Jasir Asani drejt rikthimit te Partizani? Sulmuesi ka këtë mesazh për tifozerinë e kuqe

207
Sigal

Jasir Asani ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm te Partizani gjatë periudhës që mbante të veshur fanellën e kuqe. Sulmuesi anësor numëron 123 ndeshje me fanellën e “demave të kuq”, ku ka shënuar 27 gola dhe ka asistuar edhe 19 të tjerë.

Prej 8 qershorit të vitit të shkuar, Asani u bë pjesë e ekipit hungarez, Kisvarda, ku numëron 30 ndeshje. Statistikat e Asanit në Hungari janë të kënaqshme, pasi ka arritur të gjejë rrugën e golit 7 herë dhe ka asistuar 5 herë të tjera, por duket se kjo aventurë, mund të përfundojë këtë verë.

Në rrjetet sociale dhe në daljet e tij publike, Asani shpeshherë ka treguar për lidhjen që ka me klubin e Partizanit, e sidomos me tifozët e kuq, që e kanë pasur një prej benjaminëve të tyre.

Në një postim të tij në rrjetet sociale së fundmi, Asani është shprehur se i mungon tifozeria e kuqe e Partizanit, duke dhënë kështu edhe një sinjal rikthimi. Edhe raporte e Asanit me drejtorin e “demave”, Olsi Rama, janë shumë të mira, çka mund ta bëjë edhe më të lehtë rikthimin e mëngjarashit në kampin e kuq të kryeqytetit.