INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Krenar Alimehmeti, ish-mbrojtësi i Tiranës analizon 23 javët e Superiores
Agron Kaja
/Telegraf.al/ Në javën e 23-të e Superiores u shënuan 9 gola me një mestare 1.80 gola për ndeshje, prisnit shifra të tjera?
Unë mendoj se kjo është një shifër normale, sepse kampionati është në një fazë që mund të shënosh edhe më shumë gola, pasi çdo skuadër kërkon të konsolidohet me tej. Veç Egnatias, skuadrat e tjera duhet të jenë më pranë golit.
Mos po “fiken” goleadorët me këtë shifër të ulët shënimi?
Po, edhe kështu është. Sepse duke qënë të fokusuar që mos pësojnë gola, humbasin golashënuesit. Gjithsesi, pritet që të korrigjohet shënjestra e golashënuesve gjatë ndeshjeve në vazhdim, kryesisht në fazën e katërt.
Cilën nga ndeshjet e javës së 23-të e veçoni si më të mirën në treguesit kryesorë të saj, dhe cilën si më të dobët?
Nëse i referohemi me kujdes, unë them se të gjitha ndeshjet ishin të mira dhe me rezultate befasuese. Sot nuk mund të veçosh ndeshje për bukurinë e tyre, sepse rezultatet varen nga synimi që ka çdo skuadër, njëherësh edhe pozicioni në renditje.
Po “Derbin” e kryeqytetit që u luajt në Durrës, si e vlerësoni fitoren e Dinamos pas 15 viteve?
Nëse Dinamo City do vazhdojë në Durrës, duhet që të hiqet fjala “Derbi i kryeqytetit”. Sepse ashtu, fjala “Derbi” i takon të gjitha ndeshjeve të tjera. Partizani-Tirana është “Derbi” i vërtetë i kryeqytetit, dhe i gjithë Shqipërisë.
Nga “derbi” i kryeqytetit që u luajt në Durrës, në javën e 24-t, në Tiranë luhet “Derbi” tjetër të kryeqytetit Partizani-Tirana, si e parashikoni?
Kjo është një ndeshje “Derbi” komplet tjetër nga ai në Durrës, si nga skuadrat, ashtu edhe nga tifozeria. Për rezultatin, zemra më thotë për Tiranën, por shpresoj të zhvillohet një ndeshje e bukur, të sjellë sa më shumë shikues e të fitojë më i forti.
Po i drejtohemi fundit të fazës së tretë, si e shikoni renditjen në katër javët e mbetura?
Me këto rezultate që janë shënuar në javët e fundit, veç Egnatias kryesuese, është vështirë të japësh një përcaktim të saktë për skuadrat e tjera. Dëshira ime është që në çdo përballje të fitojë skuadra më e fortë, pa dritëhijet e tjera.
PARTIZANI – TIRANA
Takimi Parë
Takimi i parë Partizani-Tirana është luajtur më 30 mars 1947. “Demat e kuq” fituan thellë 8-0
Takimi fundit
Takimi i fundit Partizani-Tirana është luajtur më 3 dhjetor 2023. Ndeshja u mbyll në barazim 1-1
ABISSNET SUPERIORE
NDESHJET, JAVA 24
Të premten, 16 shkurt 2024
Teuta-Kukësi 16:00
Partizani-Tirana 19:00
Të shtunën, 17 shkurt 2024
Laçi-Dinamo City 13:30
Erzeni-Skënderbeu 13:30
Vllaznia-Egnatia 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Egnatia 23 48
2.Partizani 23 37
3.Vllaznia 23 37
4.Tirana 23 34
5.Dinamo City 22 31
6.Laçi 23 28
7.Skënderbeu 22 28
8.Erzeni 23 23
9.Teuta 23 21
10.Kukësi 23 19
BILANCI HISTORIK
Partizani-Tirana
Ndeshje 171
Fitore Partizani 71
Barazime 49
Fitore Tirana 51
Golat 229:185
“AIR Albania” nuk është gati, në dyshim “Derbi”!
Java e 24-t e Abissnet Superiore do të luhet në datat 16 dhe 17 shkurt 2024, por vëmendjen e kësaj jave e merr më shumë “Derbi” i kryeqytetit Partizani-Tirana. Kjo sfidë e planifikuar të luhet të premten e 16 shkurtit në orën 19:00, është planifikuar të luhet në stadiumin “Air Albania”, por vendimi nuk është përfundimtar. Shkak të një problemi në tribuna në sektorin e tifozërisë vendees, sepse është thyer një pjesë xhami që bën ndarjen e tribunave. Kjo është arsyeja përse në njërën prej tribunave pas portave nuk po lejohen tifozë dhe nuk dihet nëse ky problem do të mund të zgjidhet për “Derbin” Partizani-Tirana. Shanset janë që ky problem të korrigjohet, por edhe nëse ndodh, ndeshja do të spostohet në “Arenën e Demave”, i cili ka një kapacitet prej 4 mijë vëndeve.