër Kilmarnokut, Ajaksit, Standard Liezhit, po aq sa edhe ato ballkanike kundër Rapidit të Bukureshtit, Fenerbahçes, Cerno Moretsit të Bullgarisë etj., etj…

Mesfushor – sulmues i një tipi të rrallë e unikal, që e kishte zili çdo skuadër futbolli. Shënues në ndeshje tepër të vështira e decizive brenda e jashtë fushe, përçues i rrallë i traditës bardhë e blu në sportin e tij të zemrës. Super korrekt në fushën e lojës me këdo e veçmas edhe me kundërshtarin e gjyqtarët, i veçantë në komunikimin e marrëdhëniet e tij mbresëlënëse me tifozët e llojit të rrallë të Tironës së vet, të cilët nuk i ndërronte me askënd në botë. Një nga pikat më të forta të Kombëtares shqiptare të viteve ’60-’70, ku spikasin në veçanti ndeshjet me Gjermaninë, Zvicrën, Danimarkën, Holandën, Irlandën e Veriut, Jugosllavinë, Poloninë, Rumaninë, Turqinë etj., ku Dueli Mema – Overath në mesfushë në ndeshjen e 1967-s me atë 0-0 të pa harruar në Tiranë ishte ndër kujtimet më të bukura të asaj ndeshjeje të madhe të kuq e zinjve që tronditi botën e futbollit. Dhe Ali Mema do ta mbante me nder e dinjitet të rrallë fanellën e Kombëtares së tij në ato 14 ndeshje që e veshi atë duke dhënë në fushën e lojës më të mirën e mundshme të tij. Sa për fanellën Bardhë e Blu, NO COMENT, ajo fanellë e Ali Mema dukej sikur kishin lindur për të qenë përjetësisht dashuria e pa përsëritshme e njëri tjetrit dhe ashtu mbeten deri në frymën e tij të fundit. Edhe kur u shkëput në atë moshë ,teksa kishte ende për t’i dhënë goxha futbollit në fushë si lojtar Ali Mema nuk mundi dot t’i thoshte kurrën e kurrës Lamtumirë Futbollit ndaj u ul po aty në bankinën Bardhë e Blu e herë në krah të Ver Shehut e herë në krah të Mjeshtrit të madh, Fatmir Frashëri apo më pas edhe të Çim Muçës e të nipit të tij Sul Memës do të kontribuonte si pak kush tjetër në fitimin e sa e sa titujve të tjerë Kampion e Kupave të Shqipërisë për Tironën e tij të zemrës. E kisha mik për kokë shumë të mirë e shumë të hershëm, mik të shtrenjtë e të afërt familjar, dhe kam aq shumë histori e kujtime, mbresa e rrëfenja sportive e qytetare nga Ali Mema sa zor të hedh në këtë shkrim qoftë edhe 10 për qind të tyre. Ishte i rrallë e brilant si futbollist i lindur për të qenë një fitues i madh, ishte vlerë e rrallë qytetarie e civilizimi si njeri, si baba, si prind, si bashkëshort si mik, si shok, si komshi, si bashkëqytetar i rrallë e tepër i respektueshëm me këdo, ishte i thjeshtë deri në admirim e fisnik deri në adhurim. Mbarte vlera njerëzore të rralla e të veçanta për të cilat do të kujtohet me respekt e mirënjohje të veçantë nga të gjithë ata që patën fatin ta njohin në fushën e lojës, por edhe jashtë saj si qytetarin model të Tironës sonë të dashur. Sot futbolli shqiptar por edhe qytetaria tironase është tronditur fort prej lajmit shokues të ndarjes së tij prej kësaj bote. Komuniteti sportiv shqiptar e veçmas ai bardhë e blu janë zhytur në lot hidhërimi e dëshpërim të thellë. Tirana jonë humbi një ikonë të rrallë qytetarin e dorës së parë, Ali Mema, Nderin e Qytetit tonë. Historia gati 100-vjeçare e klubit Bardhë e Blu humbi një Legjendë e një Mjeshtër të madh të futbollit të saj. Shqipëria humbi një Brilant futbolli, i cili asaj, por edhe vendeve të tjera mund ti vijnë vetëm një herë në 100 vjet. Fatkeqësi të ndryshme familjare përjetove në jetën tënde, o i shtrenjti mik i rrallë Ali Mema, por asnjëherë nuk e dhe veten e nuk iu qave e as iu ankove askujt, sepse shpirti yt i sakrificës e gjeni yt fisnik nuk ishte mësuar kurrë as të qahej e as të ankohej. Sa kujtime të mrekullueshme njerëzore e profesionale ke lënë tek ish-nxënësit e tu të Politeknikumit “7 Nëntori”, o Profesori i dashur i tyre Ali Mema. Sa respekt e dashuri ke lënë tek të gjithë që të njohën e i njohe që të deshën e i deshe si pak kush me atë zemrën tënde bujare e të gjerë, me atë gojë-ëmbëlsi, që vetëm xhevahire e urime nxirrte e përcillte tek kushdo që kishte fatin të fliste e kuvendonte me ty për futbollin e përtej tij.

Alma e Ardi ndihem vërtet keq sot që nuk mundem dot të jem aty me ju për të ndarë së bashku dhimbjen e madhe, për t’i dhënë Lamtumirën e fundit Babait tuaj të shtrenjtë, për t’i hedhur një grusht dhe, mikut tim të çmuar e të rrallë, për t’i vënë një kurorë lule mbi krye atij që na lumturoi si rrallë kush në ato vite të mbrapshta të asaj kohe mizerabël që na kish rënë për hise për ta jetuar asisoj ne shqiptarëve. Por ju siguroj, se me shpirt e zemër jam aty krah jush, sikurse kam qenë prej dekadash të tëra, që kur u bëra mik-nderi i familjes së respektuar tironase Mema që aq sa më duan po aq edhe i dua.

Jam aty me ju e pranë familjes suaj tepër të nderuar e të respektuar, pranë të gjithë komunitetit futbollistik bardhë e blu e atij shqiptar, duke u përkulur me nderim të thellë e mirënjohje të veçantë, me shpirt të copëtuar e zemër thyer për t’i thënë Lamtumirë! U prehsh në Paqe e të qoftë i lehtë Dheu i Tironës tënde, o i Madhi e i Pa përsëritshmi futbollist, trajner, familjar e qytetar brilant i kryeqytetit tonë Ali Mema…!

Me përulësi, respekt, mirënjohje e konsideratë të veçantë!