Juventusi dhe Atalanta e nisin me goleada

466
Sigal

Java e 18-të e Serisë A italiane ka dhuruar sot të tjera ndeshje interesante, aty ku Milani nuk ka arritur të marrë më shumë se një barazim pa gola në shtëpi. Kuqezinjtë e drejtuar nga Pioli, janë ndalur sërish, këtë herë nga Sampdoria e Klaudio Ranierit që ka rezultuar një kockë e fortë.

Në ndeshjen e tij të parë si futbollist i Milanit pas rikthimit, Ibrahimoviç nuk ka arritur të lërë gjurmë përveç një mundësie të humbur pak minuta pasi zuri vendin e Piotek. Ndërkohë, Sampdoria ka rrezikuar disi me mundësi të arta të shpërdoruara para portës së Donarumës. Ky barazim përkeqëson edhe më shumë renditjen e Milanit që e sheh veten në vendin e 12 me 22 pikë dhe me një ndeshje më shumë se rivalët.

Ndërkohë, Juventusi ka mundur me rezultatin 4-0 Kaljarin në shtëpi. Bardhezinjtë kanë vuajtur jo pak në pjesën e parë, teksa në të dytën ishte Ronaldo ai që përfitoi nga një gabim në mbrojtje duke kaluar në avantazh skuadrën e tij. Pak minuta më vonë, Ronaldo ka kthyer në gol një penallti të fituar nga Dibala teksa edhe Higuain ka gjetur rrugën e rrjetës. Ndeshen e ka vulosur sërish Ronaldo me një tripletë në këtë takim duke çuar Juven në vendin e parë me 3 pikë më shumë se Interi.

Atalanta e Gjimshitit vazhdon të shkëlqejë dhe sot ka marrë një tjetër fitore të madhe. Bergamaskët kanë mundur 5-0 Parmën, duke shënuar fitoren e dytë radhazi me të njëjtin rezultat pasi kishin mundur Milanin pak javë më parë. Gomez, Frojler dhe Gosens kanë shënuar në të parën, teksa Iliçiç me dy gola ka vulosur takimin në të dytën. /Erjon Allaraj

Ndeshjet:

Milan – Sampdoria 0-0
Juventus – Kaljari 4-0
49’, 67’, 82’ Ronaldo, 81’Higuain
Atalanta – Parma 5-0
11’ Gomez, 34’Frojler, 43’ Gosens, 60’,71’ Iliçiç
Bolonja – Fiorentina 1-1
94’ Orsolini / 27’ Benasi