Klodian Arbri: Faza e tretë një garë e gjatë, çdo ndeshje si finale

31
Sigal

KATEGORIA E PARË/ Mbyllet faza e dytë, trajneri i Vorës, Klodian Arbri tregon synimin e vorakëve

Nga Agron Kaja

“Do jetë një garë e gjatë me 36 pikë brenda saj, dhe për këtë matematika na mban në lojën e synimit tonë. Kalendari i fazës së tretë duket sikur i favorizon skuadrat e kreut të renditjes, por kujdesi ynë do të jetë maksimal me të gjitha skuadrat”

 

Telegraf.al / Me një sfidë titulli kampion, dje Kategoria e Parë e mbylli javën e 22-të (njëherësh edhe fazën e dytë). Në Ballsh u përballën dy skuadrat kryesuese, Bylisi me AF Elbasanin, në një ndeshje ku rastet për shënim nuk ju munguan të dyja skuadrave. Por të dyja mbetën të kënaqur me 0-0, çka e lë të hapur luftën në 11 ndeshjet e fazës së tretë. Dhe kjo sfidë e formatoi plotësisht renditjen, sepse faza e tretë do të luhet sipas skemës të miratuar nga FSHF-ja. Një ndër skuadrat që i bëri mbyllje pozitive dy fazave të para është edhe Vora, e cila në vendin e tretë e mendon se nga Play-off-i do të ngjitet në Superiore. Kështu deklaron për “Telegraf” edhe trajneri Klodian Arbri, i cili e thekson se me kushtet dhe organizimin profesional, Vora e meriton të jetë në elitën e futbollit shqiptar. “Faza e dytë për ne u mbyll me rezultat pozitiv, por në synimet tona ishte që skuadra të kishte më shumë pikë dhe me renditje më të lartë. Gjithsesi, ne do bëjmë punën tonë deri në fund të kampionatit, dhe këtë e mendojmë një rrugëtim ku vlerat e skuadrës sonë do të dalin më shumë në dukje”, kështu e nisi bisedën tekniku beratas i Vorës, i cili fazën e tretë e analizon jo vetëm nga matematika e pikëve, por edhe pse Play-off-i për ngjitje në Superiore do të jetë shumë i fortë. “Me këto rezultate që ne arritëm në dy fazat e para, themi se e kemi shtruar rrugën për ngjitje në Abissnet Superiore. Natyrisht që ne do luftojmë me maksimumin tonë që të kemi renditje më të lartë, pse jo, të synojmë realisht ngjitjen direkte në elitën e futbollit shqiptar. Do jetë një garë e gjatë me 36 pikë brenda saj, dhe për këtë matematika na mban në lojën e synimit tonë. Kalendari i fazës së tretë duket sikur i favorizon skuadrat e kreut të renditjes, por kujdesi ynë do të jetë maksimal me të gjitha skuadrat, sepse të gjitha në këtë fazë kanë synime finale”. Ndërkohë, duke qënë se për këtë sezon Klodian Arbri ka drejtuar edhe skuadrën e Tomorit, ai shprehu keqardhje për situatën ku ndodhet skuadra beratase. “Unë jam beratas dhe i detyrohem shumë futbollit të Tomorrit, sepse këtu “Dinastia” Arbri e nisi këtë rrugëtim të bukur në futbollin shqiptar. Por situata e Tomorrit në fundin e tabelës së renditjes është e trishtueshme. Duhet një “shkop magjik” dhe fat, që skuadra të mbijetojë në Kategorinë e Parë. Të luftojnë dhe mos t’i humbin shpresat”, ishte kjo biseda me Klodian Arbrin, trajnerin e skuadrës së Vorës.

 

VLERËSIME PËR LEGJIONARËT

Manaj goleador i përjavshëm, ngjitet në renditje

Në minutën e 69-të të përballjes me Pendikspor, sulmuesi shqiptar Rei Manaj shënoi golin e tretë të fitores të Sivasporit ndaj kësaj skuadre, por edhe të 14-in të tij në 27 javët e Superligës turke. Tashmë ai është barazuar me Mauro Ikradin e Gllatasarajt dhe Mame Thiam të Pendiksporit, ndërsa mbetet 4 gola larg kryegolashënuesit Edin Xheko të Fenerbahçesë. Ndërkohë që, veç golave të shënuar në kampionat, Manaj ka shënuar edhe katër gola në Kupë, ndërsa për këtë ndeshje, portali i statistikave sportive “Sofascore” e ka vlerësuar me notën 7.5. Me këtë formë të shkëlqyer dhe me Armando Brojën në “hije”, Manaj pritet të jetë si alternativë e parë e sulmit kuqezi për Europianin “Gjermani 2024”.

Në ndeshjen e tretë, Muçi gjen rrjetën e parë

Një gol shumë i bukur nga jashtë zonës i shënuar nga sulmuesi kuqezi Ernest Muçi, është i pari për të në kampionatin turk pas transferimit të tij nga Legia e Varshavës në merkaton e janarit. Në përballjen me Instambulspor AS që renditet në vendin e fundit pas 27 javëve të luajtura në Superligën e Turqisë, në minutën e 54-t Muçi ka gjetur golin duke shkarkuar të djathtën e tij. Ai luajti 90 minuta dhe në fundin e takimit u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes, e cila ishte e treta për Muçin me skuadrën e Beshiktashit, që nga transferimi i tij pak javë më parë. Ndërsa nga portal i statistikave “Sofascore”, ai është vlerësuar me notën 8.2. Kështu, Muçi po  konfirmon formën e tij të mirë para sfidave të “Euro 2024”.

KATEGORIA E PARË

REZULTATET, JAVA 22

Të shtunën, 24 shkurt 2024

Vora-Apolonia                        1-0

Të dielën, 25 shkurt 2024

Korabi-Lushnja                       1-0

Kastrioti-Besa                         3-1

Luzi 2008-Burreli                    2-0

Tomori-Flamurtari                   1-4

Të hënën, 26 shkurt 2024

Bylis-AF Elbasani                   0-0

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Bylis                         22        52

2.AF Elbasani              22        50

3.Vora                         22        42

4.Flamurtari                 22        42

5.Apolonia                  22        31

6.Korabi                      22        29

7.Lushnja                    22        26

8.Burreli                      22        22

9.Kastrioti                   22        23

10.Besa                       22        19

11.Luzi 2008               22        15

12.Tomori                    22        14

 

FAZA E TRETË

NDESHJET, JAVA 23

E shtunë, 2 mars 2024

Vora-Besa                               13:30

Bylis-Tomori                           13:30

Flamurtari-Kastrioti                13:30

Apolonia-Burreli                     13:30

Korabi-Lushnja                       13:30

AF Elbasani-Luzi 2008           13:30