Intervista/ Altin Lala: Kombëtarja me frymë pozitive, ka shumë për të rregulluar

Kuqezinjtë në fokusin e ish-mesfushorit Altin Lala, parashikimi për Europianin

Nga Agron Kaja

“Unë e dëshiroj Kombëtaren tonë në vendin e dytë, pra Shqipëria e kualifikuar në Euro 2024. Do jetë e merituar, jo e jashtëzakonshme dhe kjo do t’i bëjë shqiptarët të lumtur në gjithë botën. Dhe besoj se këtë duhet ta arrijnë.”

Si ish-lojtar kuqezi, si ndjehesh sot kur të pyesin për ritmikën e Kombëtares sonë?

NOA

Sot, kur unë pyetem për kombëtaren, kam emocion. Është e natyrshme për çdo futbollist që e ka veshur atë fanellë kuqezi, dhe në retrospektivën e viteve shkojnë e vijnë kujtime që i përcjellin këto emocione.

Në fokusin tuaj, cila është përmbledhja e dy ndeshjeve të Kombëtares sonë?

Dy ndeshjet e fundit ishin pozitive. Së pari se i fituam dy ndeshje radhazi, pavarësisht kundërshtarëve që në letër quheshin të lehtë. Së dyti, sepse ja arritëm qëllimit, edhe pse ka shumë gjëra për t’u rregulluar.

Dy fitore dhe vendi i dytë në Grupin E me 6 pikë, sa e ka merituar këtë vend Kombëtarja?

Ndeshja me Poloninë ishte e mirë në nivel, por e humbëm se futbolli kështu funksionon. Natyrisht që kjo renditje është e merituar, por kemi ende shumë për të bërë. Sepse edhe Polonia e bëri hapin fals, ndaj duhet kujdes.

Në secilën prej këtyre dy ndeshjeve, çfarë tregoi Kombëtarja në lojën e saj?

Tek të dyja ndeshjet ishim ndryshe. Me Moldavinë më mirë në mbrojtje, me Ishujt Faroe kishim më shumë raste dhe rrezikuam në prapavijë. Me Moldavinë kritikë e imja ishte për mesfushën që të qarrkullonte topin sa më shpejt e për të krijuar më shumë raste në portën e kundërshtarit.

Po me Ishujt Faroe, çfarë ndryshimi pritej në lojë e në rezultat?

Me Ishujt Faroe kishim kombinime më të mira në lojë dhe mund të shënonim më shumë gola. Por Kombëtarja kishte të dy anët e ritmikës së saj, e mbi të gjitha, renditja është pozitive, por jo të “fluturojmë” se ja arritëm qëllimit në Europian.

Shqipëria do të luajë në shtator me Çekinë, çfarë duhet të rregullojë trajneri?

Çekia është kundërshtar krejt ndryshe nga Moldavia dhe Ishujt Faroe. Niveli i saj është më i lartë dhe trajneri duhet ta ketë menduar strategjinë për ta mbajtur kundërshtarin larg portës sonë, si dhe të shfrytëzojmë potencialin sulmues. Duhet të mbrohemi mirë e të shfrytëzojmë kundërsulmin dhe me Poloninë këtu të vijmë garant për fitore.

Në futbollin shqiptar në këtë periudhë zhvillohet merkato dhe përgatitje për Europën, si e përshkruani ritmikën e tij?

Mendoj se infrastruktura mbi të gjitha është duke u zhvilluar për mirë në Shqipëri, por që ka hapësira për më shumë. Kryesisht të punohet më shumë nga skuadrat me grupmoshat, pa nënvleftësim. Shembull është Kroacia.

Si i mendoni katër skuadrat shqiptare: Partizani, Tirana, Egnatia e Vllaznia, të cilat do të luajnë në Europë?

Secila duhet të ketë vlerësimin sipas kundërshtarit. Sa më shumë ture të kalojnë këto, aq më mirë është për futbollin shqiptar dhe për të ardhurat e tyre financiare. Të katërta kanë shanse që të luajnë disa ture në Europë.

SHQIPËRIA NË “EURO 2024”/ GRUPI E

Renditja

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Rep. Çeke                3          7

2.Shqipëria                  3          6

3.Moldavia                  4          5

4.Polonia                     3          3

5.Ishujt Faroe  3          1

Ndeshjet e tjera të Shqipërisë

Datë 7 shtator 2023

Rep. Çeke-Shqipëri     20:45

Datë 10 shtator 2023

Shqipëri-Poloni                       20:45

Datë 12 tetor 2023

Shqipëri-Rep. Çeke     20:45

Datë 17 nëntor 2023

Moldavi-Shqipëri                    20:45

Datë 20 nëntor 2023

Shqipëri-Ishujt Faroe  20:45

 

Merkato te Legjionarët

Sadiku bëhet “indian”, krenar për Mohun Bagan

Pas dy sfidave me Kombëtaren, e ardhmja e Armando Sadikut ka dalë në skenë në javën e kaluar. Ai do të jetë pjesë e skuadrës së Mohun Bagan në kampionatin indian të futbollit. “Kur Mohun Bagan më kontaktoi, pashë në detaje kampionatin dhe më shtoi kuriozitetin dhe drejtuesit e këtij klubi më bindën brenda javës. apo vërtetova gjetjet e mia, i njoftova menaxhmentit të klubit brenda një jave se kisha dëshirë të luaja në Indi. Jam krenar që të jem pjesë e një klubi 133 vjeçar. Perspektiva për fanellën në këtë klub më emocionon si askush tjetër”.

Etrit Berisha joshet në Superligën turke

Pas dy ndeshjeve të Kombëtares, lajmet për portierin Etrit Berisha kanë qenë larg Serie A. Duke parë se eksperienca me Torinon nuk ishte e mirë këtë sezon, lëvizja e tij nga kampionati italian duket e shpejtë, sepse ai pritet të transferohet te skuadra Fatih Karagumruk, që luan në Superligën turke. Kështu, ai pritet të kalojë te skuadra që sezonin e fundit drejtohej nga Andrea Pirlo. Pas shumë viteve në Itali, 34-vjeçari do të ndryshojë kampionat, dhe “Fotomac” në Turqi bën me dije se Berisha e ka gjetur akordin me klubin dhe është në pritje të prezantimit.

Katërkëndori mbetet problem te Dinamo!

Pas ngjitjes në Abissnet Superiore, drejtuesit e skuadrës së Dinamos kanë vijuar ritmikisht punën për kompletimin e skuadrës me elemente cilësorë. Ndërkohë, porta mbetet një nga repartet më të diskutuara që nuk ka marrë ende zgjidhje. Aktualisht vazhdohet me italianin Luka Krosta, edhe pse kandidati i parë i bluve ishte Stivi Frashëri. Por, as ai dhe as Teqja nuk u afruan te Dinamo dhe mbetet nëse do të ketë ndonjë emër të ri, sepse dinamovitët kanë nevojë për një portier tjetër. Konkretisht, shtatlarti Elgi Fejzo ishte një alternative, që nuk u realizua.

Klodian Duro firmos, trajner i ri i SC Gjilanit

Dje në mesditë, Presidenti i SC Gjilanit, Florim Zuka, ka arritur marrëveshjen me Klodian Duron që të drejtojë skuadrën e Gjilanit për sezonin 2023/2024. Skuadra e Gjilanit merr pjesë në turin eliminator të Konferencë Ligë, ku në datën 13 korrik do të ndeshet në transfertë me skuadrën Progres Niedekorn, nënkapione e Luksemburgut në sezonin e kaluar. Kujtojmë se Klodian Duro ka patur eksperienca të tjera në drejtimin e skuadrave kosovare të futbollit, konkretisht me Feronikelin. Sfida e parë është përgatitja për kualifikim në Europë.