Brahimllari: Situata ekstreme, duhet qeveri tranzitore

474
Sigal

Ish-deputeti i LSI Endrit Brahimllari i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se situata në të cilën ndodhet sot vendi është ekstreme, duke shtuar se duhet qeveri tranzitore, si zgjidhja për të bërë që Shqipëria të ecë në rrugën e integrimit europian dhe shtetit të së drejtës.

“Kjo qeveri, Edi Rama është larguar nga komunikimi i përditshëm me qytetarët. Opozita është përqenderuar te bisedat me qytetarët. Ne jemi më afër qytetarëve, sepse ne na interesojnë problemet e shqiptarëve. Sot na shqetësojnë problemet e shqiptarëve, na shqetëson papërgjegjshmëria e sistemit që është ngritur, pra duhet shembur ky sistem që po mban peng zhvillimin e vendit dhe nuk na lë të ecim në proceset integruese.

Ne edhe më herët kemi bërë protestë paqësore. E fundit ishte tërësisht paqësore, edhe për faktin se policia nuk ishte më provokuese. Ne jemi munduar që të mbajmë nën kontroll protestuesit. Është e vështirë të mbash urrejtjen e protestuesve ndaj Edi Ramës. Mos harrojmë se Rama ka varfëruar shqiptarët në ekstrem, qytetarët nuk edukojnë dot fëmijët, ky është një sistem antikombëtar dhe shprehet në një protestë masive nga ana e qytetarëve. Situata është ekstreme dhe vetëm një qeveri tranzitore mund ta nxjerrë Shqipërinë nga varfëria dhe bataku i thellë ku është futur”, deklaroi ai.

I pyetur për letrat e kryeministrit Rama në drejtim të opozitës së vendit për dialog, Brahimllari u shpreh se me to kryeministri provokon dhunë, ndërsa vlerësoi se Rama është i përfshirë nga paniku.

“E shoh si krizë të Edi Ramës, ai është i frikësuar, ai shpreh thjesht shenjat e frikës së tij. Nuk janë letra për dialog, janë letra që provokojnë qytetarët dhe ndërkombëtarët. Edi Rama po kërkon të nxisë dhunë te qytetarët dhe opozita. Edi Rama është njeriu që ka ngritur këtë sistem kriminal dhe vendi sot është pa Gjykatë Kushtetuese, Rama ka shkatërruar Gjykatën e Lartë, ka zgjedhur kryeprokuroren vetë. Po të kishim Gjykatë Kushtetuese, Rama nuk do të shkatërronte Teatrin, pasi do ta ndalonte. Beteja nuk është me Ramën si emër, por për të çrrënjosur sistemin monist në vend dhe për të vendosur një sistem demokratik. Sot kemi një parlament që nuk përfaqëson shqiptarët, por oligarkët”, deklaroi ish-deputeti.

Brahimllari vlerësoi se LSI sot është një parti e konsoliduar dhe se është me popullin e jo në anën e atyre që qeverisin duke grabitur shqiptarët.

“LSI është me qytetarët dhe është sot e konsoliduar. Gjithë fronti opozitar është në një zë, në një mendje. Të gjithë janë të bashkuar kundër një sistemi të papërgjegjshëm. Janë të gjithë shqiptarët të bashkuar kundër krimit dhe largimit të shqiptarëve përditë. Fronti opozitar sot është sot shumicë. Sot është koha për një marrëveshje kombëtare, e cila duhet të çlirojë Shqipërinë nga kolapsi. Kjo e vendos Shqipërinë në shina, pasi gjithçka është rrënuar. Ne jemi të vendosur për këtë betejë”, u shpreh ai.

Endrit Brahimllari theksoi se si rrjedhojë e grabitjes te Unaza e Re, sot duhet të ishin në cilësinë e të pandehurit për grabitje galoponte Edi Rama dhe Damian Gjiknuri.

“Fajtor për zgjedhjen në vend është Edi Rama. Nuk merrem me deklaratat e presidentit të Republikës. Kemi Edi Ramën që ka grabitur shqiptarët, duke vjedhur miliona te Unaza e Re dhe nuk e kemi të pandehur as Ramën, as Gjiknurin, asnjë qeveritar për fat të keq. Kjo ndodh sepse Prokuroria është në duart e këtyre njerëzve, që kanë uzurpuar gjithçka. Opozita dogji mandatet dhe sot është njësh me qytetarët. Ne ndryshe nga Rama që përdor 1 qershorin, ditë e shënuar kombëtare për interesa politike, nuk e bëjmë këtë. Protestat tona do të jetë qytetare”, tha Endrit Brahimllari, ish-deputet i LSI.