Kandidati për president të Barcelonës: Rrezikojmë të bëhemi si Milani e Unitedi

284
Sigal

Kandidati për postin e presidentit të Barcelonës, Victor Font, i ka paralajmëruar tifozët e klubit katalonas se ekipi i tyre i zemrës mund të hyjë në një krizë të ngjashme me atë të Milanit dhe Manchester Unitedi gjatë viteve të fundit.

Mandati i Josep Maria Bartomeut në postin e presidentit të Barcelonës merr fund në vitin 2021, kur Barcelona do të mbajë zgjedhje të reja presidenciale.

Victor Font do të jetë njëri ndër kundërkandidatët e Bartomeut në këto zgjedhje dhe tani ka thënë se klubi do të përballet me një numër sfidash në të ardhmen e afërt, si me zëvendësimin e disa lojtarëve më të vjetër, rinovimin e Camp Nou dhe zgjidhjen e problemeve financiare të përkeqësuara shkaku i koronavirusit.

Përderisa ai po përgatitet për këto zgjedhje presidenciale, Font ka paralajmëruar se Barcelona mund të hyjë në një krizë të ngjashme me atë që e kanë përjetuar viteve të fundit Milani dhe Manchester Unitedi.

“Konkurrenca gjatë dekadës së fundit është bërë gjithnjë e më profesioniste”, ka thënë Font, në një intervistë të dhënë për BBC Radio.

“Ju e shihni këtë në Premierligë me klubet të cilat janë të menaxhuara mirë dhe madje edhe me klubet nën pronësi shtetërore, në të cilat investohen shumë para edhe në momentet si tani, kur financat e klubeve dhe modeli ekonomik zgjerohet deri në limit”.

“Përveç nëse e bëjmë atë që po tentojmë, Barcelona rrezikon të bëhet Milani apo Manchester Unitedi i ri”.

Milani nuk ka arritur të fitojë titull në Serie A që nga sezoni 2010/11 dhe që nga atëherë nuk ka qenë bindës as në garat e tjera, duke dështuar madje edhe në kualifikimin për Ligën e Kampionëve.

Ndërkohë, Manchester Unitedi nuk e ka fituar titullin e Premierligës që nga largimi i ish-trajnerit legjendar, Sir Alex Ferguson, pas sezonit 2012/13.