Kampionati i sezonit 1996-1997, i vjedhur apo mohuar?

641
Sigal

Nga Prof.Dr. Xhevdet Zekaj

Në fakt, në këtë kohë kolere kujtohemi që të bëjmë shaka edhe me ndonjë ngjarje kolere. U desh një status i të madhit Helidon Tahiraj, për kampionatin e sezonit futbollistik 1996-1997, që të fillonte një betejë e lehtë dhe me humor e këndvështrime interesante, por mjaftoi që gazetarë dhe ish-futbollistë të rreshtoheshim në pikëpamje e llogore të ndryshme. Secili dëshiron të përcaktojë fituesin apo legjimitetin e një kampionati të luajtur me rregulla të reja, të vendosur në Tiranë nga një administratë e FSHF-së, e përbërë në mbi 90% nga ish-futbollistë, trajnerë e drejtues të klubeve të kryeqytetit. Asgjë e keqe deri këtu! Por, shkurt fare, le të kujtojmë ca gjëra: Kampionati u dominua nga Flamurtari në lojë dhe rezultate, me një mbështetje financiare normale nga Shkëlqim Selami. Sa u luajt futboll normal, vlonjatët ishin në krye të kampionatit.

Befas, pas ndërprerjes së kampionatit, tironsit e FSHF-së, me disa vendime të kundërshtuara fort nga vlonjatët dhe të papranuara nga ata, zgjodhën një formulë alla dreqi e mori. Ata vendosën që të luhej me grumbullim në kryeqytet, skuadrat e vendit të parë deri në të pestë. Flamurtari nuk pranoi, sepse ky rregull ishte edhe në shkelje të statutit të FSHF-së, edhe rregullores që formati i zhvillimit të një gare përcaktonte dhe miratohej në Asamble një vit përpara. Kaq mjaftonte, që kampionatit të mos i ndryshohej struktura. Kaq mjafton, të tjerat janë dëngla. E marrim të mirëqenë gjendjen e jashtëzakonshme, por në atë situatë nuk merren dot veprime me fuqi para apo prapavepruese. Kësisoji, zgjidhja e “monistëve” antitironë bie poshtë. Si mund të vazhdohej kampionati në dy grupe, kur klasifikimi dënonte Flamurtarin, që ndoshta i kishte zhvilluar ndeshjet me skuadrat e forta jashtë fushe në fazën e parë; që gjithë ndeshjet e mbetura i kishte me skuadra jashtë çdo interesi, që ishin të dorëzuara nga financat, nga lojtarët etj. Si mund të zhvillohej ky model alla-Tiranë, kur disa futbollistë të Flamurtarit ishin strehuar në kryeqytet, apo kishin ikur në Greqi. Edhe ata që ishin në kryeqytet, u “federuan” me Tiranën, por në cilën periudhë të transferimeve?

A u mor leje nga klubi i Flamurtarit? A u shkel edhe kjo rregullore e afateve të transferimeve apo kartoni i tyre, që zotërohej nga Flamurtari, nuk vlente fare. Mund të vazhdohej dhe më tej, por pyetja ime është e thjeshtë: Nëse ky model i tironsave, që e spostoi kampionatin në në Tiranë, do të materializohej në Vlorë, nën kujdesin e Zani Çaushit, kush dilte kampion? Nëse zhvillohej në Lushnjë, nën kujdesin e Aldo Bares, kush fitonte? Po nëse luhej në Berat, nën kujdesin e një të forti tjetër? Po në Tiranë, në kujdesin e “gardës” së Berishës, Kullës e shumë bandave, kush dilte kampion? Lërini pra dënglat, ai është një kampionat i vjedhur, një kampionat i diskredituar, që minimalisht duhet të fshihet nga lista, ose ndershmërisht t’i kthehet fituesit reael: Flamurtarit të Vlorës. Madje, klubi i Tiranës, në këtë 100-vjetor mund të bëjë gjestin më të madh historik, duke ia kthyer vetë fituesit real e të moralshëm, duke treguar standardin që ka në thelb skuadra bardheblu. Ishte një status që më krijoi idenë se është koha që aktorëve të futbollit, apo vetë klubi “Flamurtari” duhet ta rihapë këtë çështje, qoftë në marrëveshje me klubin e Tironës dhe FSHF-në, apo dhe rrugë ligjore.

Kjo për të vënë në vend nderin e vetë futbollit. Natyrisht, Tirana ka të drejtën e ZOTIT të thotë: Ligjërisht nuk vodhëm asgjë! Ne zbatuam vendimet e Federatës! Dhe kjo është e vërtetë, por moralisht ata, edhe për shumë arsye të tjera, e dinë se kampionati u vendos në tavolinë. I vetmi ekip që u dënua ishte Flamurtari i Vlorës. Por, kjo i takon edhe Shkëlqim Selamit të mendojë se si të kërkohet zgjidhja juridike e statuore e kësaj padrejtësie. Helidon Tahiraj, për tej humorit, kjo është dhimbje, ashtu si ai tjetri është dënuar 10 vite për 50 ndeshje të trukuara në kampionatin shqiptar, por asnjë titull nuk i kthehet Tiranës, Flamurtarit, Partizanit apo Teutës. Kjo është Shqipëria, ka Covid 19, por ka dhe Covid-vjedhje të titujve. Për ta përfunduar investigimin m’u deshën shumë vite, shumë për jetën e një gazetari. Nuk jam i shpejtë në veprime, punoj ngadalë e në mënyrë metodike m’u desh kohë në fillim të vrojtoja, ta nuhasja si duhej lojën e tyre të keqe e të ndyrë, mandej të hidhesha në veprim.

Ja si ndodhi: Sporti ushqen pasionin; pasioni gjeneron paranë; paratë dhe veprimet e personave zyrtarë, që i kontrollojnë paratë, askush nuk i rregullon e kontrollon, përveç atyre vetë. Krimi i organizuar e shfrytëzon vakuumin e krijuar pas grabitjes; batakçinjtë arrijnë ta privatizojnë sportin, ta përdhosin si dinë ata. Lojërat fitimprurëse u shiten sipërmarrësve të fuqishëm, me shtrirje globale. Këta ndihmohen nga kompanitë e marketingut. Ryshfeti i përmasave kolosale shkon deri në xhepat e zyrtarëve të korruptuar të FIFA-s.