Çështja e nxehtë McGonigal vijon të jetë e mbushur mesa duket me mistere shqiptare përderisa edhe së fundmi u mësua se një tjetër kallëzim pritet që do të dorëzohet në SPAK në lidhje me skandalin e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, për çështjen e Shqipërisë. Kallëzimi i ri do të dorëzohet nga nënkryetari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ishte vetë deputeti democrat, i cili paralajmëroi se gjatë kësaj jave do të dorëzojë një kallëzim shtesë. Gjatë një interviste televizive Bardhi tha se ka dorëzuar deri tani dy kallëzime për korrupsionin e McGonigal me qeverinë shqiptare. “Për nga rëndësia publike që çuarja e parave publike diku është e rëndë sikundër është e rëndë përfshirja e Edi Ramës në aferën McGonigal. Për këtë çështje i jam drejtuar SPAK-ut, kam dorëzuar një kallëzim penal, kam kërkuar informacion, kam marrë informacion nga drejtuesi i Prokurorisë dhe kam detyrimin për mos nxjerrjen e sekretit hetimor për çështjen. Kam çuar para 6 muajve kallëzim shtesë, kam përgatitur kallëzim shtesë shoqëruar me një dosje të re që do ta dorëzojë nesër ose pasnesër në SPAK. Pra nuk kam hequr dorë nga kjo çështje. Ne kemi kërkuar komisione hetimore për shëndetësinë, sepse kishte një tentativë të qartë brenda SPAK-ut për të amnistuar Ilir Beqaj. Ka një vendim gjykate që kërkon të anulohet kontrata dhe nuk ka asnjë veprim nga qeveria dhe sot paguhet koncesionari. Është një hetim parlamentar në gjykimin tim i domosdoshëm”,- tha Bardhi.





















