Klopp, “qesh e ngjesh” me Guardiolën: Nuk luan prej vitesh një finale Champions-i!

477
Sigal

Jürgen Klopp ka treguar edhe një herë anën e tij plot humor, teksa është shfaqur mjaft miqësor në konferencë për shtyp. Trajneri gjerman foli të martën në “Media Day Liverpool”, përpara finales së Ligës së Kampionëve kundër Tottenham. Ai komentoi me të qeshura edhe deklaratat e Pep Guardiolës, i cili ka nënvizuar se preferon më mirë të fitojë titullin në Premier League se sa të luajë një finale Champions-i: “Ai e thotë këtë, sepse nuk e ka luajtur një finale të tillë prej disa vitesh”.

Liverpool favorit – “Unë kurrë nuk kam luajtur një finale me një ekip kaq të mirë. E di se sa e vështirë është të arrish në dy finale Champions-i. Në futboll ndikojnë edhe momentet e fatit të keq, prandaj duhet të reagosh në mënyra të ndryshme. Djemtë kanë dhënë maksimumin e tyre për të arritur deri këtu. Jemi mirë dhe do të arrijmë mjaft të përgatitur për ndeshjen e 1 qershorit në Madrid”.

Përvoja e finales së Kievit – “Janë situata të ndryshme, kur luan në finale. Po t’i referohemi pjesës së dytë të sezonit të kaluar, kemi qenë të pafat, sepse u prekëm nga lëndimet. Këto pengesa kanë qenë të reduktuara këtë vit, prandaj shpresoj. Është ndryshe, finalja e Kievit ishte një pikë kthese për Liverpool. Sidoqoftë, ky ekip nuk mund të krahasohet me atë të vitit të kaluar”.

Gjysmëfinalja kundër Barcelonës – “Ndoshta ishte koha më e mirë për të luajtur kundër Barcelonës dhe siguruar finalen. Ishte ndeshja më e mirë e ekipit tim. Edhe sikur të kishim fituar 2-0, do të isha shumë krenar me këtë Liverpool. Tani, është e rëndësishme që ta luajmë edhe finalen me atë frymë”.

Sukseset – “Arritja më e madhe e karrierës sime ishte ngjitja e Mainz në Bundesligë, në vitin 2004. E konsideroj atë sukses më shumë se arritjen në dy finale të Champions-it. Nëse e fitoj këtë finale, gjërat mund të ndryshojnë (qesh)”.

Rivali – “Dallimi mes nesh dhe Tottenham në kampionat është logjikë e dy lojrave, që i kemi fituar 2-1. Në shtëpi ishim me fat, sepse shënuam në minutën e fundit, por emocionet do të jenë të ndryshme në finalen e Champions-it. Është një sfidë e veçantë, prandaj kemi arsye për të qenë në formën më të mirë”.

Premier League apo Champions – “Guardiola ka thënë që preferon më mirë titullin në Premier League, për shkak se ka disa vite pa luajtur një finale Champions-i (qesh). Pep është trajneri më i mirë në botë dhe i meriton të gjitha lavdërimet. Unë ju them se Liga e Kampionëve është më e rëndësishme, sepse nuk e kam fituar dot akoma. Manchester City le të shijojë titullin në Angli. Guardiola ka një ekip më të mirë, por mendoj se sezoni ynë ishte më i mirë se i tyre”.

Ngarkesa fizike – “Dihet intensiteti i ndeshjeve në Angli. Mendoj se tani jemi disi të pushuar, edhe Tottenham është i freskët. Në këtë kuptim, pres një finale më të gjallë se ajo e sezonit të kaluar”.