Kostandin Grillo: Kur mbërritëm në Beograd ishte qetë

877
Sigal

Tregon Kostandin Grillo, komentatori i ndeshjes Serbi- Shqipëri: “Serbët i kanë venë emrin e Platinisë një kompleksi të madh sportiv në Beograd” 

Ju ishit pjesë e ekipit shqiptar në Beograd?Jo, unë isha me delegacionin e Radio Televizionit Shqiptar që kishte të drejtat ekskluzive të transmetimit të ndeshjes nga stadiumi Partizani i Beogradit. Ishim 8 veta dhe u nisëm të hënën në mëngjes me dy autovetura nga Tirana nëpërmjet Shkupit.

 Pra ju nuk fluturuat në një avion me ekipin tonë?
Jo s‘kishim asnjë lidhje me delegacionin e përfaqësueses. Ata u vendosën në hotel “Crown Plaza” në Beogradin e ri, ndërsa ne ishim akomoduar në hotel “Moskwa” m’u në qendër të Beogradit, ngjitur me pedonalen e famshme Knjaz Mihajlov. Në këtë hotel sipas të thënave ishte arrestuar patrioti Hasan Prishtina dhe kishte qëndruar për një kohë të gjatë Ahmet Zogu.

 Ekipi ynë mbërriti më 13 tetor?
Po në 13 tetor. Edhe në 13 tetor. U takuam në stadium në darkë kur kreu seancën stërvitore dhe trajneri De Biazi dha konferencën e shtypit të programuar një ditë para takimit.

  Si ishte klima e pritjes?
E kam thënë edhe gjatë transmetimit, nuk mbante era ndeshje fare. Që në kufi kur u futëm me 2 autoveturat e TVSH. Kaluam për 1 minutë. As na kontrolluan bagazhet fare. Ndaluam në rrugë para Preshevës dhe Bujanocit dhe bëmë foto me djemtë (në autostradë). Nuk u futëm në qytet sepse nxitonim që të gjendeshim në stadium për akreditimet dhe ndjekjen e konferencave të shtypit të dy trajnerëve dhe ndjekjen e stërvitjes së ekipit kombëtar në orën 19:00 në stadiumin Partizani. Çdo gjë ishte në një klime krejt ndryshe nga ajo që përjetuam në stadium ditën e ndeshjes. Na dukej vetja si në Tiranë, sepse në mbrëmje dolëm me shokët nëpër kafe dhe patëm vetëm ngacmime për rezultatin e ndeshjes. Dëgjonim (unë komunikoj serbisht) të na thonin do t‘ju mundim me 2-0 3-0, 4-0.

Ndeshja do të kryhej pa tifozë shqiptarë dhe pa simbole. Si i kishte pranuar këto kushte Federata Shqiptare e Futbollit?
Kjo është një çështje që ka në dorë UEFA dhe të dy federatat respektive, ka marrëveshje që të dy takimet të luhen pa tifozët e të dyja skuadrave, sepse në raste të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën për shembull Turqi-Greqi pa tifozët që të udhëtojnë në Athinë apo Stamboll, kështu që mendoj se, ky nuk është një problem i rëndësishëm. E mira është që të ketë tifozë, por në të tilla raste edhe UEFA i këshillon të dyja federatat. Asnjë tifoz serb nuk do të vinte në ndeshjen e kthimit në Shqipëri, ashtu si ne nuk do të shkonim atje.

Po djemtë e ekipit tonë ndiheshin nën presion psikologjik një ditë përpara ndeshjes – kur ju jeni takuar me ta d.m.th në mbrëmjet e 13 tetorit?
Aspak, në stadium ishte një qetësi absolute. Isha unë vetë dhe televizioni ynë së bashku me supersportin. Shumë qetë ishte. U takuam me ekipin një ditë përpara ndeshjes. Kishte forca të shumta policie që ruanin stadiumin brenda dhe jashtë dhe s‘pati asnjë lloj incidenti. Deri më 14 tetor në orën 18:00. Edhe paraditja e 14 tetorit ishte në kushte të qeta. Diku aty nga ora 16:00-17:00 në qendër të Beogradit, takoj se bashku me Edmond Gëzdarin, të cilin e kishim pjese të delegacionit tonë të TVSH, Igli Taren dhe 2 ish-futbolliste të kombëtares, Ardian Aliaj që i ka shënuar gol Greqisë në fitoren e 2004-s dhe Ervin Fakaj si edhe një djalë me emrin Ëngjell i veshur me kostum që më duket se punonte në Ministrinë e Jashtme tonën. U ulëm bashkërisht dhe pimë nga një kafe. Ata sa kishin ardhur nga Roma  me avion dhe ky Ëngjëlli se me kë komunikoi në ato çaste dhe i thanë që kanë ndaluar 30 veta që kanë ardhur në aeroport në atë orë nga Tirana, midis tyre Olsi Rama, i vëllai i Kryeministrit, Bledi Fevziu, Andi Bushati, Sokol Balla, deputeti Spartak Braho dhe disa të tjerë.

NË STADIUM NA PRISTE NJË FERR I VËRTETË STADIUMI SA HYMË OSHËTINTE “VRITINI, VRITINI SHQIPTARËT”

  Le t’i kthehemi 14 tetorit orës 18:00 – çfarë ndryshoi në atë orë?
Ne, në orën 18:00 e kishim lënë të niseshim nga hotel “Moskwa” me 2 taksi (makinat i kishim mbyllur në garazh që një natë më parë) për në stadium se do të bënim edhe prova. U ndamë me Igli Taren dhe shoqëruesit e tij për të shkuar te hoteli… Atje e gjetëm hotelin të rrethuar nga forca të shumta policie. Na thanë se nuk do shkonim në stadium se ishte e rrezikshme, por do të shkonim tek hoteli i përfaqësueses, Crown Plaza dhe që atje që të gjithë lojtarë, drejtues dhe ne do të niseshim të shoqëruar në stadium. Nga Radio Televizioni Shqiptar bashkë me mua ishin Dëfrim Met’hasani, Edmond Gezdari, juristi Sokol Gjoshi, Dritan Mile kryeinxhinieri, Kleart Duraj drejtori i marrëdhënieve me jashtë dhe Elton Kadisi i marketingut së bashku me Gjergj Smokthinen, pra kemi qenë 8 veta. Te “Crown Plaza” e kuptuam se gjërat kishin ndryshuar. Forca të shumta policie, speciale të ndërhyrjes  së shpejtë, por edhe me uniforma ushtarake na kishin rrethuar gjithandej, përveç forcave civile të policisë që ishin të shumtë. Harrova të them se ajo që më bëri përshtypje ishte se ndërmjet policive kishte dhe disa që flisnin pastër shqip. Në  orën 19:30 u nisëm të gjithë për në stadium: i pari autobusi i lojtarëve dhe stafit drejtues, një autobus i dytë me 2 kate ku ishin tifozë dhe gazetarë dhe një mikrobus me pak vende nja 20 vende që mbante mbrapa një rimorkio me çanta dhe valixhet e atyre që pas ndeshjes do të fluturonin direkt për në Tiranë. Nga hoteli në stadium ishte një distancë me makinë prej 10 minutash, e cila kaloi qetë, por rruga ishte boshatisur dhe çdo 50 metra ishte një polic i armatosur.
Në stadium pastaj ishte një ferr i vërtetë. Një frikë, një panik i madh.

 Nga ana juaj?
Nga të gjithë në 100-150 veta që ishim. Kishin ardhur kryesisht, shumë biznesmenë nga Shqipëria,

ISHTE SI GJENDJE LUFTE E PAMUNDUR TË LUHEJ FUTBOLL, SHASHKA, FLAKË E TYM NGA DO

Tifozët serbë, 32 mijë. Ndërsa ju gjithsej jo më shumë se 100-150 veta?
Jo. I gjithë delegacioni me futbollistë dhe gazetarë dhe shoqërues të ekipit. Na akomoduan në tribunat VIP disi të izoluara nga publiku. Ne u futem në kabinën e transmetimit dhe atje dëgjoheshin vetëm sharje ofendime thirrjet  “ubi ubi shifrari” dhe shumë të tjera. Ishte e vështirë të merrej vesh, sepse dëgjohej një oshtime e pafundme, por në shprehjet kryesore i kuptuam. Ishte si në një gjendje lufte… dhe unë mendoj se ishte e pamundur atje të luaje futboll. Ishte mendimi im kur e pashë atë situatë. Ne ishim që të tetë nga RTSH në kabinë. Si mund të luhej në atë atmosferë që vetëm për futboll nuk ishte e përshtatshme. Shashka, flakë e tym ngado.

Po De Biazi si e pranoi që të luhej ndeshja në ato kushte?
Këto pastaj janë çështjet e federatës dhe UEFA-s. Kabina jonë ndodhej në anën e kundërt të tyre, s’kishim asnjë lloj kontakti me ata. Ishim në katin e sipërm dhe në të kundërt me ta.

Shashkat i hidhnin që në fillim të ndeshjes?
Po, po, shashka, bomba, tym, flakë, sharje që kur u futëm ne në stadium. Ata do kishin kohë që ishin futur. Tifozët e tyre do ishin aty që nga ora 18:00.

 Po si e pranoi Duka bashkë me De Biazin që ekipi shqiptar të luante në këto kushte? Të luanin në ferr?
Prandaj thashë unë që kam shkuar në shumë stadiume, por të tillë tmerr s‘kisha përjetuar kurrë. Ata janë që vendosin. Ne s’mund të ndërhyjmë. Për mua ata duhej të mos e fillonin lojën, por vetëm se është përgjegjëse UEFA, se ajo të dënon nëse nuk zbret në fushë sipas rregulloreve

DUKA-DE BIAZI I KANË RREZIKUAR DJEMTË E EKIPIT

 Ju keni bërë një komentim të jashtëzakonshëm sepse i keni treguar opinionit se si është situata. Unë si gazetare mendoj që as Duka dhe as De Biazi nuk kanë vepruar si duhet sepse kanë rrezikuar djemtë.
Në mikrofon nuk kam treguar gjysmën e frikës sepse s‘doja të përhapja panik, plus që drejtuesit e TVSH-së na thanë të kishim kujdes në komente se na monitoronte EBU-ja. Edhe unë jam i njëjtit mendim me ju

Ekipi shqiptar shumë gjakftohtë – tifozët serbë dukeshin si kriminelë të droguar – serbët e kuptuan se nuk do të fitonin dot

Po ekipi shqiptar në fushë si reagonte ndaj kësaj situate?
Shumë korrekt, shumë të qetë, shumë gjakftohtë …dhe unë mendoja se pasi kaloi vrulli i 20 minutave të para se nuk do të na mundnin kurrë.

A nuk po luante ekipi nën një presion të paparë psikologjik?
Ata ishin të gjithë të përqendruar. Ata janë profesionistë të vërtetë, plus që ajo atmosferë dhe sharjet i ngritën nga ana psikologjike duke vënë zemrën në radhë të parë.

VOAL: Një gjë për saktësi sharjet “vritini shqiptarët” dhe shashkat me tym kur filluan ?
Kostandin Grillo:
 I gjetëm atje, edhe sharjet edhe tymueset. Ata ishin kriminelë, tifozët  të shpërfytyruar, të droguar, jua shikoja fytyrat dhe kisha frikë edhe unë që isha lart. Ndeshja filloi me himnin që s‘u dëgjua fare. Ne atje të paktën s’e dëgjuam. E këndonin vetëm me zë, më duket pa muzikë fare, lojtarët. Gjithsesi, se dhanë veten lojtarët tanë. Nja 20-25 minuta serbët bënë një lloj presioni, ndihmuar mendoj pak edhe nga gjyqtari anglez Atkinson, i cili i ndihmoi në disa raste. Nuk iu dha kartonë, që duhej të jepte për ndërhyrje të egra. Nga minuta e 25 ndryshoi çdo gjë dhe atëherë mendoj unë, se filloi rrëmuja.  Në 3 pika të stadiumit që unë i kisha përballë shikoja që tifozët filluan të tentonin të futeshin në fushë. Ata e kuptuan se loja e futbollistëve serbë nuk mund të prodhonte atë fitore të madhe që ata ëndërronin (2-3-4 me 0) dhe filluan të gjuanin edhe me sende edhe me fishekzjarrë. Diku aty nga minuta e 30, kur fituam goditjen e parë nga këndi, shkoi Agolli ta ekzekutonte dhe ata filluan ta godisnin. Për pak sekonda gjyqtari e ndërpreu ndeshjen dhe shkoi më duket kapiteni tyre atje dhe ata e lanë Agollin ta ekzekutonte. Këto ishin përpara se të shfaqej banderola. Një gjuajtje ishte rast i Mavrajt e priti portieri, edhe 2 goditje të tjera këndi për ne, pra 3 të tilla në favorin tonë vetëm 1 në favorin e tyre, por edhe rasti i madh për gol i Lorik Canës me kokë e agravuan situatën. Atëherë filluan të fishkëllenin edhe tifozët serbë lojtarët e tyre, sepse po ndjenin lagështi. Ne themi një shprehje jo të mirë në futboll, “u ranë të mbathurat”, i vumë përpara. Kjo solli atë situatë që pastaj si pretekst u përdor banderola që u shfaq diku afër fundit të pjesës së parë. Erdhi nga jashtë stadiumit lart në errësirë deri sa nuk kuptohej se çfarë ishte. Unë e pashë dhe e kuptova që ishte harta e Shqipërisë etnike dhe mendova se shkruhej Kosovë, bile e thashë, edhe në transmetim. Banderola u shfaq kur në stadium s’ishte lënë gjë pa u bërë. Banderola s’erdhi nga stadiumi. Ajo komandohej nga jashtë, thuhej 2-5 kilometra  larg. Pas takimit, ne, pala shqiptare, pa përjashtim u kontrolluam të gjithë një për një dhe nuk u gjet asgjë.

 

 

……………………………………………………………

 

 Sepse dyshohej se mos banderolën e kishin sjellë shqiptarët ? U kontrolluan të 150 vetat?

Të gjithë, pasaporta dhe kontroll trupor dhe çantat apo gjithçka që kishin nëpër duar. Na mblodhën të gjithëve, jashtë stadiumit, në një vend diku.

Bashkë me ekipin?
Jo ekipin e kishin kontrolluar në dhomat e zhveshjes. I ke parë pamjet besoj në TV. Edhe vëllain e Kryeministrit e kontrolluan bashkë me të tjerët. Që të gjithë, asnjë nuk linin të hipte në autobuz pa e kontrolluar dhe pa pasaportë

A kishte kërkuar arbitri ridaljen në fushë të ekipit tonë?
Më thanë që jo arbitri, por përfaqësuesi i UEFA-s. Delegati i UEFA-s kishte pyetur nëse ishin në gjendje të dilnin në fushë lojtarët. Gjithsesi, Federata e ka lënë pak në errësirë këtë çështje kryesore për ne, nuk ka dalë zyrtarisht ta përgënjeshtrojë atë që është thënë.

  Çfarë është thënë?
Sepse ne altoparlantët e stadiumit u tha 2-3 herë që ndeshja do rifillonte dhe nëse kryhej edhe një hedhje më e vogël cigareje apo sendi atëherë ndeshja mbyllej përgjithmonë. Bile, doli edhe trajneri i tyre, avokati dhe rezervat në fushë e bankinë. Ata kanë thënë se u pyetën nëse ishin në gjendje të vazhdonim, por sipas UEFA-s atyre u është thënë që të dilnin të vazhdonin, nuk e dimë se cili gënjen ose nuk thotë të vërtetën.

Kur u shfaq banderola:
Banderola doli nga minuta 37-38. Por bëri 2-3 minuta në ajër. Erdhi nga mbrapa portës në cep të stadiumit, ku ishte i vendosur portieri serb.

Po, por deri atëherë në stadium ishte bërë nami apo jo, ishin sharë shqiptarët, ishte përdhosur himni, ishin hedhur sende goditëse në fushë, shashka, tym e flakë, ishin goditur shqiptarët tek VIP – Në këto kushte normalisht a luhet një ndeshje sipas standardeve të UEFA-s, kur pala shqiptare kishte respektuar vendimin e UEFA-s që të vinte pa tifozë dhe pa simbole?

Ka rregullore që ato dënohen me gjoba dhe pezullim fushë në ndeshjet e ardhshme që të luhen pa tifozë, ndërsa sulmi i tifozëve ndaj lojtareve tanë është automatikisht ndërprerje takimi dhe dhënie 3 pikë në tavolinë.

RREZIKOHEJ GJAKDERDHJE

D.m.th ju thoni se ndeshja do të fitohet në tavolinë me gjithë presionin duke filluar nga Platini ?
Tashmë që u ngatërruam me këmbët tona me banderolat për mua është 70 për qind për në tavolinë dhe 30 për qind përsëritje e takimit në vend asnjanës pa tifozë.

Unë nuk mendoj se ka arsye që do ta penalizonte ekipin tonë për një banderolë që mund ta ketë hedhur gjithkush. A nuk ishte pala serbe përgjegjëse për të garantuar mbarëvajtjen, ndërsa deklarata e Platinisë ishte thjeshtë një marrëzi për mendimin tim.
Gjithsesi, unë jam i mendimit se nëse një futbollist serb do kishte qëlluar me grusht ndonjërin prej lojtarëve tanë ose anasjelltas (vetëm pak të shtyra patën) atëherë do kishte gjakderdhje. Deklaratat janë kot sepse verdikti jepet nga komisioni. Natyrisht serbet kane lobing më të fortë se ne.

Po lojtari ynë i qëlluar me stol? Një pyetje tjetër
a mund të toleronte skuadra italiane apo franceze apo gjermane një situatë të tillë?
Asnjëherë, kurrë.

  E pra, kaq mjafton, ky diferencim diskriminues, sepse standardet janë njëlloj. Kështu duhet t’i ketë UEFA si garantuese.
Serbët i kanë vënë emrin e Platinisë në një kompleks të madh sportiv që kanë ndërtuar përpara ca kohësh dhe Duka ka qenë prezent në ceremoni.

Po shqiptarët kanë votuar për Platininë.
Kostandin Grillo:
 Me këmbë e duar.

Avokat Ngjela bënte këto ditë thirrje për largimin e Dukës. Unë mendoj se Duka ka mbajtur një qëndrim shumë të papërgjegjshëm ndaj ekipit tonë, përfshi edhe De Biazin.

Nuk e largojnë.

Çfarë do të thoshe diçka që vlen ta përmendim.
Unë them se po të mos ishim marrë me banderolën ne fitonim edhe në fushë edhe në tavolinë me ata, njëqind për qind.

KËRCËNIMI I JETËS TË FUTBOLLISTËVE TANË ISHTE ARMA JONË, FEVZIU ME SHOKË MERRESHIN ME BANDEROLËN

Jo, unë nuk mendoj kështu, sepse banderolën nuk e sollën lojtarët shqiptarë në fushë. Cili është argumenti kryesor i ekipit tonë?
Kërcënimi i jetës së futbollistëve ishte arma jonë. Më e forta dhe më e saktë, sipas rregullores të UEFA-s. Ndërsa Fevziu me shokë merreshin me banderolën.

Por ne nuk merremi me banderolën, sepse ndeshja është ndjekur nga publiku shqiptar, por edhe nga futbollistë dhe ekspertë. Dhe ti e the shumë bukur se banderola ishte ajo ishte pretekst. Ata edhe kur filluan Luftën e Parë Botërore gjetën një pretekst.
Ajo nuk duhej te ishte përmendur fare, sepse dhuna erdhi nga paraqitja jo e mirë e lojtarëve serbë, për mua dhe jo nga banderola. Këtë po them pretekst që edhe mediat tona jua dhuruan. Gazetarët e politikës nuk njohin rregulloren e futbollit sikurse ata te futbollit nuk e njohin rregulloren e politikës.

Kur u pa se po rrezikohej jeta e ekipit tonë?
Kostandin Grillo: 
Filloi që në hedhjen e sendeve në drejtim të Ansi Agollit në goditjen e parë nga këndi shumë minuta përpara se të shfaqej banderola në stadium aty nga minuta e 28-30 mendoj në mos gaboj.

Diçka për kthimin.
Po ju them edhe një detaj tjetër. Pasi u larguam të shoqëruar me 2 eskorta policie nga stadiumi në hotel “Moskwa” ne, rreth 10-12 veta qëndruam shumë afër me hotelin në një lokal deri në orën 3 të mëngjesit duke ngrënë diçka dhe duke pirë nga një birrë, ndërkohë që policia na pyeti të qëndronte me ne apo jo, ne u thamë nëse kemi problem, hoteli është shumë afër dhe ju lajmërojmë, kështu që u larguan dhe s’na ngacmoi njeri. Të nesërmen u nisëm në mëngjes në orën 11-11:30 nga hoteli me dy makinat tona, dhe para nesh edhe Petri Bozo me makinën e tij drejt kthimit, por këtë herë i ramë nga kufiri me Kosovën. Shikonim fytyra të ngrysura, por ngacmime nuk patëm. Ndërsa pjesa tjetër, që të gjithë të tjerët u larguan me aeroplan. Ekipi jonë u kthye me çarter rreth orës 2-3:00 të natës. Vetëm ne 8 pjesëtarët e TVSH-së dhe rreth 20 veta që kishin ardhur me kompaninë turistike “Guliver” të Erion Hoxhës ndërmjet tyre dhe gazetari Artan Hoxha i News 24 me bashkëshorten e tij, qëndruam bashkërisht në hotel “Moskwa”. Ata u larguan 1 ditë pas nesh pra me 16 tetor, ne me 15.

 Ke diçka për të thënë, për të shtuar?
Kostandin Grillo: 
Fitoren me 3 pikë, patjetër!

I nderuar Kosta të falënderoj si gazetar, por edhe në emrin e opinionit shqiptar, sepse bashkë me Gëzdarin dhe me Dëfrim Met’hasanin gjatë komentimit të ndeshjes, përveç profesionalizmit të lartë, keni dëshmuar besnikërisht atë që ngjau në stadium.
Ju faleminderit shumë!

Intervistoi: ELIDA BUÇPAPAJ