Kombëtarja është gati, kuqezinjtë fitojnë 3-1 kundër Azerbajxhanit! Ndeshja e radhës përballë Italisë në Euro 2024

68
Sigal

Rezultati final/ Shqipëri 3-1 Azerbajxhan (Nedim Bajrami 11′, Rey Manaj 82′, Qazim Laçi 88′ / Gurbanli 90+1′)

HUNGARI – Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 3-1 miqësoren kundër Azerbajxhanit të luajtur këtë të premte në stadiumin “Haladas” në Hungari. Golat për kuqezinjtë u shënuan nga Nedim Bajrami në minutën e 11-të, Rey Manaj në të 81 minutë dhe Qazim Laçi në minutën e 87-të. Për miqtë shkurtoi Gurbanli në minutën e 90+1.

Tetë ditë para ndeshjes debutuese në Euro 2024 kundër Italisë, duket se Kombëtarja është gati duke marrë dy fitore në miqësoret e qershorit. Pas suksesit 3-0 kundër Lihtenshtajnit të hënën, sërish tanët sigurojnë një fitore edhe ndaj Azerbajxhanit.

Komenti minutë pas minute:

90+2′ Mbyllet 3-1 ndeshja miqësore në Hungari.

90+1′ Gurbanli shkurton shifrat në 3-1.

87′ Qazim Laçi shënon golin e tretë, nisur nga një aksion model i Bajramit. Mesfushori dribloi mbrojtësin dhe me të majtë e ndali sferën në rrjetë.

87′ Strakosha bën një ndërhyrje deçizive, mban portën të papekur nga gjuajtja e Alyev.

82′ Rey Manaj shënon golin e dytë. Lushnnjari rikthehet te goli me Kombëtaren pas tre vitesh. Shtatë gola për të me fanellën kuqezi.

78′ Arlind Ajeti i bën vend Ardian Ismajlit.

67′ Rey Manaj provon nga brenda zone, ndalet nga portieri.

64′ Manaj provon me kokë, sfera del jashtë.

61′ Qazim Laçi merr vendin e Taulant Seferit.

46′ Katër ndërrime nga Sylvinho me nisjen e pjesës së dytë. Jashtë Gjimshiti, Mitaj, Asani dhe Broja. Në vend të tyre Mihaj, Aliji, Hoxha dhe Manaj.

45′ Mbyllet 1-0 pjesa e parë.

11′ Nedim Bajrami zhbllokon shifrat, fantazisti shënon nga jashtë zone me një goditje fantastike.

2′ Jasir Asani kroson nga e djathta, sfera mbetet në zonë.

1′ Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga azerët.

Përballjet me Azerbajxhanin – Në histori, kuqezinjtë kanë precedentë pozitivë në pesë ndeshje direkte që janë zhvilluar nga viti 2000 deri në 2011, kur ka qenë edhe takimi i fundit dhe i vetmi i humbur. Mes tyre një barazim në 2008-n, ndërsa tri takimet e tjera janë fituar nga Shqipëria, ku kanë shënuar lojtarë si: Murati, Tare, Bushi, Cana dhe Skela. Të gjitha kanë qenë miqësore.

Përgatitjet – Të ndodhur prej një jave në Austri, kuqezinjtë nesër udhëtojnë për në kampin bazë në afërsi të Dortmundit, ku do përgatiten fillimisht për ndeshjen kundër Italisë më 15 qershor 21:00 dhe më pas kundër Kroacisë, ndeshje e cila luhet më 19 qershor në 15:00. Ndërkohë ndeshje e fundit për tanët në Grupin B të “Gjermani 2024” do jetë më 24 qershor kundër Spanjës në orën 21:00.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (1-4-3-3): Strakosha; Mitaj, Ajeti, Gjimshiti, Hysaj; Ramadani, Asllani, Bajrami; Seferi, Asani, Broja Trajner: Sylvinho

Azerbajxhan (1-4-3-3): Mahammadah; Jafagurlyev, Mustafazade, Huseynov, Mammadov; Isaev, Dinlyev, Makhmudov; Bayramov, Sheydaev, Emreli Trajner: Arid Asadov