Kombëtarja U-21 shmang turpërimin në minutat e fundit

423
Sigal

Një gol në minutën e 86-të i Din Sulës shpëtoi Shqipërinë e 21-vjeçarëve nga një humbje turpëruese ndaj Andorrës që u hakmor një farë mënyre për humbjen e përfaqësueses së madhe duke ndalur Shpresat kuqezi në një barazim 2-2. Kjo ishte pika e parë për skuadrën e Alban Bushit në këto eliminatore, me Shqipërinë U-21 që tregoi sërish limite në mbrojtje duke i falur dy gola Andorrës.

Mbrojtja është pika më e dobët e kësaj përfaqësuese që luan mirë në sulm krijon raste dhe shënon por prapa fut ujë nga të gjitha anët. Në minutën e 19-të sfida u zhbllokua teksa kapiteni Alaez kaloi në avantazh vendasit. Me rezultatin 1-0 u mbyll pjesa e parë ndërkohë që fraksioni i dytë nisi me dy ndryshime te Shqipëria. Pikërisht mesfushori i Shkëndijës së Tetovës, Omar Imeri i ardhur në fushë nga stoli barazoi rezultatin në të 53-ën.

Por baraspesha zgjati vetëm 2 minuta sepse pas një gafe në mbrojtje të kuqezinjëve Alaez shënoi edhe golin e dytë për Andorrën. Pas shumë përpjekjesh dhe rastesh të krijuara, Shqipëria U-21 gjeti më në fund golin e barazimit pikërisht me sulmuesin Din Sula që i ardhur në fushë nga stoli shënoi golin e 2-2 në të 86-ën. Në fund vetëm një pikë për Shpresat kuqezi që pas humbjes së pamerituar ndaj Turqisë regjistruan një tjetër rezultat zhgënjyes.