IFFHS shpall më të mirin e dekadës, Messi i bën “gol” Ronaldos

220
Sigal

IFFHS (Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit) prej ditësh ka hedhur dritë mbi lojtarët më të mirë të dekadës së fundit sipas konfederatave. U shpallën gjithashtu ekipet më të mira dhe tani është radha e trofeut maksimal, pra e futbollistit më të mirë në botë.

Askush nuk e vë në dyshim që ishte një duel i fortë mes dy ikonave të futbollit të sotëm, Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos. Më i miri i CONMEBOL-it përballë më të mirit të UEFA-s. Në fund, ishte “ylli” argjentinas ai që u shpall më i miri në botë i dekadë së fundit, duke lënë pas rivalin e tij të madh portugez dhe Andres Iniestën që plotësoi podiumin.

“Dueli botëror midis Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, dy lojtarët më të mirë të dekadës, ishte interesant dhe i pasigurt deri në fund të votimit. Messi dhe Ronaldo patjetër do të hyjnë në historinë e futbollit!”, lexohet në komunikatën e IFFHS . Ata që kanë votuar kanë qenë anëtarë të Federatës së lartpërmendur, të shpërndarë në më shumë se 150 vende në mbarë botën. Neymar dhe Sergio Ramos mbyllin pesë vendet e para.

Askush nuk është i befasuar që “lufta”u bë mes argjentinasit dhe portugezit, që kanë fituar thuajse të gjithë “Topat e Artë” të dekadës së fundit, përveçse në edicionin e vitit 2018, kur triumfoi Luka Modric.