Intervista/ Gazmend Sollaku: Egnatia po “troket” në Librin e Artë të futbollit tonë

40

Ish-futbollisti i Dinamos, Gazmend Sollaku, e shikon edhe jashtë kryeqytetit trofeun e kampionatit

Sigal

Agron Kaja

“Egnatia do të jetë konkurrente për kampion në këtë sezon. Nuk është skuadër si para dy viteve, sepse me përforcimet që ka bërë, elementin në sulm e ka shumë të rrezikshëm.”

Në këndvështrimin tuaj, si i përshkruani gjashtë javët e para në Abissnet Superiore?

Kampionati duket si i zbehur kur mungojnë disa ekipe që kanë qenë pjesë e kësaj kategorie, si Flamurtari, Apolonia, Elbasani, Tomori e Lushnja. Por them se kështu si ka nisur, po zhvillohet kampionat i fortë me dominim të Tiranës e Partizanit.

Po nga ndeshjet e javës së 6-të, cilën prej tyre e veçoni se e justifikoi kryendeshjet e javës?

Rezultatet e skuadrave të transfetë ishin më të suksesshme. Por skuadrat nuk kanë ndonjë diferencë të madhe, thuajse janë aty-aty. Do jetë një kampionat më i fortë, por unë do ta mendoja një kampionat me më shumë se 10 skuadra.

Në gjashtë javë, renditja e skuadrave kryesohet nga Egnatia, kanë “humbur” skuadrat e mëdha?

Egnatia do të jetë konkurrente për kampion në këtë sezon. Nuk është skuadër si para dy viteve, sepse me përforcimet që ka bërë, elementin në sulm e ka shumë të rrezikshëm. Është skuadër e investuar dhe po luan futboll të mirë, e meriton kryesimin.

Ndërkohë, në 28 ndeshje janë shënuar 80 gola, e mendoni një numur të përshtatshëm për këtë kategori?

Është fillimi dhe mendoj se kampionati mirë është. Do kemi në javët e tjera edhe më shumë gola, dhe shënimi i golave do të ketë edhe shumë emra. Sepse shënimi i golit ka nisur të përqendrohet në të gjitha sektorët e fushës, ndaj do kemi rritje.

Duke qenë se në pesë javët e luajtura janë larguar tre trajnerë, i shërbejnë këto cilësisë e mbarëvajtjes te skuadrat respektive?

Puna e trajnerëve varet nga presidentët e klubeve, sepse ata i ushtrojnë gjithmonë trysni. Puna e tyre bëhet graduale, dhe kjo do kohë për rezultate. Ndërsa presidentët i bëjnë të gjitha, madje edhe tifozin dhe kjo nuk është positive.

Shikueshmëria e Abissnet Superiore në shkallët e stadiumeve po përqëndrohet më shumë në kryeqytet, cilët janë faktorët?

Kjo është e përgjithshme.

Faktorët janë të shumëanshëm, por duhet ta pranojmë se ndeshjet “derbi” afrojnë më shumë tifozë. Realisht, në Tiranë janë skuadra më të investuara dhe nga më të mirat në historinë e futbollit tonë, ndërkohë që në rrethe kanë ikur shumë njerëz.

Edhe tre javë e mbyllet faza e parë, ku mund të presim ndryshime në renditje: kreu-mesi-fundi?

E para them se tre skuadra do të rivalizojnë për kreun, madje unë i shikoj rivale deri në mbyllje të kampionatit: Tiranën, Partizanin dhe Egnatian. Të tjerat nuk duket se do kenë rivalitet për kreun, por do kujdesen t’i largohen zonës së ftohtë.

ABISSNET SUPERIORE

NDESHJET, JAVA 7

Të dielën, 1 tetor 2023

Egnatia-Teuta                 14:00

Skënderbeu-Partizani      16:30

Të hënën, 2 tetor 2023

Kukësi-Erzeni                14:00

Dinamo City-Vllaznia     18:00

Të martën, 3 tetor 2023

Tirana-Laçi                    14:00

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Egnatia              6        13

2.Tirana                5        10

3.Skënderbeu        6        9

4.Partizani            4        8

5.Vllaznia             6        8

6.Erzeni                6        8

7.Laçi                   6        7

8.Dinamo City      6        6

8.Teuta                 5        5

9.Kukësi               6        4

 

Dy trajnerët e superiores për “Telegraf “

Stavri Nica shikon mangësi në shënjestrën e sulmit

Dy ditë pas barazimit 0-0 me Teutën në Durrës, trajneri i Kukësit, Stavri Nica, për gazetën “Telegraf” u shpreh se në barazimin e ditës së mërkurë në transfertën me Teutën, për të kishte vetëm një mangësi, që ishte shënimin e golit. “Unë e thashë edhe pas ndeshjes, dhe po e përsëris edhe me ju sot, se ne po punojmë që sulmuesit të vijnë në gjendje më të mirë. Sepse ata duhet t’i përballojnë me sukses 90 minuta të ndeshjes, pa menduar edhe shtesat. Aktualisht ata kanë nivel të mirë, por nuk janë në maskimumin e tyre para portës”, -deklaroi dje për gazetën “Telegraf” trajneri i Kukësit, Stavri Nica.

Edi Martini optmist, e pret një reagim tre pikësh

Vetëm 24 orë pas rikthimit në stolin e Teutës, trajneri Edi Martini e drejtoi skuadrën në sfidën e javës së 6-të kundër Kukësit, 0-0. Një barazim që teknikun shkodran nuk e kënaqi, por që e motivon për tri pikët në ndeshjet e radhës ndaj Egnatias kryesuese në Abissnet Superiore e Partizanit. “Me Kukësin na duheshin tri pikët, për të qenë më të qetë për dy ndeshjet e radhës ndaj Egnatias e Partizanit. Megjithatë, do ta synojmë në të dyja këto ndeshje dhe nga skuadra pres reagim tre pikësh për ecurinë tonë më të mirë në kampionat”, kështu theksoi Edi Martini dje për gazetën “Telegraf”.

Drejtori i Partizanit i tregon Matondos rrugën ligjore

Një një deklarim mediatik dje, Olsi Rama në cilësinë e Drejtorit Sportiv të Partizanit, ka folur për mosmarrëveshjet me futbollistin Matondo, i cili ka dhënë deklarata fyese për klubin kur është larguar prej tij. “Matondo është përsëritës për vonesat në rikthimet e tij në Shqipëri. Nuk e kam lexuar të plotë intervistën e tij, por më duket çudi e madhe të dëgjoj emrin e Partizanit të lidhur me racizmin! Është padrejtësi e vërtetë që një lojtar i Partizanit të shprehet në këtë mënyrë…”, kaq vlen të kuptohet se tashmë nga klubi i kuq do të ndiqet rruga ligjore për akuzat që Matondo ka adresuar ndaj ish-drejtuesve të tij.

Vllaznia bëhet me sponsor: SIGAL realizon ëndërrën

Të enjten pasdite, për futbollin shkodran erdhi si natyrshëm një ngjarje e veçantë. Kompania sigurimeve SIGAL UNIQA Group Austria, e themeluar në vitin 1999 dhe me aktivitet edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, do të jetë sponsor zyrtar i klubit më të vjetër të futbollit në vend, ‘Vllaznisë’. Deklarata e CEO të SIGAL UNIQA Group Austria, Avni Ponarit, e bën edhe më të besueshmë dhe solide marrëveshjen. “Realizova një ëndërr. Jemi të lumtur që jemi pjesë e një grupimi kaq të madh e të fuqishëm, i mbështetur nga thuajse gjysma e Shqipërisë. E dëshorij Vllazninë gjithmonë kampione”.