“Kristiano Ronaldo” shkon në kopsht

447
Sigal

CRCA Shqipëri dhe UNICEF nga viti 2013 po zbatojnë nismën “Çdo fëmijë rom në kopsht”

Kristiano Ronaldo (Hasani), një fëmijë 4 vjeçar që jeton pranë stadiumit të qytetit të Elbasanit, është shumë i veçantë për aftësitë dhe talentin që ka. Nuk është rastësi emri i tij, por një lidhje pasioni dhe adhurimi që familja e Kristianos ka me Kristiano Ronaldon e vërtetë. Kristiano Ronaldo (nga Elbasani) ka një talent të lindur, i cili duket që nga mënyra se si ai luan me topin, por duket qartë se adhurimin që prindërit e tij kanë ndaj Kristiano Ronaldos të vërtetit ia kanë transmetuar edhe fëmijës së tyre. Kristiano jeton në një familje e cila përbëhet nga 6 anëtarë, babai, nëna, vëllai, gjyshja dhe gjyshi. Familja jeton me të ardhurat që siguron babai i Kristianos, i cili punon në tregun e sendeve të përdorura dukë shitur orë dhe aksesorë të tjerë të përdorur. CRCA Shqipëri në bashkëpunim me UNICEF që nga muaji tetor i vitit 2013 po zbatojnë nismën “Çdo fëmijë rom në kopsht” në qarkun e Elbasanit. Kjo nismë ka si qëllim kryesor sigurimin që fëmijët rom të kenë akses dhe shanse për një fillim të barabartë në jetë duke filluar që nga integrimi i tyre në kopsht si dhe ndërtimin e rrjeteve të advokimit dhe praktikave të suksesshme për integrimin e fëmijëve rom në Shqipëri.

Një ndër angazhimet kryesore të kësaj nisme është integrimi në kopsht i fëmijëve të grupmoshës 3-6 vjeç. Dy fëmijët e familjes Hasani, Kristiano Ronaldo (Hasani) 4 vjeç dhe Stuarti vëllai I Kristianos 6 vjeç nuk frekuentonin kopshtin më parë. Pas njohjes me të gjitha të dhënat CRCA planifikoi planin e ndërhyrjes për të dy vëllezërit Hasani në koordinimin me Drejtorinë Arsimore Rajonale Elbasan. Pasi u bë e mundur pajisja e dy vogëlushëve me kartelat e vaksinimit dhe certifikatat personale u procedua me regjistrimin e tyre në kopsht. Sot, Kristiano dhe Stuarti frekuentuan për herë të parë në jetën e tyre kopshtin. Entuziazmi dhe gëzimi i tyre ishte i madh, por dhe respekti dhe dashuria nga miqtë e rinj u mishërua në përqafime të panumërta në këtë ditë të parë të tyre në kopsht. Është e sigurt se shoqëria e Elbasanit sot ka fituar dy vlera të shtuara për dy qytetar model të së nesërmes.

Mergit Vataj