Pozicional dhe i “ftohtë” vlera unikale të një gjigandi si Albert Musai
Ilir J. Hoxha
Në beftësi të plotë komuniteti i futbollit, të afërmit dhe familja i dhanë lamtumirën parajsiane një prej futbollistëvë të shquar të futbollit dinamas, lushnjar, skraparas dhe aq më shumë shqiptar, Albert Musai. I lindur dhe i rritur në Tiranë, Berti do të ishte skraparlli dhe lushnjar aq sa edhe tiranas. Ishte profesionalizmi dhe sjellja e një futbollisti model që kudo ku shkoi rrëmbeu zemrat e tifozerisë së këtyre qyteteve. Të kesh kontribuar për ekipin kombëtar padyshim është edhe vlerë kombëtare. Albert Musai nuk bënë pjesë tek ajo plejadë e “zhurmshme” futbollistike, ndërsa vlerat dhe kontributi i tij futbollistik i tejkalojnë ato të vlerave kombëtare. Natyrshëm në një vend normal nuk mund të kuptohet kjo “neglizhencë” për një vlerë futbolli ku integriteti, thjeshtësia dhe profesionalizmi ishin tiparet e tij.
![]()
Berti dhe futbolli simbioza gjenetike e një bashkëjetese
Fillimet e para me futbollin Berti i kishte me të rinjtë e Dinamos ku shumë shpejt do të spikaste për inteligjencën dhe intuitën e një mbrojtësi të qendrës. I “ndihmuar” edhe nga një fizik “qendërmbrojtësish”, ai do të ishte nën vëzhgimin e syrit skaut të trajnerit Saimir Dauti, i cili shikonte tek Berti një të ardhme kombëtare. Me të rinjtë e Dinamos do të luante për më shumë se 3 vjet duke qenë një lider absolut i ekipit të këtij klubi. Më tej ecuria e karrierës së Bertit do të merrte një “decreschendo” për nivelin e tij, por një “creschendo” zemre duke zgjedhur vendorigjinën për të kryer ushtrinë dhe për të luajtur futboll. Ishte viti 1981 kur gjigandi i mbrojtjes se bashku me H. Çeçon, A. Gurin, A.Qafokun, G.Tushën, A. Gjergon, R. Idërshajn, G Haskon, F. Haskon, S. Dylin, P. Kuçi, F.Cërrin, M. Gurin etj etj do t’i bënte skraparllinjtë të ëndërronin… Ishin vite të paharruara për “5 shtatorin”, por të tilla edhe për Bertin që do të natyralizohej përtej një vendasi. Ishin vite kur Berti, ashtu si dhe baxhanakët e tij av. Malindi apo Mario do të rrezikonin duke zgjidhur atë çfarë ju thoshte zemra përpara dogmave, ai do të dashurohej me një nga bukuroshet më të mira të kohës Albina Bregu me të cilën do t’i gëzoheshin dy vajzave Danielës dhe Valentinës.
![]()
“5 Shtatori” shtëpia e dytë futbollistike dhe zemre
Pas suksesit me të rinjtë e Dinamos, me “5 Shtatorin” do të niste “rrugëtimin” e dytë drejt majave të futbollit. Ndoshta për Bertin karriera sportive do të arrinte majat me ekipin Kombëtar të Shpresave apo me ekipin e Dinamos pas viteve 1983, por “magjia” skraparase në ato dy vite të aktivizimit aty ka qenë një sadisfaksion i papërsëritshëm zemre.
Edhe pse në një ekip pa emër si “5 Shtatori”, paraqitjet e gjigandit të qëndrës së mbrojtjes nuk do t’i shpëtonin syrit profesionist të trainerit të shquar Shyqyri Rreli, i cili do ta thërriste në Ekipin Kombëtar të Shpresave aty ku Berti do të ishte një ndër liderat që do ta shpallnin Shqipërinë Kampione të Ballkanit për Shpresat, në Turqi.
![]()
Dinamo & Traktori
Do të ishte trajneri Saimir Dauti që midis një ekipi me elitar të nivele të larta si Zëri, Përnaska, Marko, Bregu, Ballgjini, Targaj, Demollari, Luarasi etj etj do të thërriste edhe qëndërmbrojtësin Albert Musai. Berti do të luante në qendrën e mbrojtjes dinamase për 3 vite ku do të shquhej për disiplinën dhe profesionalizmin absolut të një mbrojtësi qendre. Më tej Musai do të kontribuonte në qendrën e mbrojtjes lushnjare ku ashtu sikur në Skrapar dhe me Dinamon me thjeshtësinë dhe profesionalizmin e tij do të ishte një idhull i tifozerive respektive. Karriera e Bertit do të mbyllej me FK Dajtin në atë perudhë kur këtij ekipi në mënyrë të paprecedent do t’i mohohej kategoria e parë edhe pse ishte në krye të klasifikimit….
![]()
Intervista
Në një intervistë të para disa viteve në kuadër të përgatitjes së vëllimit të II të enciklopedisë skraparase “Qyteti i 5 Shtatorit”, Berti do të shprehej
– “Përtej interesimit nga drejtuesit e Skraparit (H Hajdini), ka qenë një zgjedhje zemre, që pranova që ushtrinë ta bëja në vendin e origjinës, Skrapar edhe pse pata oferta nga ekipe të kategorisë së parë si Lokomotiva, Traktori etj. Aty gjeta ngrohtësinë e një tifozerie që ne na respektonte tmerrësisht. Ndërkohë që aty gjeta një “5 Shtator” nga më të mirët e të gjitha kohërave. Përtej interesimit të vazhdueshëm të prof Rrelit ka qenë edhe interesimi i trajnerit të kohës S. Dauti. E vërteta ishte se kur u riktheva tek Dinamo kisha pak droje, sepse në kohën që kisha bërë paraqitje shumë të mira me Shpresën dhe kur mund të isha “komod” në cilindo ekip të kategorisë së parë, të konkuruarit në krahë të Targajt, Bregut, Çoçolit, H.Gegës, Ndreut, Jahjas apo Kuqit ishte një sfidë që e tejalonte sfidën. Gjithsesi …ja dola”





















