Ibra rikthehet nga dëmtimi dhe “merr për dore” Milanin

217
Sigal

Kuqezinjtë e Stefano Piolit, triumfuan në transfertë me rezultatin 0-2, falë dopietës së Zllatan Ibrahimoviç. Rikthim i frikshëm i sulmuesit suedez, i cili e nisi ndeshjen si titullar, duke shënuar 2 herë dhe duke i dhuruar 3 pikë të arta skuadrës së tij, që kryeson kampionatin e vetme me 43 pikë në 18 ndeshje.

Edhe pse pa shumë titullarë si Teo Hernandez, Çalhanoglu, Rebiç si dhe Benaser, 7 herë fituesit e Championsit arritën të bindnin. I vetmi “pishman” në këtë sfidë ishte dalja me karton të kuq e Selemekers. I rikthyer nga dëmtimi, belgu u aktivizua në minutën e 66-të të sfidës, duke zënë vendin e Hauge. Futbollisti i Milanit qëndroi vetëm 8 minuta në fushë, teksa u ndëshkua 2 herë me kartonë të verdhë në minutat 68 dhe 74, duke lënë skuadrën e Piolit me 10 lojtarë për afro 20 minuta.

Pavarësisht inferioritetit numerik, kryesuesit e Serisë A, arritën ta menaxhonin mjaft mirë rezultatin, duke mos e vënë për asnjë moment në dyshim suksesin.

Sfidën e radhës Milani do e luajë më datën 23 janar ndaj Atalantës në shtëpi. Ndërkohë për Kaljarin kjo ishte humbja e 5-të radhazi në kampionat.