Gugash Magani: Besa do rikthehet në elitë, kemi plan serioz afatgjatë

KATEGORIA E PARË/ U eliminua në Play-off, por trajneri i kavajasve, Gugash Magani, shprehet optimist

Agron KAJA

NOA

Skuadra e Pogradecit fitoi 1-0 finalen e Play-Off në Kategorinë e Parë, pas ndeshjes kundër Besës, dhe liqenorët do luajnë tashmë shansin për një vend në Superiore në sezonin e ardhshëm, kundër Teutës më 16 maj, ora 15:00. Ndërsa trajneri i skuadrës kavajase, Gugash Magani, dje për gazetën “Telegraf” u shpreh se, Besa e drejtuar prej tij, me pak më shumë kujdes e meritonte fitoren në këtë sfidë. “Për atë ndeshje (Pogradeci-Besa), duhet pranuar ligji i pa shkruar, se në futboll ekzistojnë të tre rezultatet. Kështu që natyrshëm gëzimi dhe hidhërimi janë pjesë e punës sonë. Në atë ndeshje meritonim më shumë, por ky është futbolli që luhet 90 minuta, dhe në këtë rast shkoi edhe në shtesë. Luajtëm një ndeshje të balancuar dhe patëm rastet tona për shënim, por në momente të veçanta disa lojtarë që janë edhe titullarë në ekip, nuk bënë atë sakrificën e duhur për të marrë rezultatin pozitiv”, kështu e nisi dje bisedën tekniku i Besës, i cili tregoi më pas edhe rrugëtimin e tij në bankinën e skuadrës kavajase. “Unë e morra drejtimin e Besës në javën e 15-të, ku skuadra kishte grumbulluar 14 pikë dhe renditej në vëndin e 11-të në tabelë. Në atë periudhë, Besa nuk kishte shumë ekuilibër, por gradualisht tregoi pozitivitet dhe skuadra u përshtat me mentalitetin tim. Por këtu e them me bindje se, edhe vlerësimi i fanellës së Besës nga lojtarët është një nga treguesit që skuadra arriti të dilet nga zona e mbijetesës dhe të hynte në grupin e skuadrave që synonin ngjitjen në Superiore nëpërmjet ndeshjeve Play-off. Në momente të veçanta duhet të ishim treguar edhë më shumë profesionistë për këtë objektiv. Njëherësh edhe mbështetja e Presidentit dhe e Klubit është pjesë e kësaj arritje”. Ndërkohë Magani tregon se do vazhdojë ta drejtojë Besën edhe në sezonin e ardhshëm. “Këto ditë jemi duke bërë analizën e rrugëtimit në kampionat e deri te ndeshja e fundit në Play-off, me qëllim që mos përsëritim gabimet që janë bërë në këto sezone në Kategorinë e Parë. Do vazhdoj të jem trajner i Besës. Së bashku me drejtuesit kemi një plan afatgjatë e serioz. Besa vitin tjetër do të jetë ndryshe”, ishte kjo analiza e situatës te skuadra e Besën, nga trajneri i saj Gugash Magani.

FINALJA PLAY-OFF, TEUTA-POGRADECI

Bledar Hodo, Teuta: Gjithçka ta vendosim në 90 minuta

Teuta rikthehet në “Play-out” pas 18 vitesh, ku në përballjen e atëhershme me Burrelin, golin vendimtar e ka shënuar pikërisht Bledar Hodo, sot në bankinën e Teutës. Ndaj skuadra durrsake do të luajë një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij sezoni në Abissnet Superiore, dhe vetë Hodo është optimist te forca e skuadrës së tij. Ai shpreh besimin se do ta kalojë pozitivisht sfidën “Play-out” me Pogradecin. “Tashmë gjithçka do të vendoset në 90 minuta, ku Teuta do të kërkojë të shkruajë një tjetër histori shpëtimi, ashtu si 18 vite më parë. Ne jemi të përgatitur dhe besojmë se skuadra jonë e ka forcën, karakterin dhe mbështetjen e duhur për të mbetur pjesë e Superiores edhe sezonin e ardhshëm. Synim i vetëm mbetet fitorja”.

Emiliano Çela, Pogradeci: Kemi shance të barabarta me Teutën

Duke folur për finalen ndaj Teutës, trajneri i Pogradecit Emiliano Çela, pas ndeshjes me Besën tregoi besim maksimal te skuadra, ndërsa e vlerësoi ekipin e tij se e meriton Superioren. “Me Teutën është një ndeshje Superioreje, sepse edhe Pogradeci është një ekip për këtë kampionat. Ne punojmë dhe stërvitemi në mënyrë profesionale dhe pretendojmë të jemi pjesë e elitës së futbollit shqiptar. Do të mundohemi të bëjmë lojën tonë, dhe mendoj se shanset janë të barabarta. Kemi një skuadër cilësore, me harmoni mes lojtarëve me eksperiencë dhe atyre të rinj. Mungesë e madhe për ne do të jetë Kazim Ogunleje, por do të japim maksimumin për ta realizuar ëndrrën”, kështu e vlerëson trajneri i liqenorëve sfidën me Teutën.

Finale për Kategorinë e Parë, Kukësi-Butrinti luhet më 28 maj

Bylisi i Ballshit zbriti nga Superiorja dhe Bylis B u ngjit në Kategorinë e Parë. Por Rregullorja e garës nuk lejon të luajnë në të njëjtën kategori skuadrat e të njëjtit klub futbolli. Ndaj Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së vendosi që Bylis B të kthehet në Kategorinë e Dytë, dhe Kukësi me Butrintin të luajnë një finale, ku fituesi do jetë pjesë e kampionatit të Kategorisë së Parë për sezonin 2026-2027. Kjo ndeshje do luhet në datën 28 maj 2026, ora 15:00 në stadiumin “Arena Egnatia”, Rrogozhinë.

KATEGORIA E PARË

SEZONI 2025-2026       

NDESHJET PLAY-OFF

Pogradeci-Kastrioti                 3-0

Iliria-Besa                                0-2

NDESHJA FINALE

Pogradeci-Besa                       1-0

(Pogradeci ndeshet me Teutën)

NDESHJET PLAY-OUT

AF Luftëtari-Sopoti                1-1

Kukësi-Bylis B                       1-1

(Sopoti në Kategorinë e Parë)

PAS VENDIMIT TË FSHF

E mërkurë, 28 maj 2026

Kukësi-Butrinti                       15:00

(Fituesi në Kategorinë e Parë)

RENDITJA PËRFUNDIMTARE

Skuadrat                    Nd       P

1.Laçi                          33        79

2.Skënderbeu              33        77

———————————–

3.Pogradeci                 33        68

4.Iliria                          33        45

5.Besa                         33        39

6.Kastrioti                   33        39

———————————–

7.Burreli                      33        37

8.Korabi                      33        36

———————————–

9.AF Luftëtari             33        34

10.Kukësi                    33        31

———————————–

11.Apolonia                33        28

12.Lushnja                  33        26

 

Verdiktet përfundimtare, sezoni 2025-2026

# Laçi kampion, Skënderbeu nënkampion

#Pogradeci, Iliria, Besa dhe Kastrioti në Play-off

Ndeshjet: Pogradeci-Kastrioti 3-0 dhe Iliria-Besa 0-2

Ndeshja finale: Pogradeci-Besa 1-0

Ndeshja për Superiore: Teuta-Pogradeci më 16 maj

 

#AF Luftëtari dhe Kukësi në Play-out

Ndeshjet: AF Luftëtari-Sopoti 1-1 dhe Kukësi-Bylis B 1-1

Bylis B do luajë në Kategorinë e Dytë

Kukësi-Butrinti, finale për në Kategorinë e Parë

#Apolonia dhe Lushnja zbritën në Kategorinë e Dytë