Interi thyen “mallkimin” ndaj Sassuolos, vendosin Lukaku dhe Lautaro

496
Sigal

Interi thyen “mallkimin” e viteve të fundit ndaj Sassuolos , duke triumfuar me rezultatin 3-4 në “Mapei Stadium” dhe duke marrë një 3-pikësh të vuajtur, por mjaft të rëndësishëm për të ruajtur hapin e Juventusit kryesues dhe për të përgatitur i qetë ndeshjen e radhës në Champions.

Sfida nisi me një minutë heshtje në nderim të presidentit të Sassuolos që u nda nga jeta disa ditë më parë, ndërsa pas vetëm dy minutash lojë, zikaltrit arritën të gjejnë golin në aksionin e parë të rrezikshëm, ku Lautaro Martinez mori një top në zonë dhe realizoi me një gjuajtje mjaft të bukur.

Vetëm pak minuta më vonë ishte sërish sulmuesi argjentinas që u shërbye bukur nga Gagliardini dhe doli i vetëm me portierin e Sassuolos, Consigli, por gjuajtja e tij ishte e gabuar dhe topi përfundoi jashtë kuadratit.

Atë që nuk e bëri Lautaro vetëm me portierin, e bëri Berardi në minutën e 16’, që shpiku nga hiçi një gjuajtje dhe arriti të dërgojë topin në cepin e portës së Handanoviç, duke rikthyer barazimin e përkohshëm.

Në fundin e pjesës së parë, në “skenë” u ngjit Romelu Lukaku, që fillimisht shënoi një gol mjaft të bukur pas një topi të gjatë nga De Vrij dhe më pas ekzekutoi saktë një 11-metërsh të fituar nga Lautaro Martinez, duke çuar shifrat në 1-3 për zikaltrit.

Pjesa e dytë filloi e qetë, teksa në minutën e 70’ ishte Lukaku që fitoi një 11-metërsh, të dytin për Interin sot, ndërsa Lautaro ekzekutoi saktë, duke kompletuar dopietën personale dhe njëkohësisht duke bërë që të qetësohen zikaltrit.

Duke menduar se ka fitoren në kasafortë, Antonio Conte ndërhyri duke kryer dy zëvendësime dhe duke futur në fushë Politano e Lazaro, por këtu filloi edhe vështirësia, pasi austriaku vuajti shumë në krah dhe nga andej erdhën dy gola radhazi të Sassuolos.

Fillimisht Djuriçiç në minutën e 74-t dhe më pas Boga pas një aksioni personal në minutën e 82-të, bëri që ndeshja të shkonte 3-4 dhe vendasit të besonin më shumë se kurrë për të marrë të paktën një pikë në këtë sfidë.

Disa mundësi radhazi të skuadrës së Sassuolos, bënë që Conte të trembej nga pankina dhe të aktivizonte Vecinon në vend të Lukakut, duke menduar për mbrojtjen e rezultatit, mision të cilin e kreu me sukses deri në vërshëllimën e trefishtë të arbitrit.

Me këtë fitore Interi shkon në kuotën e 21 pikëve, vetëm një pikë pas Juventusit kryesues, ndërsa Antonio Conte duhet të shqetësohet për performancën në mbrojtje, pasi në 7 javët e para kishte pësuar vetëm 4 gola, ndërsa sot nxori 3 herë topin nga rrjeta.