Klevis Dalipi: Partizani ka potencial, titulli kampion duket si detyrim

115
Sigal

INTERVISTA/ Drejtori i Akademisë së Futbollit “Dyrrah City”, Klevis Dalipi, analizon Superioren

 

Agron KAJA

 

Në shtatë javët e luajtura në kampionatin e Superiores, çfarë veçoni në rrugëtimin e skuadrave?

Unë do ti ndaja në këndvështrimin tim skuadrat që kanë treguar më shumë potencial si Partizani, Vllaznia dhe Egnatia. Në skuadrat më të ekuilibruara mbeten Vllaznia me Elbasanin, ndërsa skuadrat pa stabilitet janë Skënderbeu, Bylisi e Laçi.

Mund të ndalemi pak tek Partizani, e shikoni në këto javë si skuadër pretendente për “Final 4”?

Kur them se Partizani ka treguar potencial, e shikoj se titulli kampion do të jetë një detyrim për këtë sezon. Partizani ka skuadrën më të kompletuar në Superiore, me alternativa që mungesat nga dëmtimet apo dënimet, nuk ndjehen fare në ndeshje.

Po në ndeshjet e javës së shtatë, cilin nga rezultatet e quani si surprizë?

Këtë javë, Partizani, Dinamo dhe Tirana treguan se kanë lojtarë që po japin maksimumin, të cilët po e ngrejnë nivelin e lojës së tyre. Jam surprizuar nga AF Elbasani, një skuadër që erdhi nga Kategoria e Parë dhe po luan me dinjitet.

Pse në këtë javë ishin tre fitore të skuadrave në transfertë, dhe dy të skuadrave vëndase?

Prandaj e përmënda më sipër AF Elbasanin, sepse ka skuadra me elementë cilësorë, që kanë bërë ivestime afatgjata. Madje do thoja se cila skuadër fiton në Ballsh e në Laç, do ketë përparësi për të ecur më përpara. Sepse janë dy fusha shumë të vështira.

Referuar renditjes në gjashtë vendet e para, mundet që mes tyre të dalin katër skuadrat e “Final 4”?

Jo, është shumë herët për ta menduar këtë. Ende skuadrat nuk kanë treguar më shumë për të përcaktuar se cilat do jenë në “Final 4”, apo edhe të tjerat. Starti është i rëndësishëm, rëndësi më shumë ka vazhdimësia, kryesisht në fazën e dytë.

Trajnerët nuk u “shqetësuan” këtë javë, do jetë kjo një pyetje e përjavshme?

Duhet të kemi një stabilitet ndryshe me trajnerët. Sepse Superiorja nuk është skuadër e moshave apo kategori të tjera, me objektiva minimalë. Skuadrat kanë objektiv të mos rënë nga kategoria dhe kreun, ndaj trajnerët janë të orientuar te rezultati.

Java e 8-të shtrihet në tre ditë, do shërbejë ndërprerja për dy ndeshjet e Kombëtares?

Këto ndërprerje i favorizon skuadrat që kanë kontigjent të gjërë lojtarësh, e kështu e shoh më shumë të favorizuar Partizanin. Pra, skuadrat me shumë futbollistë cilësorë nuk e kanë problem, të tjera duhet të shikojnë ku kanë patur mangësi.

Mendimi juaj për Superioren, do ketë efikasitet me këtë formulë?

Superiorja ka futboll, por kjo formulë duhet të konsolidohet. Do ta shohim këtë vit, nëse do ketë sukses, do ketë bonus për mirë. Në të kundërt, duhet të shikohet kjo formulë për t’u zëvendësuar me një alternativë me më shumë skuadra.

Klevis Dalipi është i lirë pa ekip, nëse ju ofrohet ndonjë bankinë në Superiore, ju keni preferenca?

Unë kam një marrëveshje kontraktuale me Akademinë “Dyrrah City”, dhe për momentin jam përqendruar me gjithë energjitë e mia te kjo punë. Është një project shumë dinjitoz dhe me ambicie, ndaj dhe unë momentalisht nuk mendoj asgjë tjetër.

 

Enea Jorgji me ekip të plotë në Gjermani

UEFA ka caktuar arbitrin Enea Jorgji të drejtojë një ndeshje ndërkombëtare me një vendim që ka arsye të quhet historik. Ai do drejtojë takimin në Ligën e Konferencës, Haidenhajm-Olimpija Ljubljana, me asistentë Denis Rexha e Ridiger Çokaj, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Eldorjan Hamiti. Për herë të parë në mbështetje të tyre, në VAR do të jenë Kreshnik Bajramaj, me Juxhin Xhaja në AVAR. Kjo bën që për herë të parë në kompeticionet e UEFA-s të jetë një trupë e plotë gjyqtarësh shqiptarë.

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet-Java 8

Datë 4 tetor 2024

Dinamo C- Laçi          19:00

Datë 5 tetor 2024

Partizani-Bylis                         19:00

Skënderb.-Egnatia      19:00

Datë 6 tetor 2024

Teuta-Tirana    19:00

Vllaznia-AFElbasa      19:00

RENDITJA                   

Skuadrat        Nd       Pikë

1.Vllaznia        7          13

2.Partizani       7          12

3.AF Elbasa     7          12

4.Egnatia         7          11

5.Dinamo C    7          11

6.Teuta            7          10

7.Tirana           7          9

8.Skënderbe    7          7

9.Bylis             7          5

10.Laçi            7          3

Dede e nisi me humbje, të premten “mysafir” te Partizani

Nevil Dede e nisi me humbje bankinën te skuadra e Bylis të Ballshit. Në javën e 7-të, skuadra ballshiote humbi 0-1 me AF Elbasanin, skuadër të cilën Dede e ngjiti në Superiore, por që në limitet e nisjes së sezonit të ri e larguan. Ndoshta kjo humbje ishte edhe si një “paralajmërim” për Nevil Deden, për ta patur më të plotë panoramën për gjëndjen që ka skuadra, të cilën morri përsipër të drejtojë. Ditën e premte Bylisi luan në Tiranë ndaj Partizanit, një tjetër sfidë e vështirë.

Dinamo-Laçi nesër në fushë, Daja mendon kreun

Grumbullimi i Kombëtares për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, e kanë afruar kalendarin e javës së 8-të të Kategorisë së Parë. Kështu, sfida e parë e kësaj jave luhet të enjten më 4 tetor, ku Dinamo City do të presë Laçin e vendit të fundit në tabelën e renditjes. Dhe këtë herë, veç skuadrës që do të hedhë në fushë, trajneri Ilir Daja mbetet protagonist, sepse në katër javët qe e ka drejtuar Dinamon, ka grumbulluar 8 pikë. Barazim 2-2 në “derbi” me Partizanin, Fitore 2-1 me Skënderbeun, barazim 1-1 me Teutën dhe fitore 2-1 me Vllazninë. Një fitore ndaj Laçit e rendit provizorisht në vëndin e parë, dhe ndërprerja e kampionatit do ti japë mundësi që Daja të punojë me grupin, si garanci që Dinamo të jetë kandidate për “Final 4” dhe titullin kampion.