Intervista/ Shpëtim Duro: Poloninë e mposhtëm me shpirt gare, grintë e takticizëm

42

Trajneri shqiptar Shpëtim Duro e vlerëson kombëtaren me nota shumë të larta

Sigal

Agron Kaja

“Kemi marrë maksimumin me dy kundërshtarët më të fortë të Grupit E, dhe tani jemi në prag të Gjermanisë. Na duhet të jemi më të koncetruar e të përqendruar në çdo ndeshje. Ky shans duhet për gjithë kombin shqiptar”

Një ditë pas sfidës me Poloninë, cili është këndvështrimi juaj teknik, nisur nga rezultati 2-0 për Kombëtaren tonë?

Sigurisht që jemi të gëzuar për këtë fitore të rëndësishme të Kombëtares sonë. Në këndvështrimin teknik, mendoj se ishte e përgatitur mirë nga stafi teknik, sepse kishin një kundërshtar shumë cilësor dhe arritën ta eliminonin edhe taktikisht.

E meritonte Shqipëria këtë fitore historike, e dyta në 15 përballjet me polakët?

Patjetër që po, sepse është një fitore totalisht e merituar ndaj një Polonie, që me Levandovskin nuk e rrezikuan asnjëherë portën tonë. Në gjithë aspektet them se e merituam me shpirtin e garës, grintën dhe takticizmin nga stafi teknik.

Formacioni që Silvinjo hodhi si titullarë nga minuta e parë, sa e justifikuan besimin në fushën e lojës?

Ne tashmë kemi një grup shumë konkurrues, dhe meritë e trajnerit që në fazën e seleksionimit ka qenë perfekt. Ndaj them se janë 23-24 lojtarë, nga të cilët kushdo që luan e meriton. Ndryshime nuk kishte të dukshme, por ishin të domosdoshme. Nga porta te sulmi, të gjithë e justifikuan fanelën kuqezi.

Cili repart mbajti peshën më të madhe në këtë fitore: Mbrojtja-Mesfusha-Sulmi?

Të gjithë lojtarët meritojnë fjalë të mira. Skuadra u mbrojt në grup, duke mos i lënë hapësira kundërshtarit. Kryesisht, fjalët më të mira i meriton qëndra e mbrojtjes Gjimshiti-Ismajli, më pas edhe mesfusha që për mua pati organizim super.

“Lojtari i 12-të”, tifozeria e mbi 20 mijë shikuesve, ndikoi pozitivisht për Shqipërinë, dhe në të kundërt për Poloninë? 

Tifozeria në stadium ishte si një vullkan, dhe këtu mendoj se i shtoi skuadrës besimin e shpirtin e garës. Me performancën shumë të bukur e korrekte, ata njëherësh e shtuan presionin ndaj kundërshtarit, ndaj dhe loja shkoi perfekt.

Ku mendoni se duhet të përmirësohet skuadra jonë në tre ndeshjet e mbetura në Grupin E eliminator?

Në tre ndeshjet e fundit ne kemi treguar se, treguesit teknikë i kemi pasur perfekt. Duke ardhur, skuadra do përmirësohet edhe më shumë. Tashmë lojtarët e njohin mirë lojën e njëri-tjetrit dhe skuadra do rritet në nivelin e lojës.

Në tre ndeshje janë në lojë 9 pikë, sa mendoni se do grumbullojë Shqipëria deri në fund?

Me thënë të drejtën, ne kemi marrë maksimumin me dy kundërshtarët më të fortë të grupit. Tani jemi në prag të Gjermanisë dhe na duhet që të jemi më të koncentruar e të përqëndruar në çdo ndeshje. Ky shans duhet për gjithë kombin shqiptar.

Nëse Shqipëria kualifikohet në “Euro 2024” në Gjermani, ju çfarë sugjeroni për përmirësimin e skuadrës?

Grupi është shumë cilësor dhe ne kemi shumë alternativa për ta forcuar skuadrën. Kemi shumë futbollistë që luajnë në skuadra të mira në Europë dhe ata kanë vlera që i treguan shumë qartë në këtë sfidë.

EURO 2024/ SHQIPËRIA

GRUPI E ELIMINATOR

Ndeshjet-Grupi E

Datë 27 mars 2023

Poloni-Shqipëri              1-0

Datë 17 qershor 2023

Shqipëri-Moldavi           2-0

Datë 20 qershor 2023

Ishujt Faroe-Shqipëri      1-3

Datë 7 shtator 2023

Rep. Çeke-Shqipëri        1-1

Datë 10 shtator 2023

Shqipëri-Poloni              2-0

 

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Shqipëria           5        10

2.Rep. Çeke          4        8

3.Moldavia           5        8

4.Polonia              5        6

5.Ishujt Faroe        5        1

 

NDESHJET E TJERA

Datë 12 tetor 2023

Shqipëri-Rep. Çeke         20:45

Datë 17 nëntor 2023

Moldavi-Shqipëri           20:45

Datë 20 nëntor 2023

Shqipëri-Ishujt Faroe      20:45

 

1

Fitorja 2-0 me Poloninë e rendit Shqipërinë në vendin e 1-rë në Grupin E.

2

Kjo ishte fitorja e dytë e Shqipërisë me Poloninë, në 15 ndeshjet e luajtura.

Prognoza e kualifikimit, pesë pikë për në Gjermani

Fitorja 2-0 e Shqipërisë ndaj Polonisë, e pozicionoi Kombëtaren tonë në vendin e parë të Grupit E eliminator të “Euro 2024”. Janë edhe tre ndeshje për t’u luajtur dhe Shqipëria mbetet favorite për të siguruar një nga dy vendet e para në grup, që të çojnë në Gjermani në vitin 2024. Deri në ndeshjen e fundit më 20 nëntor, ka disa kombinime rezultatesh. Matematikisht, kuota maksimale mbetet që në tre ndeshje, nga të cilat dy luhen në Tiranë, të grumbullojmë 5 pikë. Kështu bëhemi njëra skuadër e kualifikuar në Grupin E, duke parë edhe ndeshjet që kanë tre skuadrat e tjera: Çekia, Moldavia, Polonia. Kësisoj, kombinimet e bëjnë objektiv të arritshëm.