Islanda, shansi i fundit i Shqipërisë

555
Sigal

Kombëtarja do të luajë nesër në Rejkavik takimin vendimtar. De Biazi: “Është kundërshtar i fortë”

Islanda. Ky ishull i ftohtë dhe i tejskajshëm i Europës veriore mund të shndërrohet në vendin e bekuar të futbollit shqiptar, nëse Kuqezinjtë e De Biazit do të fitojnë kundër islandezëve të Lars Lagerbekut. Një sukses trepikësh do të rindizte plotësisht ëndrrën e Kombëtares sonë, kjo e kombinuar me rezultatin e ndeshjes Norvegji-Zvicër. Në ndeshjen e parë, Islanda arriti një fitore të papritur në “Qemal Stafa”, kur fitoi 2-1 me Shqipërinë, në një ndeshje të dominuar kryesisht nga kuqezinjtë, të cilët shpërdoruan raste pa fund. Në fakt, ishte Bjarnason ai që i befasoi të gjithë kur shënoi në minutën e 19-të golin e avantazhit për Islandën, por dhjetë minuta më vonë, Edgar Çani barazoi për Shqipërinë. Në pjesën e dytë, një shtyllë i mohoi golin Kombëtares sonë, teksa disa minuta më pas, Sigurson realizoi golin e fitores 2-1 të islandezëve të drejtuar nga një trajner me përvojë si suedezi Lars Lagerbak. Përpara sfidës së të martës së 10 shtatorit, Shqipëria renditet e 38-ta në FIFA, ndërsa Islanda pozicionohet e 70-ta.

SITUATA

Situata dhe renditja në grupin E është tepër e komplikuar dhe e hapur: Zvicra, 15; Norvegjia, 11; Shqipëria, 10; Islanda, 10; Sllovenia, 9 dhe Qipro, 4 (tërësisht jashtë loje). Aktualisht Shqipëria ndodhet vetëm një pikë larg skuadrës që renditet e dyta, Norvegjia. Në rast barazimi me pikë me nordikët në fund të kualifikueseve, Shqipëria ka avantazh ndeshjet direkte dhe e fiton atë pozicion. Ndeshja ndaj Islandës do të jetë më vendimtarja sa i përket fatit. Norvegjia, përveçse ka një ndeshje të vështirë në Slloveni, do të luajë një duel direkt me Islandën në përballjen e fundit të grupit, prej së cilës mund të përfitojë kombëtarja kuqezi. Sa u përket sllovenëve, shanset e tyre janë më të pakta në letër, pasi i presin dy “finale” kundër norvegjezëve dhe Zvicrës. Për Shqipërinë, një fitore në Islandë e bën favorite për vendin e dytë, edhe pse logjikisht duhet të fitojë minimalisht edhe tri pikë në dy përballjet pasardhëse. Ndërkohë, në rast barazimi ndaj ishullorëve, përveç një fitoreje të mundshme kundër Qipros, do të ishte e domosdoshme që të shmangej humbja kundër Zvicrës.

PËRGATITJET

Shqipëria vazhdoi përgatitjet në Lubjanë të Sllovenisë, në një terren të ofruar nga Federata Sllovene, ndërsa sot do të niset drejt Rejkavikut, kryeqytetit të Islandës. Trajneri Xhani De Biazi tha për mediat pas humbjes me Slloveninë se, kërkon pikët maksimale në Islandë. “Kemi përballë një kundërshtar i fortë, i cili ka arritur të barazojë edhe në Zvicër. Gjithsesi, do jetë një ndeshje e hapur. Ne do shkojmë për të dhënë maksimumin tonë dhe për të marrë maksimumin sigurisht”, tha ai. Në lidhje shanset për vendin e dytë, tekniku italian tha: “Na presin edhe tri ndeshje, prej të cilave do mundohemi të marrim sa më shumë pikë të jetë e mundur”. Kapiteni Lorik Cana e ka të qartë dhe ka respekt për kundërshtarin: “Janë një skuadër e fortë dhe me lojtarë mjaft cilësorë, por ne do shkojmë atje vetëm për fitore. Uroj që këtë herë fati të jetë me ne. Kam besim që do të marrim një rezultat pozitiv, i cili do konsolidojë më tepër shanset tona në grup”.

 Halgrimson: “Shqiptarët janë agresivë”

 Aheimir Halgrimson, ndihmëstrajner i Lars Lagerbakut në Kombëtaren e Islandës, duke folur për mediat islandeze shprehu zhgënjimin e tij që, Shqipëria nuk mori më tepër kartonë të verdhë në Slloveni: “Vetëm një karton i verdhë është gjë e pazakontë për shqiptarët, pasi ata luajnë ashpër. Kishin shumë lojtarë që mund të pezulloheshin, por vetëm njëri tyre do të mungojë, Ansi Agolli, por ai është 30 vjeç dhe luan me Karabagun në Azerbajxhan”.

 Sot, stërvitja në Islandë

Kombëtarja do të niset me çarter drejt Islandës, teksa në mbrëmje do të zhvillojë edhe stërvitjen njohëse në stadiumin “Laugardalsvollur”. Islandë-Shqipëri do të gjykohet nga anglezi Martin Atkinson. Në ndeshjen e parë, Shqipëri-Islandë (1-2), arbitër kryesor ishte finlandezi Toni Asuma. Interesimi është i madh në Islandë për ndeshjen me Shqipërinë dhe menjëherë janë shitur 6500 bileta, sapo ka nisur shitja dje paradite, nga 10 mijë që është kapaciteti i stadiumit.

Eliminatoret “Brazil 2014”

GRUPI E

Ndeshjet, 10 shtator 2013

Norvegji-Zvicër      18:00

Qipro-Slloveni       20:30

Islandë-Shqipëri           21:30

11 tetor

Islandë-Qipro

Shqipëri-Zvicër

Slloveni-Norvegji

15 tetor

Norvegji-Islandë

Qipro-Shqipëri

Zvicër-Slloveni

R    Ekipi      N    F    B    H    GS   GP   P

1    Zvicra     7    4    3    0    12   5    15

2    Norvegjia  7    3    2    2    9    7    11

3    Shqipëria  7    3    1    3    7    7    10

4    Islanda    7    3    1    3    12   13   10

5    Sllovenia  7    3    0    4    9    10   9

6    Qipro      7    1    1    5    4    11   4

 El.Euro 2015/ Kombëtarja U-21 e Skënder Gegës ka pësuar tri humbje në po aq ndeshje

 Shpresat, pa shpresë kundër Spanjës, kampiones së Europës

 Shqipëria U-21 do të luajë sot kundër Spanjës, kampiones së Europës për Shpresat, takimi që do të luhet në stadiumin “Las Gaunas” (20:30) të qytetit Logrono (350 km larg Madridit). Ky është takimi i katërt për Kuqezinjtë e Skënder Gegës, për eliminatoret e Kampionatit Europian 2015. Në tri ndeshjet e luajtura Kombëtarja U-21 nuk ka marrë asnjë pikë. Shpresat kanë humbur 2-1 me Hungarinë (në Durrës), 4-1 me Bosnjën (në Zenica) dhe 1-0 me Austrinë (në Vlorë). Dhjetë nga 21 lojtaret e thirrur luajnë jashtë Shqipërisë, si në Angli, Greqi, Zvicër, Qipro dhe Rumani. Kombëtarja U-21 do të përgatitet në Durrës. Për Spanjën, ndeshja kundër Shqipërisë është e dyta në këtë edicion. Kampionët e Europës shpartalluan 6-2 Austrinë të premten, në takimin e parë në grup. Trajneri i Spanjës, Julen Lopetegui, e ka paralajmëruar skuadrën e tij kundër vetëkënaqësisë. “Tani duhet të përqendrohemi te Shqipëria. Me siguri që do të jenë kundërshtarë të fortë. Jam i bindur që do të përpiqen të na i vështirësojnë punët. Besoj se do të bëjmë ndryshime në formacion, megjithatë do të nxjerrim në fushë një skuadër që do të jetë në gjendje të fitojë ndeshjen”. Trajneri Lopetegui ka në listë pesë lojtarë nga Reali i Madridit, dy nga Barcelona, si dhe nga skuadra të tjera me emër si Real Sociedad, Sevilje, Everton, etj..

Renditja, Grupi 4

Skuadra    N    P

Hungaria   2    6

Spanja     1    3

Bosnja     2    3

Austria    2    3

Shqipëria  3    0

Olsen: “Faleminderit Slloveni, munde Shqipërinë!”

 Trajneri i Norvegjisë, Egil Olsen, i njohur me nofkën “Drillo”, ka bërë një koment interesant për fitoren e Sllovenisë ndaj Shqipërisë. “E pata thënë që në fillim të takimit se Qipro është një skuadër e hidhur, ndaj së cilës pati probleme edhe Zvicra. Jam i kënaqur nga pikët dhe pozicioni i ri në renditje. Besoj se për këtë duhet falënderuar edhe Sllovenia që mundi Shqipërisë. Kemi shanse edhe për të marrë vendin e parë nëse fitojmë takimin e radhës dhe duke pasur parasysh edhe faktin që më pas Zvicra do të jetë mysafire në Shqipëri. Ajo transfertë, sipas meje, do të jetë tejet e vështirë për zviceranët, pasi zor se Shqipëria humbet në fushën e vet”, tha trajneri i Norvegjisë

  Suker: “Dua Shqipërinë në play-off”

 Presidenti i Federatës së Futbollit të Kroacisë dhe ish-sulmuesi i Realit të Madridit, Davor Suker, ka shprehur dëshirën që në “play-off” të kualifikimeve për kampionatin botëror të takohet me kombëtaren tonë. Suker, i cili njihet si legjendë e futbollit në Kroaci dhe tani drejton federatën e futbollit të këtij vendi, ka thënë se në “play-off” do të dëshironte që të takohej me Shqipërinë. “Vetëm të nxjerrim kundërshtar Shqipërinë”, theksoi Suker për gazetarët kroatë.